Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fillon ndërtimi i 5 HEC-eve në kaskadën e lumit Fan me vlerë 146 milionë euro

Kryeministri Berisha ishte sot në rrethin e Mirditës ku mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Gojan, Gjegjan, Peshqesh, diga e Urës së Fanit dhe hidrocentrali i Fangut, të cilat do të ndërtohen në rrjedhën e lumit Fan i Madh dhe Fan i Vogël nga kompania turke Aydiner, investim me vlerë 146 milionë euro, Ky projekt bazohet në bashkimin e dy lumenjve, Fanit të Madh dhe të Vogël, me një tunel 32 kilometër të gjate, por dhe të një dige të larte prej 84 metër. Fuqia totale e instaluar e tyre është 111 prej MW dhe prodhimi vjetor i 7.1 përqind të nevojave të vendit.. Në këto projekte tepër të mëdha në fushën e energjetikës pritet të hapen 950 vende pune. Në rrethet Pukë, Shkodër e Lezhë po ndërtohen 27 HEC-e me fuqi të instaluar 243 MW dhe prodhim vjetor të energjisë 1210 GWH.

Në shenjë simbolike, Kryeministri Berisha shtypi butonin e detonimit për shpërthimin e parë në gërmimet për ndërtimin e hidrocentraleve.

Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, përgëzoi kompaninë për këtë investim, i cili kontribuon në mënyrë thelbësore në projektin e qeverisë – Shqipëria, vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ujore.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për këto kompani të mëdha që besojnë dhe investojnë në Shqipëri. “Kompania turke investon këtu 146 milionë euro, para të sajat dhe pasi përfundon veprën paguan tarifën e koncesionit, taksën shqiptare dhe pas një periudhe të caktuar në kontratë ndërtimin, hidrocentralin ia kthen popullit shqiptar si pronë të tij. Kjo është e vërteta e koncesioneve. E thashë këtë për ata që bëjnë betejat e Donkishotit me koncesionet, për ata që kërcënojnë me anullime koncesionesh”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Përshëndetjet e mia më të përzemërta sot kompanisë “Aydiner” për fillimin e punimeve në kaskadat e lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël, në transformimin e jashtëzakonshëm të këtyre kaskadave, në shndërrimin e ujërave të lumenjve Fan i Madh dhe Fan i Vogël në vlera reale të mëdha energjetike për mirditorët, për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj,

Ky është zhvillim!

Këtu nisin sot punimet pas një kohe përgatitjesh ndër më seriozet, pasi duhet ta dini se ky është një nga projektet më të mrekullueshme të inxhinierisë ujore që mund të ekzistojë. Projekti bën të mundur që nga ujërat e këtyre dy lumenjve të ndërtohen hidrocentrale me kapacitet 110 MV, të prodhohet 7 përqind e të gjithë energjisë që i duhet Shqipërisë. Në këtë kaskadë investohen 146 milionë euro, punësohen 950 punonjës shqiptarë dhe ky është punësim.

Unë përgëzoj drejtuesit e kompanisë “Aydiner” të vendit mik Turqisë, inxhinierët, teknikët, partnerët e tyre shqiptarë për këmbënguljen, për vizionin dhe punën e shkëlqyer parapërgatitore që kanë bërë për të ndërtuar në këto lugina një ndër historitë e një suksesi ndër më të mrekullueshmit, për të kontribuar në mënyrë thelbësore në projektin tonë – Shqipëria, vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ujore. Ky është një investim që shkon tërësisht në zhvillimin e qëndrueshëm të Mirditës dhe të Shqipërisë. Ky është një investim që përcillet si trashëgimi nga gjenerata në gjeneratë. Ata që vijnë pas nesh do të trashëgojnë këtë investim dhe punën tonë të bërë për ata edhe të ardhmen e tyre. Kjo është rruga më e mençur, më e ndershme dhe më e drejtë e zhvillimit. Ne kurrë nuk duhet të synojmë vetëm sot për sot, por duhet të synojmë sot për nesër dhe të ardhmen në vazhdim.

