Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Tërmetet” e Zharrëzës: Gjeofizika “rrëzon” veten për herë të tretë

Ndërkohë që shkaqet e lëkundjeve të tokës në Zharrëz të Rrethit Fier vazhdojnë të mbeten ende mister, Instituti i Gjeofizikës në Tiranë duket se nuk do të mbajë asnjë qëndrim, duke dhënë gjithmonë argumente të ndryshme nga ato të mëparshmet. Pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit drejtuar këtij instituti, ku i kërkoi që të jepte një përgjigje përfundimtare lidhur me kufirin e thellësisë deri ku mund të shkaktohen lëkundjet artificiale, ende nuk ka një përgjigje konkrete nga ekspertët. Ndërkohë që dy përgjigjet e mëparshme të dhëna nga ekspertët e Gjeofizikës ishin në kundërshti me njëra-tjetrën, e treta është krejt e ndryshme dhe nuk jep asnjë ndihmë në hetimin e prokurorisë. Burime të gazetës kanë bërë me dije se në përgjigjen e tretë, ekspertët e Gjeofizikës janë shprehur se nuk mund të ketë një përcaktim të përafërt lidhur me thellësinë maksimale ku mund të shkaktohen lëkundje artificialisht. Këtë herë ekspertët e Institutit të Gjeofizikës kanë pretenduar se gjithçka varet nga formacioni i shtresave të tokës dhe se nuk mund të ketë një kriter apo njësi e cila përdoret për të evidentuar apo përjashtuar mundësinë e lëkundjeve artificiale. Ndërkohë, një grup ekspertësh janë duke bashkëpunuar me hetuesit e Prokurorisë së Fierit, për të nxjerrë një rezultat përfundimtar të shkaqeve të lëkundjes së tokës në zonën naftëmbajtëse të Zharrëzës. Kështu, mësohet se ekspertët po punojnë në terren për të evidentuar nëse lëkundjet e forta të tokës në qershor e shtator të vitit 2012, kanë pasur shkaqe natyrore apo artificiale.

Kundërshtitë

Hetuesit kanë konstatuar se Instituti i Gjeofizikës ka pasur kundërshti në argumentimet e kryera për sa u përket shkaqeve që kanë shkaktuar lëkundjet e fuqishme në qershor e shtator të vitit 2012. Kjo, pasi në përgjigjen e parë të dërguar për lëkundjet sizmike të 17 qershorit, Instituti i Gjeofizikës ka sqaruar se epiqendra e tyre ishte në thellësitë 38 mijë metra(38 kilometra) 22 mijë metra(22 kilometra). Ndërkaq, specialistët e Gjeofizikës kanë shpjeguar në përgjigjen e tyre se “tërmetet” mund të shkaktohen artificialisht deri në thellësinë shtatë mijë metra(7 kilometra). Ndërsa dy lëkundjet me epiqendër 38 e 22 kilometra janë konsideruar si natyrore prej ekspertëve të Gjeofizikës. Por pa kaluar shumë kohë, në shtator të vitit të kaluar, u shënuan lëkundje të tjera të forta në zonën e Zharrëzës, të cilat rezultuan ta kishin epiqendrën e tyre rreth 6 mijë metra(6 kilometra) në thellësi të tokës. Kërkesës së prokurorisë lidhur me llojin e shkaktarit të këtyre lëkundjeve, Instituti i Gjeofizikës mësohet t’i jetë përgjigjur me një tjetër argument, në kundërshtim me të parin. Në këtë përgjigje mësohet që specialistët e gjeofizikës të kenë caktuar si limit të lëkundjeve natyrore thellësinë 3 mijë metra(3 kilometra). Në këtë përgjigje ata kanë sqaruar se lëkundjet që kanë epiqendrën e tyre më shumë se 3 kilometër nuk mund të jenë artificiale, pasi ky është kufiri, ndërkohë që në përgjigjen e parë kishin shënuar thellësinë 7 kilometër si pikën ndarëse të shkaktarëve natyrorë nga ata artificialë. Për shkak se lëkundjet e shtatorit e kishin epiqendrën e tyre deri në thellësinë e 6 kilometrave dhe përgjigjet e Institutit të Gjeofizikës kanë pasur kundërshti për sa u përket limiteve që përcaktojnë mundësinë e lëkundjeve artificiale nga ato natyrore, prokuroria i kërkoi Institutit të Gjeofizikës edhe një herë që të japë një përgjigje përfundimtare lidhur me këtë argument. Por herën e tretë këta ekspertë e kanë komplikuar edhe më shumë çështjen për kufirin mes lëkundjeve natyrore të tokës dhe atyre artificiale. Herën e tretë, ata kanë sqaruar se gjithçka varet nga formacionet e shtresave të tokës dhe se duhet kryer ekspertim në terren për të caktuar kufirin e thellësisë deri ku mund të shkaktohen lëkundjet artificiale. Ndërkaq, hetuesit gjatë bashkëpunimit që kanë pasur me specialistë të fushës së hidrokarbureve kanë mësuar se puset e naftës në zonën e Zharrëzës arrijnë një thellësi maksimale deri në gjashtë mijë metra(6 kilometra).

Tërmetet

“Tërmetet” e Zharrëzës janë kthyer gjatë tre viteve të fundit në një fenomen gati të përnatshëm. Disa janë më të lehta e nuk ndihen, ndërsa lëkundjet më të forta kanë shkaktuar dëme të pariparueshme për banorët e zonës, ku gati çdo shtëpi ka pësuar çarje e plasaritje. Prej një viti hetuesit kanë verifikuar në terren dëmet e shkaktuara në banesat e banorëve të Komunës së Zharrëzës, nga ku është konstatuar se gati të gjitha banesat, si ato të vjetra ashtu edhe ato të ndërtuara gjatë viteve të fundit kanë pësuar dëmtime. Banorët kanë akuzuar si shkaktar të këtyre lëkundjeve kompaninë kanadeze “Banker’s”. Sipas banorëve lëkundjet janë shkaktuar si pasojë e shfrytëzimit pa kriter që po u bëhet rezervave të naftës që gjenden në nëntokën e zonës së Marinzës dhe të Zharrëzës në rrethin e Fierit. Gazeta “Shqip” ka mësuar nga burime të besueshme se shkak i lëkundjeve mund të jetë injektimi i solucioneve të caktuara së bashku me ujin, të cilat shkriftojnë shtresat ranore ku ndodhet nafta bruto. Ndërkohë, nxjerrja e naftës së bashku me shtresën e shkriftuar bënë që shtresat e sipërme të zbresin poshtë dhe të shkaktojnë lëkundjet e tokës që kanë arritur të ndihen si tërmete të fuqishme deri në katër ballë, në një zonë të gjerë të rrethit të Fierit, si në Zharrëz, Roskovec, Patos, Fier e Levan.

Gazeta Shqip, 21.11.2013