Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fillon ndërtimi i HEC-it të Banjës, së shpejti Shqipëria eksportuese e energjisë

– Hidrocentralit të Banjës, i cili ndërtohet nga kompania norvegjeze Statkraft, është i pari hidrocentral që ndërtohet mbi kaskadën e Devollit. Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga 3 hidrocentrale: Banjë, Kokël dhe Moglicë, një investim me vlerë 1 miliardë euro
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës, në Gramsh, nga kompania norvegjeze Statkraft. Ky është i pari nga hidrocentralet që ndërtohet në kaskadën e lumit Devoll dhe përbën 20 përqind më shumë energji nga prodhimi ekzistues, si edhe mbulon nevojat për energji të 150 000 familjeve. Gjithashtu, ky investim sjell përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese të komuniteteve përreth, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga 3 hidrocentrale: Banjë, Kokël dhe Moglicë. Hidrocentrali (HEC) i Banjës, i pari nga hidrocentralet që do të ndërtohen mbi strukturat ekzistuese të papërfunduara, do të ketë një lartësi dige prej rreth 80 metrash. Liqeni do të ketë një sipërfaqe prej rreth 14 kilometër katror dhe kapaciteti i instaluar i HEC Banjë do të jetë rreth 65 MW.
Njëkohësisht, kanë nisur punimet për dy segmente rrugore, të cilat do të lidhin digën e Banjës me akset rrugore ekzistuese dhe, gjithashtu, fillojnë edhe punimet e linjës së transmetimit 35 kilovolt, Mjekës – Banjë. Kjo do të jetë jo vetëm për të transmetuar energjinë e prodhuar nga hidrocentrali i Banjës, por mund të përdoret edhe si rrjet shpërndarës për të gjithë zonën e Gramshit.
Kryeministri Berisha shprehu entuziazmin për këtë investim, të një prej kompanive më në zë në fushën e energjetikës në Evropë dhe në botë. “Prania e Statkraft në Shqipëri është ftesa më e shkëlqyer për kompanitë norvegjeze, por edhe ato të gadishullit Skandinav, për të parë me interes të veçantë potencialet e investimeve në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha u zotua se qeveria gjatë mandatit të ri do të përmirësojë edhe më tej klimën e biznesit. “Të gjithë zërat e taksave të larta apo zërat që synojnë të cenojnë klimën e biznesit do të mbeten si zëra të thatë në shkretëtirë”, tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se do të jetë e afërt dita kur Shqipëria, me rezervat e saj ujore, do të shndërrohet në një vend lider për prodhimin e energjisë ujore në rajon.
Investimet e qeverisë në qarkun e Elbasanit gjatë këtyre tetë viteve arrijnë vlerën 670 milionë dollarë. Vetëm në infrastrukturën rrugore janë investuar 375 milionë dollarë dhe janë ndërtuar gjithsej mbi 750 kilometër rrugë, prej të cilave 194 kilometër janë rrugë nacionale, 400 kilometër janë rrugë rurale dhe 156 kilometër rrugë rajonale. Kjo infrastrukturë ka krijuar lehtësi në transportin e prodhimeve në këto zona, ka gjallëruar zhvillimin rural dhe ka shkurtuar ndjeshëm kohën e lëvizjes. Gjithashtu, po përfundon së ndërtuari autostrada Tiranë – Elbasan, rruga Librazhd – Peshkepi dhe këtë vit fillon ndërtimi i rrugës Banjë – Elbasan, rruga Gramsh – Maliq dhe do të vazhdoje Boshti i Jugut.
Në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 186 shkolla e kopshte dhe është rikonstruktuar universiteti, investime me vlerë 30 milionë dollarë. Gjithashtu, janë ndërtuar 61 ambulanca e qendra shëndetësore, investime me vlerë 13 milionë dollarë. Mbi 4 milion dollarë janë investuar për ndërtimin e spitalit të ri të kirurgjisë dhe maternitetit të Elbasanit. Rreth 4 milionë dollarë janë investuar në 59 sisteme ujësjellës e kanalizimesh.