Miqtë e mi,

Në 13 maj Njëshi botëror në fushën e energjisë filloi ndërtimin e kaskadës së Devollit. Në më pak se 3 javë fillon ndërtimi në kaskadat e Fanit, vazhdojnë ndërtimet e hidrocentraleve në degët e Drinit, shumë shpejt fillojnë ndërtimet në lumenjtë e Alpeve, në kaskadën e Osumit, në lumenjtë e Kukurit dhe lumenj të tjerë të Gramshit, në burimet ujore të Skraparit, në Martanesh dhe në të katër anët e vendit.

Ky është zhvillim! Ky është punësim!

Miqtë e mi,

Qeveria ka firmosur gjatë këtyre viteve 130 kontrata koncesionare me sektorin privat për ndërtimin e 365 hidrocentraleve. 66 prej tyre kanë përfunduar dhe kanë hyrë në prodhim. Koha nuk më ka premtuar të inauguroj 3-4 prej tyre, të cilët do të shkoj edhe do t’i përshëndes një e nga një. Këto kompani kanë investuar në to 280 milionë euro dhe prodhojnë 205 MGW. Ajo çka mund të dukej një ëndërr absurde, nuk ishte një ëndërr nate, por një ëndërr dite. Ne po kthejmë burimet tona ujore në burime energjetike dhe po ecim drejt Shqipërisë vend lider në prodhimin e energjisë nga ujërat në rajon. Koncesionet që ne kemi dhënë deri tani kanë një kapacitet prodhues prej 1600 MW nga 1200 MWH që është kapaciteti aktual prodhues i vendit. Ato janë një investim prej 2.8 miliard euro. Në to do të punësohen 30 mijë qytetarë në të katër anët e vendit. Koncesionet janë format ndër më të suksesshmet në zhvillimin e një ekonomie.

Kompania turke investon këtu 146 milionë euro, para të saj dhe pasi përfundon veprën paguan tarifën e koncesionit, taksën shqiptare dhe pas një periudhe të caktuar në kontratë ndërtimin, hidrocentralin ia kthen popullit shqiptar si pronë e tij. Kjo është e vërteta e koncesioneve. E thashë këtë për ata që bëjnë betejat e Donkishotit me koncesionet, për ata që kërcënojnë me anullime koncesionesh. Ata përpiqen të pengojnë zhvillimin. Ata përpiqen të bllokojnë punësimin. Ata duhet ti falënderojmë këto kompani me mirënjohje për besimin e madh që tregojnë me investimet e tyre në Shqipëri. Një kompani, e cila kuoton 15 përqind të aksioneve në bursën e Stambollit, vjen dhe vendos paratë e saj në luginën e Fanit. Ky është besimi maksimal.

Ndaj edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj jush zoti President, përgëzimin më madh të gjithë punonjësve të kompanisë tuaj. Një përgëzim të madh të gjithë qeveritarëve vendorë të cilët me shkallën e lartë të përgjegjësisë për zhvillimin e Mirditës, për punësimin e mirditorëve dhe të qytetarëve shqiptarë ju kanë mbështetur juve, duke mos dëgjuar zërat e thatë në shkretëtirë që ngrihen nga selia qendrore kundër koncesioneve.

Ftojmë mirditoret dhe mirditorët, shqiptaret dhe shqiptarët që më 23 qershor të votojnë për zhvillimin, të votojnë për punësimin. Ne jemi serioz në projektin tonë. Ne po e faktojmë çdo ditë me vepra se ku do të punësohen shqiptarët.

Edhe njëherë, urimet më të përzemërta dhe, natyrisht, nuk dua të mburrem, por sa herë që kam shtypur butonin, ka ndezur. Tuneli i Kalimashit, i Kërrabës, Kaskada e Fanit dhe kështu me radhë.

energjia.al, 10.06.2013