Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SPAK nuk pranon dosjen CEZ

Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk ka pranuar të shqyrtojë dosjen CEZ, një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar. SPAK-u ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e dosjes, ndërsa ka vendosur ta dërgojë çështjen në Durrës. Në 20 shkurt të këtij viti, juristit dhe ekspertit ligjor i OSHEE, Romeo Kara kallëzoi në SPAK për shpërdorim detyre gjyqtarin Lazër Sallakut, i cili mbylli dosjen CEZ me kërkesë të Prokurorisë. Në të njëjtën kohë, në kallëzim kërkohej nga SPAK-u edhe sekuestrimi i gjithë dosjes CEZ, me dëm ekonomik mbi 400 milionë euro, ku të kallëzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha, sekseri kryesor Nuel Kalaj, ish-ministrit Genc Ruli, ish-zëvendësministra, ish-këshilltarë, ish-drejtorë etj.

Por, Prokuroria e Posaçme ka anashkaluar politikanët, duke u fokusuar vetëm tek veprimet e gjyqtarit Lazër Sallakut. Meqenëse gjyqtari punon në Tiranë, SPAK ka vendosur dërgimin e dosjes kundër tij në Durrës për verifikim. Sipas SPAK-ut, vepra për të cilën akuzohet gjyqtari, pra shpërdorimi i detyrës, është në kompetencë të një prokurorie të zakonshme. SPAK-u nuk është investuar për të hetuar rolin e Berishës dhe Genc Rulit në aferën CEZ. Sipas nenit 135 të Kushtetutës, Berisha dhe Ruli janë subjekte të SPAK-ut, për çdo vepër të mundshme penale të dyshuar se mund ta kenë konsumuar. Por, beteja për hapjen e dosjes vazhdon. Romeo Kara konfirmoi për Report Tv se ka vënë në lëvizje Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur edhe si Gjykata Speciale, për të rrëzuar vendimin e SPAK. Juristi Kara i kërkon Gjykatës Speciale të detyrojë SPAK-un të shqyrtojë dosjen.

Provat e forta në SPAK kundër Berishës dhe Nuel Kalajt për aferën CEZ: Qindra e-maile komprometuese dhe zhdukja e protokollit të privatizimit të OSSH
Romeo Kara mendon se SPAK-u duhet të bëjë një hetim të plotë dhe të hollësishëm, jo vetëm për rolin e gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili mbylli dosjen disa ditë pasi mbylli edhe dosjen e Lulzim Bashës për lobimin rus. “Unë duke mos pasur prova për grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion, cilësova vetëm shpërdorimin e detyrës të cilin unë e argumentoj plotësisht, ndërsa për këto të tjerat ishte detyrë e SPAK-ut që të hetonte nëse ka korrupsion apo diçka tjetër. Nuk merret vendimi për moskompetencë vetëm duke luajtur me cilësimin që unë si kallëzues i kam berë akuzës. Cilësimi i akuzës është atribut i prokurorisë, i cili behet pas një hetimi të plotë dhe të hollësishëm”, thotë Kara.

Ndërkaq, një tjetër betejë po zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës për hapjen e dosjes CEZ. Gjyqtarja Shpresa Beçaj është zgjedhur përmes shortit për të shqyrtuar ankimimin e Kuvendit të Shqipërisë kundër vendimit të gjyqtarit Lazër Sallaku për mbylljen e dosjes. Në kallëzimin e bëra nga Kuvendi akuzohet edhe Shkëlzen Berisha, i biri i Sali Berishës, për lidhje të dyshuara dhe të pretenduara nga Kuvendi, me sekserin kryesor të aferës CEZ, Nuel Kalaj.

Shqiptarj,  05.03.2020