Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

8 mujori: Ngadalësohen ritmet e rritjes së eksporteve, shkak materialet e ndërtimit dhe energjia

Eksportet kanë ngadalësuar ritmet e rritjes në tetë muajt e parë të këtij viti, kryesisht për shkak të performancës negative të materialeve të ndërtimit, ndërkohë që grupmallrat “minerale, lëndë djegëse e energji” si dhe “tekstilet e këpucët” kanë vijuar me ecurinë e tyre pozitive, ndonëse eksportet e mineraleve,lëndëve djegëse e energjisë kanë ngadalësuar ritmet e rritjes.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se për periudhën janar-gusht 2013, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 160 miliardë lekë, me një rritje prej 16.6% në krahasim me të njëjtën periudhë, nga 18.4% që ishin ritmet vjetore të rritjes për 7 mujorin.

Eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 39% për janar-gusht 2013, duke arritur në 67 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij grupmalli u ngadalësuar për tetëmujorin, si rrjedhojë e energjisë, që nuk u eksportua më për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Për herë të parë në gusht, eksportet e këtij grupi nuk shënuan rritje në raport me muajin përkatës të një viti më parë.

Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar me tendencën pozitive të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-gusht 2013, ato u rritën me 10.8% në 47 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve.

Megjithatë, në raport me korrikun 2013, eksporti i “Tekstile dhe këpucë” u ul 41%, një tendencë sezonale e përvitshme kjo, për shkak të pushimeve të partnerëve italianë. Në raport me gushtin 2012, eksportet e këtij grupmalli u rritën me 19%.
Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve thelluan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 17% me bazë vjetore në 21.7 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, pasi ishin gjallëruar me 12% për 4 mujorin. Që nga maji, ky grupmall ka njohur vetëm rënie, kryesisht si rrjedhojë e performancës negative të tullave drejt Kosovës dhe çelikut. Edhe gjatë muajit gusht, eksportet e këtij grupmalli ranë me 47%.

Revista Monitor, 24.09.2013