Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria e rëndë rrit përkushtimin ndaj mbrojtjes së mjedisit

Komiteti i Industrisë së Rëndë, organ i përbashkët i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike të Kosovës, në partneritet me Rrjetin e Përgjegjësisë Sociale Korporative (CSR) të Kosovës organizuan një tryezë për të diskutuar mbi rolin dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit, posaçërisht të industrisë së rëndë në Kosovë. 
Gjatë tryezës u debatua mbi masat e nevojshme që kompanitë e këtij sektori duhet të ndërmarrin për të plotësuar normat e duhura mjedisore.
Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Shpëtim Rudi theksoi se objektivi i Ministrisë së Mjedisit është që të ndajë zhvillimin ekonomik të bizneseve nga dëmet mjedisore që shkaktojnë aktivitetet e tyre, duke siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, pa komprometuar aftësinë konkurruese të biznesit.
Udhëheqësi i Departamentit të Politikave të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Visar Hapçiu foli për mundësitë dhe mësimet e nxjerra nga investimet e kompanive ndërkombëtare në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se investimet e kompanive të industrisë së rëndë për mbrojtjen e mjedisit ndihmojnë në bërjen e procesit të gjenerimit të energjisë më pak të dëmshëm përmes përdorimit të materialeve alternative, por në të njëjtën kohë edhe të reduktojnë sasinë e nevojshme të energjisë për prodhim.
Drejtor i Qendrës Rajonale Mjedisore, Agron Bekteshi, foli mbi sfidat dhe rolin e shoqërisë civile mjedisore në Kosovë si dhe mbi fushat e ku duhet të veprohet në mënyrë që të forcohet ndikimi i shoqërisë civile në qeverisjen mjedisore.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komitetit të Industrive të Rënda, Ylber Burgija, theksoi se mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit është një ndër përgjegjësitë më të mëdha te një shoqërie duke konsideruar se shoqëria e gjerë përbëhet prej faktorëve të ndryshëm, si atyre civil, publik, privat e të tjerë, prandaj bashkëpunimi i ndërsjellët në mes të këtyre faktorëve është një parakusht dhe domosdoshmëri për kultivimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndoshë për të gjithë.
Anëtari i Bordit të Rrjetit CSR të Kosovës, Lekë Musa, theksoi se mbrojtja e mjedisit është njëra nga shtyllat dhe objektivat kryesore të përgjegjësisë sociale korporatave në përgjithësi dhe të të Rrjetit CSR të Kosovës dhe se kompanitë anëtare të këtij rrjeti mbesin të përkushtuara për realizimin e këtyre objektivave.
Nga të pranishmit u theksuan si pozitive investimet e viteve të fundit të bëra nga ndërmarrjet kosovare të industrisë së rëndë si Korporata Energjetike e Kosovës, Ferronikeli, Sharrcem në instalimin e pajisjeve të teknologjisë më të pastër, me qëllim të reduktimit të ndikimeve negative në mjedis.

Agjensia e Lajmeve Ekonomia, 07.05.2013