Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dogana raporton rënie të zhdoganimeve (të karburanteve), shkak është çmimi, por ka dyshime

Nafta, 52 mijë tonë më pak importe në dy vitet e fundit. 
Të ardhurat gjithsej nga akciza për periudhën janar – dhjetor arritën në rreth 36.4 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, të ardhurat nga kjo taksë kanë rënë në masën 9.9 për qind. Duke filluar nga 1 tetor 2012 administrimi dhe mbledhja e akcizës kaloi tërësisht tek Administrata Doganore, por rezultatet e treguara nuk ishin ato të pritshmet.
Karburantet dhe nënproduktet e tij përbëjnë peshën kryesore të të ardhurave në totalin e mbledhur nga doganat. Në vitin 2012, administrata doganore mblodhi 128.4 miliardë lekë, 1.8 për qind më pak se parashikimi dhe vetëm 328 milionë lekë më shumë se një vit më parë, me rritje pothuajse zero, analizon Ministria e Financave.
Po cilat janë shkaqet? Duke parë produktet e forta të akcizës, nga ku dogana “var” suksesin, shikohet se kemi një rënie me 6 për qind të zhdoganimit të karburanteve. Importet e lëndës djegëse ishin 431,835 tonë, ose 26 mijë tonë më pak se 2011. Në raport me vitin 2010, kemi rënie me afro 52 mijë tonë. Pra në dy vite rresht, doganat raportojnë rënie të zhdoganimit të karburanteve.
Të ardhurat nga karburantet për 2012 ishin rreth 35 miliardë lekë, ose sa 27 për qind e totalit të mbledhur për të gjitha produktet. Pra, “ari i zi”, konsiderohet me rëndësi në totalin e të ardhurave, por fatkeqësisht, për shtetin shqiptar vërehet rënie. Kjo nuk ka lidhje me prodhimin vendas, i cili disa vite më parë mbante 30 për qind të tregut. Sipas shifrave, karburantet e prodhuara në vend kanë gjeneruar të ardhura në vlerën e 1.3 miliardë lekëve, ose 65 për qind më pak se 2011. Pra, duket qartë se prodhimi vendas nuk ka mbushur diferencën minus nga importet, në rast se merrnim të mirëqenë se importet ranë për shkak se u prodhua më shumë në vend.
Vetëm nga akciza e karburanteve, dogana ka mbledhur rreth 3.4 miliardë lekë më pak se 2011, ose 13.8 për qind më poshtë.
Një shpjegim lidhet me rritjen e çmimit të karburanteve, me të paktën 15-20 për qind në tre vitet e fundit, si pasojë e politikave të brendshme të rritjes së taksave dhe bursave (përfshi edhe ndonjë manovër të fiksimit të çmimeve).
Konsumatorët janë përballur me çmime të naftës dhe benzinës afër 200 lekë për litër gjatë gjithë vitit 2012, ndërsa tani në 2013 këto çmime kanë rënë në 180-185 lekë për litër.
Dyshime ka edhe për kontrabandën, për atë çfarë raportojnë realisht kompanitë. Vitin e kaluar, tatimet ishin në gjyq me një kompani importuese për skemën që krijonte për shitjen e karburantit, që në fakt duhet të shkonte për efekt investimi.

Gazeta Shqip, 18.05.2013