Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çalik merr miliona euro te Kosovës

Kompania turke Çalik Limak Energy që ka privatizuar Distribucionin, ka trashëguar, apo i është dhuruar nga Qeveria e Kosovës një pjesë e thesarit multimilionësh të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ato janë borxhet e konsumatorëve të kësaj korporate që figurojnë se janë rreth 400 milionë euro. Do të thotë, produktin që e ka prodhuar dhe hedh në treg KEK`u – me paratë e shtetit, t`i inkasojë Çalik me kompaninë e re – KEDS.

Këtë hise ia ka ndarë Qeveria e Kosovës përmes një marrëveshje ku i jep Çalik`ut të drejtën që t`i inkasojë këto borxhe, dhe më vonë pronësojë nga 15 deri në 25 për qind të kësaj shume.

Me këtë marrëveshje nëse KEDS i inkason krejt paratë, atëher Çalik do t’i fitonte rreth 100 milionë euro. Ndërsa Çalik, për blerjen e krejt Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës ka ofruar më pak se 27 milionë euro.

Borxhi i konsumatorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka mbërri në 400 milionë euro. Drejtuesit e Qeverisë kanë garantuar se këto borxhe assesi nuk do të falen.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës tregojnë se për mbledhjen e këtyre borxheve, Qeveria i ka dhënë të drejtë KEDS’it – e drejtuar nga Çalik , që shumat mbi 10 mijë euro t’i marrë 15 për qind të shumës dhe nën 10 mijë euro t`i marrë 25 për qind të shumës.

Për ekonomistët kosovar dhe drejtuesit e shoqërisë civile, kjo është shqetësuese.

Avni Zogiani, drejtor i Organizatës Çohu, tha se pse ka ndodhur kjo, e di vetëm Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka pasur kontakte të shpeshta më kryeministrin e Turqisë Taip Erdoganin. E dhëndrri i Erdogan, tha Zogiani për Express, praktikisht është blerës i distribucionit të KEK’ut dhe koncesionues i Aeroportit të Prishtinës.

“Do të thotë ne nuk i kemi shitur asgjë Çalikut, edhe Aeroportin dihet që e kemi dhënë pa asnjë lekë, kurse për Distribucion praktikisht i kemi dhënë pare për me e marrë”, tha Zogiani.

Borxhet, sipas tij, edhe kanë qenë në marrëveshje kur është ofertuar nga Çalik`u.

“Kështu që tash kjo çështje është kontraktuar”.

Profesori i Ekonomisë Musa Limani, thotë për Express se kjo është një kontratë shumë negative dhe shumë e dëmshme për ekonominë e Kosovës. Kjo qasje e privatizimit, është aspak e favorshme dhe shumë goditëse për ekoniminë.

Sipas tij, kjo është absurde për shkak se më këtë shumë që ai mund ta mbledh, atëhëerë kjo i delë që e ka marrë falë Distribucionin e KEK`ut. “Pos që e ka marrë falë, ajo po fiton në start shuma të mëdha milionëshe”, tha Limani.

Inkasimi i këtyre borxheve nuk është e vetmja e keqe këtu, por janë edhe plotë tjera si ngritja e tarifës së rrymës e shumë tjera.

“Me këtë shumë që mund ta marrë Çalik, Kosova ka mundur të bëjë shumë investime në energjetike, infrastrukturë dhe gjithku tjetër”, tha ai.

Në anën tjetër Drejtori i Organizatës së Hulumtimeve Ekonomike STRAS – Ibrahim Rexhepi, tha se ky është një gabim i madh strategjik i Qeverisë bashkë me KEK`un. Problemi i parë sipas tij, është se janë lënë të grumbullohen këto borxhe dhe problemi i dytë se pse i është lënë gjithë ajo shumë në administrim kompanisë privatizuese.

“Kjo është dashtë të zgjidhet para se ky problem të rritet dhe të bëhet i pa menaxhueshëm”, tha Rexhepi.

Këshilltar për Marrëdhënie me Publik Njësia e Privatizimit KEDS Valon Syla, ka treguar para disa ditësh për Express, se për të realizuar mbledhjen e këtyre borxheve, ekspertët e KEK’ut, të mbikëqyrur edhe nga Këshilltari i Transaksionit IFC, kanë hartuar Marrëveshjen për Mbledhjen e Borxheve të Vjetra që në fakt do të shërbejë si një marrëveshje midis KEK’ut të mbetur dhe privatizuesit Kosovo Calik Limak Energy.

“Borxhet e vjetra ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës kanë arritur mbi 400 milionë euro, kështu së paku raportohet nga menaxhmenti i KEK. Këto borxhe datojnë qysh nga koha e administrimit të UNMIK me Kosovën dhe KEK’un, e deri më sot”, tha Syla.

Ai tregoi se marrëveshja ka këto kushte – privatizuesi për mbledhjen e borxheve mbi 10 mijë euro përfiton 15 për qind nga shuma e borxhit të mbledhur. Ndërsa, për borxhet nën 10 mijë euro përfiton 25 për qind nga shuma e borxheve të mbledhura.

Mirëpo, sipas tij, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë se borxhet ndaj KEK’ut, nuk do të falen dhe duhen të paguhen. Sa i përket bazës ligjore për Marrëveshjen për Mbledhjeve të Borxheve të Vjetra, tha ai, ajo është hartuar sipas ligjeve të vendit në fuqi dhe ngërthen karakter komercial të marrëveshjes, për mbledhjen e borxheve ndaj KEK’ut, midis KEK’ut të mbetur dhe kompanisë së re Distribucionit dhe Furnizimit, KEDS – Kosovo Calik Limak Energy.

Gazeta Express, 19.06.2013