Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

23 milion euro për modernizimin e sistemit të transmetimit elektrik në Kosovë

Qeveria e Republikës së Kosovës i është mirënjohëse Qeverisë së Gjermanisë, për mbështetje të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Jemi të përkushtuar që këto marrëdhënie t’i zhvillojmë dhe avancojmë në vazhdimësi, tha dje ministri i Financave Besim Beqaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Kredi dhe Financim në shumën prej 23.5 milionë EUR për përmirësimin e rrjetit të transmisionit në Kosovë.

Financimi i përgjithshëm i projektit arrin shumën prej afro 31 milionë EUR dhe përbëhet nga grante të Unionit Europian, grante dhe kredi IDA të qeverisë gjermane, të plotësuara me një kredi të KfW-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i financave Besim Beqaj, drejtori për Evropën Jug-lindore dhe Turqi në KfW Christoph Tiskens, u.d. drejtor menaxhues i Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) Naim Bejtullahu, si dhe përfaqësuesja e Zyrës së Unionit Evropian në Kosovë, Sirje Poder.

Me këtë rast ministri Besim Beqaj theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane do të vazhdoj me ritmin e njëjtë që e kemi pasur nga periudha e pas-luftës.

“Me këtë marrëveshje Qeveria e Kosovës do të huazoj nga KfW 20.5 milion euro dhe do të pranoj nga Komisioni Evropian 3 milion euro kontribut financiar. Ministria e Financave do të nën-huazoj mjetet tek KOSTT-i”.

“Projekti përmirësimi i rrjetit të transmisionit do të kontribuojë në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike dhe në përmirësimin e qëndrueshëm dhe me kosto efektive të sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Për më tepër, projekti përkrah integrimin e rrjetit të energjisë elektrike të Kosovës në tregun Europian të energjisë si dhe përmbushjen e kërkesave të Rrjetit Europian të Operatorëve të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E). Kështu, projekti kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës për mbarë popullsinë e Kosovës si dhe në një mbrojtje më të mirë të ambientit dhe klimës”, theksoi përfaqësuesi i KfW Christoph Tiskens.

Ndërsa, përfaqësuesja e Zyrës së Unionit Evropian në Kosovë, Sirje Poder tha se “Marrëveshja që sapo nënshkruan do të përmirësoj dukshëm edhe standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Dhe po ashtu do të sjellë një klimë më të mirë të biznesit me qëllim që të krijohen vende të reja pune”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer, i cili ritheksoi angazhimin e vendit të tij për të mbështetur projektet konkrete që kanë për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për jetën e qytetareve të Kosovës.

energjia.al, 24.09.2013