Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Liberalizimi, biznesi do e paguajë energjinë më shtrenjtë

Bizneset e lidhur në tensionin 35 kilovolt dhe që po furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) do ta paguajnë 60% më shtrenjtë energjinë për muajin dhjetor 2018, në raport me çmimin që kishin kur ishin në tregun e rregulluar.

Burime pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftuan se ky është çmimi final që ka miratuar Enti Rregullator i Energjisë (ERE) sipas procedurës standarde që është ndjekur muaj pas muaji.

Kështu për muajin e fundit të vitit të shkuar, një kilovat/orë energji do të paguhet 15.22 lekë, ndërkohë që bizneset paguanin një kilovat/orë në tregun e rregulluar me 9.5 lekë.

Pavarësisht këtij çmimi, duket se dhjetori ka rezultuar një muaj me çmim pak më të ulët se dy muajt paraardhës, pasi për tetorin dhe dhjetorin të njëjtat biznese janë detyruar të paguajë një çmim 16 lekë/kwh. Këto janë edhe dy muajt më të shtrenjtë në lidhje me energjinë që është siguruar në tregun e parregulluar nga njësia e dedikuar e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe është miratuar nga ERE.

Në muajt korrik, gusht dhe shtator, çmimi i energjisë për këtë kategori u caktua 12.86 lekë kwh ndërsa nga janari në qershor u luhat mes 9.5 dhe 9.82 lekë kwh. Çmimi final që miratohet nga ERE parashikon në vetvete një seri zërash, duke nisur nga shpenzimet që ka furnizuesi për të blerë energjinë nga palët e treta tek burimet njerëzore dhe një marzh minimal fitimi.

Çmimi automatikisht nga ERE është miratuar 9.5 lekë apo më shumë për të dekurajuar bizneset që të qëndrojnë tek FMF, duke nxitur sigurimin e energjisë nga vetë bizneset, duke hyrë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me furnizuesit.

Në fillim të vitit të shkuar ishin 90 biznese të lidhur në 35 kilovot, të cilët u detyruan të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë në mënyrë të pavarur. Vetëm një pakicë e tyre arritën të gjejnë furnizues, ndërkohë që pjesa tjetër vijojnë të mbeten nën OSHEE sipas periudhës tranzitore të caktuar, e cila zgjat deri në fund të 2019-s. Në mes të këtij viti, pritet që të dalë në tregun e lirë një numër i madh biznesesh, por këtë herë të lidhur në tension 20 kilovolt.

Monitor,  21.01.2019