Në bujqësi, në këtë qark, janë subvencionuar 4000 ha në ullinj, vreshtari, dru frutor, bimë are e sera. Nga këto subvencione, të cilat janë 30 herë më shumë se ne periudhën e qeverisë socialiste, kanë përfituar 5060 fermerë e blegtorë.
Sa i përket energjetikës, janë investuar mbi 150 milionë euro në përmirësimin e sistemit të energjisë elektrike. Gjithashtu, janë në ndërtim 8 HEC-e lokale.
Janë investuar 37 milionë lekë në kualifikimin dhe nxitjen e punësimit të 6100 personave.
Bizneset, si rrjedhoje e politikave të taksave të ulëta dhe investimeve, janë rritur dy here. Në vitin 2012 janë 9600 biznese, nga 5140 biznese që ishin në vitin 2005.
Në vitet në vazhdim qeveria mbetet e angazhuar për të shndërruar qarkun e Elbasanit në një qendër të madhe universitare, turistike, energjetike, me ekonomi dhe bujqësi të zhvilluar, me industri të lehtë dhe agro-përpunuese. Gjithashtu, do të rriten investimet edhe në shërbimet publike: do të ndërtohet ujësjellësi i ri dhe rrjeti i kanalizimeve me impiantin përpunimit biologjik të ujërave të zeza, në mënyrë që të marrë fund ndotja e lumit Shkumbinit. Gjithashtu, do të ndërtohet landfilli për përpunimit e mbeturinave; bypassi i Elbasanit; ndërtimi i kampusit të ri universitar; integrimi i plotë urban i qytetit me periferinë e tij; ndërtimi i parkut rekreativ te Krastës; parku rajonal për banoret e zonës. Gjithashtu, rruga e Krastës po ndërtohet. Qeveria do të mbështesë agrobiznesin dhe industrinë e lehtë e fason. Për këtë do të rriten subvencionet në bujqësi dhe do të kreditohet agroindustria; do të thellohet politika e taksave të ulëta; do të promovohet turizmi për të gjitha zonat turistike të qarkut dhe rritjen e standardeve të shërbimeve turistike dhe tregtare.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
E dashur znj, Tima Iyer, Zv/Presidente e kompanisë “Statkraft”,
Të dashur drejtues, inxhinierë, teknikë të kompanisë “Statkraft”,
Zoti nënkryetar i Parlamentit,
Zotërinj ministra dhe deputetë,
Të dashur qytetarë të komunës Gostinë dhe të komunave përreth, të mbledhur sot në një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, në fillimin e punimeve parapërgatitore për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës nga kompania më e madhe e kësaj fushe në Evropë dhe në botë, kompania më e suksesshme në fushën e hidro-energjisë në Evropë dhe në botë, gjigandi i kësaj fushe, “Statkraft” i Norvegjisë. Kjo është kompani publike e mirënjohur në mbarë botën për standardet e saj të shkëlqyera dhe eficiente të ndërtimit edhe menaxhimit të hidrocentraleve. Ajo është e mirënjohur në mbarë botën për standardet e saj sociale.
Kompania “Statkraft” zbarkon sot këtu në Gramsh e vendosur të bëjë histori në këtë vend me ndërtimin e kaskadës së Devollit, investimin më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë, investimin më të madh në historinë e hidro-energjetikës së vendit.
Kaskada e Devollit, e tërë trajektorja e saj, do të njohë zhvillime që i ka pritur në dekada dhe shekuj. Vepra që ndërtohet e shndërron Shqipërinë nga importues i energjisë elektrike në një vend eksportues të energjisë elektrike. Vepra që ndërtohet, për disa vite do të jetë ndër gjeneratorët më kryesorë të punësimit të qytetarëve të Gramshit, të Elbasanit. Direkt edhe indirekt në funksion të kësaj vepre do të punësohen jo më pak se 5 mijë qytetarë shqiptarë.
