Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interesi për energjinë eolike, një tjetër aplikim pranë MIE në Bashkinë Fier

Ligji për burimet e rinovueshme të energjisë ka bërë që të ketë një interes të shtuar vit pas viti për investime potenciale në impiante fotovoltaikë apo eolikë. Por ndërsa duket se për të parin ka pasur më shumë interes dhe avancim të projekteve siç ishte edhe ankandi i fundit për Karavastanë, investimet në energjinë eolike nuk kanë qenë në nivelet që pritej.

Deri më sot nuk ka asnjë park eolik aktiv që prodhon edhe pse janë një sërë autorizimesh të dhëna edhe nga ERE për të vijuar me projektet. Ndërsa për fotovoltaikët ka pasur realizim të projekteve konkrete dhe në vitin 2019 u prodhuan 22 mijë MWh energji pikërisht nga këto impiante.

Së fundmi duket rigjallërimi i një vale të re interesi për impiantet eolike.  Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë këto ditë është dorëzuar aplikim për një impiant eolik në Bashkinë e Fierit që i bashkëngjitet një numri të konsiderueshëm aplikimesh.

MIE bëri me dije se këtë herë është  shoqëria “ENER WIND” sh.p.k që ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në fshatin Hastukas, Njësia Administrative Libofshë, Bashkia Fier, Qarku Fier.

Më herët ishte edhe HEC-Lanabregas që ka shfaqur interes për të diversifikuar prodhimin e energjisë duke kërkuar një konsulent që do të hartojë dokumentin për të parë fizibilitetin e projektit për vendosjen e një impianti eolik për llogari të kësaj shoqërie.

Aktualisht në fuqi sipas legjislacionit janë vendosur çmime që synojnë nxitjen e brumieve të rinovueshme të energjisë dhe për impiantet eolike me kapacitet të instaluar deri në 3 MW çmimi i blerjes është 76 euro.

Ky çmim u miratua në të njëjtën kohë me çmimin e energjisë që prodhohet nga impiantet deri në 2MW për energjinë nga dielli i cili fillimisht u caktua 100 euro/MWH por që më pas u rishikuar me tendencë ulje pasi zbatimi i projekteve tregoi kostot reale. Sa i takon energjisë nga era çmimi ka mbetur i pandryshuar pasi vetë ERE ka pranuar se nuk ka një projekt konkret të zbatuar ku mund të shihen edhe kostot.

Monitor,  05.06.2020