Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ç’parashihet në hetimin për mashtrim me sasinë e cilësinë e karburanteve

Njësia Taks-Forcë në Prokurorinë e Tiranës është duke pritur dokumentacionin përkatës nga ana e çdo ankuesi që pretendon se është vjedhur me anë të mashtrimit, për sa i përket sasisë së karburantit. Hijet e skandalit më të fundit të kapjes me shkelje të kompanive mashtruese të karburantit, që u japin qytetarëve më pak naftë a benzinë sesa sasia e parave që kanë paguar, duket se janë në prag të zbardhjes së plotë, sidomos pas vendimit të fundit, për mos ta ruajtur sekretin e punës nga metrologu që kap shkeljen, porse emrat e abuzuesve do të publikohen. Së fundmi është mësuar se emrat e kompanive që kanë vjedhur konsumatorët duke u shitur më pak karburant nga sa ata paguanin, do të publikohen brenda pak ditësh. Nga ana tjetër, hetimet e Prokurorisë, duket se do të shpërndahen edhe për sa i përket cilësisë së karburanteve, një temë kjo e shumëtrajtuar si nga media, ashtu edhe nga aktorë të tjerë si të politikës, ku përmenden denoncimet e Dritan Priftit, ashtu edhe të shoqatës së mbrojtjes së komsumatorëve, opozitat në vend, qytetarë të ndryshëm si dhe disa OJF. Por edhe kur janë gjobitur, këta abuzues si me sasinë, ashtu edhe me cilësinë e karburantit, kanë vijuar aktivitetin e tyre tregëtar. Ndërkaq, korrupsioni, si plagë tashme e hershme e shoqërisë shqiptare, duket se nuk e lejon Drejtorinë e Metrologjisë të kryejë siç duhet punën, ku mjafton të kujtohet arrestimi i disa punonjësve të korruptuar të saj, ashtu siç nuk lejon asnjë lloj inspektimi rigoroz nga hallkat e tjera shtetërore.

Nisma e publikimit të emrave

Pas kërkesës së Kryeministrit në detyrë Sali Berisha, Drejtoria e Metrologjisë, ka dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë aktin normativ që eleminon pengesat ligjore që ndalonin publikimin e emrave. Drejtues të Metrologjisë thonë se, akti ka të bëjë me ndryshimin e nenit nr 9 në ligjin për inspektimet, i cili nuk lejonte bërjen publike të subjekteve që kapeshin me shkelje. Nga ana e tij biznesi e ka kërkuar me forcë publikimin e emrave, teksa thotë se do t’i kallëzojë ato penalisht, pasi për disa kompani dëmi nga sasia e karburantit është i lartë.

Hetimet nga Prokuroria

Burime të njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se do të nisin hetimet kryesisht, jo vetëm për rastet e abuzimeve me sasinë, por edhe për cilësinë e karburanteve që tregtohen në Shqipëri. Pjesë e hetimeve nuk do të jenë vetëm karburantet e kapura me shkelje nga Drejtoria e Metrologjisë, por të gjitha subjektet, nga importuesit e deri te pikat e kaburanteve. Nga kontrolli i Drejtorisë së Metrologjisë rezultoi se mbi 11% e karburanteve në shkallë vendi abuzonin me sasinë. Nga ana tjetër edhe Prokuroria e Përgjithshme duket se ka gati planin që sapo të publikohen emrat e kompanive që mashtrojnë me sasinë, ata të hyjnë në veprim. Në rastin më të mirë, abuzuesit mund t’ia hedhin me pagimin e gjobës të Metrologjisë apo edhe të vendosur nga Prokuroria, por ndërkaq kjo mund të klasifikohet edhe si vepër penale e “mashtrimit”, ku neni 143 i Kodit Penal parashikon se “Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet, por kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga 3 gjer në 10 vjet dhe kur ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet”. Mirëpo neni 182 i Kodit Penal parashikon edhe veprën penale të “ndryshimit në aparatet matëse”, ku parashikohet gjobë deri në 2 vjet burg. Pra, në rastin konkret, kompanitë e karburantit kanë gënjyer më shumë se një njeri dhe më shumë se një herë, kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve dhe bisnesit, si dhe kanë ndërhyrë në aparatet matëse, ç’ka lejon prokurorët të formulojnë akuza konkrete.