Zonja dhe zotërinj,
Statkraft është një gjigand publik. Unë, me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për qeverinë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Kryeministrin Norvegjez për inkurajimin edhe mbështetjen që i kanë bërë kompanisë Statkraft, duke dëshmuar së bashku me këtë kompani një besim të madh ndaj Shqipërisë, ndaj reformave të saj, ndaj përpjekjeve të këtij vendi për një klimë sa më miqësore për biznesin dhe duke dëshmuar, gjithashtu, vullnetin për të ndihmuar shqiptarët në rrugën e tyre të zhvillimit, në rrugën e tyre të shndërrimit të këtij vendi në një vend të zhvilluar.
Ne e garantojmë kompaninë se do të bëjmë gjithçka për suksesin e kësaj vepre të madhe, kësaj vepre që përbën një kthesë madhore në historinë e energjetikës shqiptare. Ne jemi të bindur se prania e Statkraft në Shqipëri është ftesa më e shkëlqyer për kompanitë norvegjeze, por edhe ato të gadishullit Skandinav, për të parë me interes të veçantë potencialet e investimeve në Shqipëri.
Shqipëria është vend i vogël, por ja që në një nga luginat e lumenjve të saj zbarkon kompania numër një e botës në ndërtimin e hidrocentraleve, dëshmi e faktit se pavarësisht nga harta potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme. Kaskada të tjera presin kompani të mëdha, si Vjosa, Skavica.
Ne garantojmë Statkraft-in dhe të gjitha kompanitë e hidro-energjisë se janë shumë të mirëpritura. Vetëm gjatë muajve të fundit, ne vendosëm të heqim TVSH-në për të gjitha makineritë, për çelikun dhe çimenton që përdoret në ndërtimin e hidrocentraleve. Ne jemi të bindur se është e afërt dita kur Shqipëria me rezervat e saj ujore do të shndërrohet në një vend lider për prodhimin e energjisë ujore në rajon.
Të dashur miq,
Zbarkimi i Statkraft-it në Shqipëri është rezultat i padiskutueshëm i suksesit të reformave të qeverisë shqiptare, sukses i cili ka vendosur Shqipërinë në vendin e 18-të më të mirë për sa i përket klimës për investitorët e huaj. Unë zotohem sot këtu se qeveria do të bëjë gjithçka që gjatë mandatit të ri të përmirësojë më tej klimën e biznesit. Të gjithë zërat e taksave të larta apo zërat që synojnë të cenojnë klimën e biznesit do të mbeten si zëra të thatë në shkretëtirë.
Zonja Tima tha këtu se u desh kohë për të përgatitur çdo detaj të ndërtimit të kësaj vepre, e cila ndoshta sot mund të jetë edhe më e madhja e kësaj fushe në Evropë. Në këtë proces, kompania austriake i shiti të gjitha aksionet te Statkraft e Norvegjisë dhe kjo përbën një fuqizim më të madh në potencialin e ndërtimit të kësaj vepre, e cila është e një rëndësie jetike. Dua të shpreh mirënjohjen time të më thellë ndaj kësaj kompanie për vendimin për të ndërtuar këtë vepër në të gjithë gjatësinë e kaskadës së Devollit, më e komplikuara, më e rëndësishmja në historinë e energjetikës shqiptare. Unë i siguroj miqtë se do të bëjmë gjithçka për një klimë edhe më të mirë të investimeve. Unë kam pasur me ta biseda shumë mbresëlënëse dhe jam impresionuar nga vullneti i tyre për t’u paraqitur banorëve të Gramshit, jo vetëm transparencën më të madhe në veprimet e tyre, por edhe dimensionin social të kësaj kompanie, për të ndihmuar komunitetet, në mënyrë që të begatojë më shumë.
Kjo do të mbetet një ditë e madhe besimi ndaj Shqipërisë, një ditë e shënuar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, në historinë e biznesit shqiptar, në historinë e energjetikës shqiptare.

energjia.al, 13.05.2013