Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Abuzime me lejet, Mato: Licensë për 444 HEC-e, pasoja katastrofike

Lejet e shumta e dhëna nga qeveria Berisha për ndërtimin e 444 hidrocentraleve mbi lumenjtë tona, rrezikojnë që të kthehen në një boomerang për të gjithë sistemin ekologjik, jo vetëm të zonës përreth, por me një ndikim të madh në të gjithë vendin. Alarmi është dhënë nga ambientalisti, Xhemal Mato, i cili shpjegon se si pasojë, po rrezikohen të zhduken zona të tëra, dhe kjo madje ka bërë, që, vitet e fundit, vendi ynë, të ketë humbjen më të madhe në botë të tokës, për shkak të detit.

“Janë dhënë leje për ndërtimin e 444 hidrocentraleve, që do të kenë pasoja katastrofike në bregdet. Dhe nuk janë kursyer as parqet kombëtare. Më konkretisht vetëm në parkun kombëtar Shebenik- Jabllanicë në Librazhd janë dhënë leje për ndërtimin e 84 hidrocentaleve. Dhe nuk ka përrua, liqen apo burim që nuk është projektuar një HEC.

Dhe më e keqja është mënyra se si janë projektuar të ndërtohen. Uji merret që në burim, futet nëpër tuba, që zgjaten si shtrat lumi për 5-10 kilometra dhe dërgohet drejt e në rezervuarin e HEC-it. Uji, që më parë, kalonte mes për mes këtij parku kombëtar, duke i dhënë jetë atij dhe të gjithë zonës përreth, është zhdukur. Kjo është katastrofa më e madhe që po ndodh kudo nëpër vendin tonë. E ndryshon sistemin ekologjik krejtësisht, zhduken specie të tëra, florën dhe faunën. Madje banorët atje kanë mbetur tashmë pa ujë dhe kanë organizuar edhe protesta, por askush nuk i dëgjon.

Dhënia e licencave për HEC-e është kthyer në një biznes të madh vetëm për qëllime përfitimi personal, pasi ka kohë që energjia e prodhuar nga hidrocentalet nuk është më e mirë për prodhimin e energjisë, pasi ka kosto të madhe mbi ekosistem. Para viteve 90-të hidrocentralet ndërtoheshin me qëllim bonifikimin e të gjithë zonës, ndërsa sot po e zhdukin ujin. Ne jemi vendi i parë në botë për humbjen e tokës nga deti, ndaj duhet ndalur ky proces”, ka deklaruar Xhemal Mato në një aktivitet të zhvilluar dje në kuadër të informimit dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e përdorimit me eficiencë të enrgjisë diellore, aktivitet ky i mbështetur nga REC dhe “Ekolëvizja” po kryen një sërë seminaresh trajnuese.

Gazeta Shqiptarja.com, 14.09.2013