E drejta për ankim

Në nenin 61 të Metrologjisë, kundër vendimit të nxjerrë nga inspektori metrolog mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimit, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Kundër vendimit të dënimit me gjobë, të dhënë nga inspektori metrolog i Drejtorisë së
Përgjithshme të Metrologjisë, mund të bëhet ankim. Kundër vendimit të Komisionit të Ankimimit mund të bëhet ankim në gjykatë, në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.

Kontrollet e para pak ditëve

Metrologjia: 14 subjekte abuzonin me sasinë, gjobë 10.500.000 lekë. 
Pak ditë më parë Drejtoria e Metrologjisë ka gjobitur me një vlerë totale prej 10.5 milionë lekësh 14 subjekte, pasi është konstatuar se kanë mashtruar me sasinë e karburantit që u shesin konsumatorëve. “Subjektet kanë ndërhyrë në instrumentet matës duke prishur plumbosjen e vendosur nga inspektorët metrologë. Në përputhje me legjislacionin për metrologjinë u mbajt akt-kontrolli përkatës, u bë plumbosja e pistoletave dhe u morën masa me gjobë me një vlerë totale 10 500 000 lekë për 14 subjekte nga të cilat 5 në Tiranë, 4 në Kavajë, 2 në Shkodër, 1 në Elbasan, 1 në Përrenjas, 1 në Bilisht, 1 në Fier”, tha para pak ditësh Kozeta Mesiti, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Metrologjisë. Por kjo Drejtori nuk bën publike emrat e subjekteve, pasi siç sqaron drejtoresha Mesiti informimi bëhet brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave për veprimtarinë tregtare të subjektit. “Dëshiroj të theksoj se në punën tonë qëllimi nuk mund të jetë dëmtimi i biznesit, por nga ana tjetër nuk mund të mos mbrojmë në mënyrë të vendosur të drejtat e qytetarit përballë çdo abuzimi të mundshëm”, tha Mesiti. Pas kontrollit të 801 instrumentave dhënës karburanti, 93 prej tyre rezultuan jashtë afateve ligjore të kontrollit metrologjik, raste për të cilat u mor masa e bllokimit duke lënë afat kohor për realizimin e verifikimit të detyruar.

Si verifikohen aparatet matëse

Ç’parashikon ligji për të drejtat e detyrat e inspektorit të Metrologjisë
Në nenin 49, “Të drejtat e inspektorit metrolog”, në pikën 1 thuhet se “gjatë inspektimit, inspektori metrolog ka të drejtë të hyjë dhe të inspektojë ndërtesat dhe kushtet e biznesit, ku prodhohen, magazinohen ose përdoren instrumente matëse, si dhe pajisjet, pajisjet e prodhimit dhe makinat. Gjithashtu, gjatë inspektimit, një inspektor metrolog ka të drejtë të hyjë dhe të inspektojë ndërtesat dhe kushtet e biznesit, ku janë prodhuar, importuar dhe ofruar për shitje produktet e parapaketuara dhe shishet, enë matëse. Gjithashtu, ai ka të drejtë të inspektojë dokumentacionin e biznesit, të çfarëdo forme, për veprimtarinë metrologjike, regjistrimet dhe raportet e testimit të një personi juridik dhe fizik të autorizuar, ose të një metrologu të autorizuar, për të parë se si janë kryer këto veprimtari. Ndërsa një nen më poshtë, pra ai 50 parasheh “Detyrat e inspektorit metrolog”, ku në pikën 1 parashikohet që “Gjatë inspektimit metrologjik, një inspektor metrolog verifikon a) ligjshmërinë dhe aftësinë në kryerjen e veprimtarive metrologjike; b) përdorimin e njësive ligjore të matjeve; c) ligjshmërinë dhe autoritetin ligjor në kryerjen e certifikimit të instrumenteve matëse, ekzaminimin e tipit të instrumenteve matëse dhe verifikimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara; ç) përdorimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara; d) konformitetin e parapaketimeve dhe shisheve, enë matëse me masat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore, etj.

“Uragani” pas denoncimit të Priftit

Skandali i naftës “virgin”, mashtrimi i shekullit për cilësinë e karburantit
Më 12 mars të vitit 2011, plot 11 persona, mes tyre biznesmenë, janë arrestuar pas denoncimit të ish- ministrit Dritan Prifti. Ky i fundit ngriti akuza për kontrabandë të naftës vergine. Sipas të dhënave që dolën nga hetimet, biznesmeni Fisheku ishte një nga subjektet e përfshirë në këtë operacion. Dritan Prifti akuzoi dhe nëndrejtorin e përgjithshëm të policisë Agron Kuliçi, i cili duket se nuk do të preket nga kjo fortunë. Fisheku njihet në rrethet e biznesit si një tregtar nafte, i cili sa herë ka pasur probleme ka përdorur pushtetin e Kryeministrit Berisha për shkak të lidhjeve të tij me një botues afër Berishës. Vet ky botues është personazh i një prej videove të patransmetuara, të cilat ka regjistruar Prifti. Nga një valë arrestimesh në Tiranë ku përfshihen biznesmenë dhe punonjës të tatimeve e doganave janë vënë në pranga 11 persona për tregtimin e naftës “Virgine”. Arrestimet janë bërë bazuar në të dhënat e publikuara në shtypin e shkruar dhe viziv në fillim të muajit tetor 2010, dhe deklarimet e ish – Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, që ka deklaruar publikisht të dhëna që kanë të bëjnë me veprime abuzive me detyrën dhe kontrabandë të naftës “vergine”, si dhe verifikimeve paraprake të kryera. Nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 – 2009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “vergine”, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si të pastër për konsum. Mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasit: Hajri Hajredin Elezaj, Ilias Isa Fisheku, Martin Ilias Fisheku, Bajram Isa Fisheku, Dashamir Veiz Kasaj, Edmond Kaso Ferraj, Flamur Rexhep Merkaj, Vladimir Kilo Koteci, Gani Llazar Prence, Reshat Hamza Aleksi dhe Kadri Rakip Hajredini. Veprat penale që rëndojnë mbi të arrestuarit janë “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 143/2, 248, 186 dhe 287 të Kodit Penal.

S’plotësonin kushtet teknike, bipera për lëndët radioaktive

Në 2008-ën policia kreu disa operacione për kamion-cisternat
Gjatë vitit 2008 struktura të veçanta të Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë disa aksione që bënin fjalë për kontrollin e kamion-cisternave që udhëtonin në rrugët nacionale, por edhe atyre brenda qyteteve. Qëllimi i këtyre aksioneve ka qenë verifikimi i kushteve teknike, pasi nga qytetarët kishte mjaft ankesa për sa i përket erës së rëndë që vinte nga nafta pasi kamion-cisternat udhëtonin apo zbraznin lëndën djegëse me tuba ventilimi të hapur. Gjatë kryerjes së këtyre operacioneve janë aplikuar kontrolle tek autobotet që transportojnë naftë, benzinë dhe vajra për të matur sasinë e përqindjes së elementeve të dëmshëm përbërës si squfuri etj. Të gjitha këto operacione janë kryer në bashkëpunim me punonjësit e Drejtorisë së Doganave. Ekspertët thonë se cikli i mbyllur dhe tubi i ventilimit të ajrit tashmë kanë pajisjen që sinjalizon në rast të përqindjes së lartë me lëndë të rrezikshme të nënprodukteve të naftës. Por gjatë vitit 2008 Policia e Shtetit në të gjitha pikat doganore dhe pikat e kalimit kufitar në vend ka instaluar biperat zbulues të lëndëve radioaktive. Ky projekt ka bërë që së paku të gjitha pikat doganore dhe të kalimit kufitar në të gjithë vendin të pajisen me pexhera apo sinjalizues elektronikë të aftë të zbulojnë elementë produkte dhe materiale të ndryshme me përmbajtje të lëndeve radioaktive. Për 5 muajt e parë të vitit 2008 janë vendosur plot 14 gjoba 500 mijë lekëshe, si dhe janë bllokuar dy depozita nafte. Pikërisht në këtë vit filloi abuzimi me cilësinë e naftës ku për shkak të rritjes së çmimit në bursat ndërkombëtare tregtarët shqiptarë filluan abuzimet duke përzier eurodiezelin me naftën virgine. Cilësia e keqe e karburantit ndikon drejtpërdrejt në gjendjen mekanike të automjeteve, si dhe në shëndetin e njerëzve, të cilët thithin gazra helmues.

Gazeta Telegraf, 04.09.2013