Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria e makinave, gara për elektrifikimin ka nisur

Prodhuesit botërorë të makinave kanë bërë të ditur planet për makinat elektrike në Shfaqjen Ndërkombëtare të Makinave në Detroit për këtë vit.

Gara për të fituar tregun e makinave elektrike ka nisur, ndërkohë që Ford, Volkswagen dhe Cadillac, kanë premtuar se do të prodhojnë disa modele të vetat në vitet e ardhshme.

Shfaqja e Makinave në Detroit përfshiu disa makina spektakolare, nga kamionët e mëdhenj e deri te disa prej makinave më të shpejta që janë prodhuar ndonjëherë.  Megjithatë, vëmendja për këtë vit u përqendrua te makina që nuk ishin fare aty.

Shumë prej prodhuesve më të mëdhenj të makinave pritet së shpejti të prezantojnë disa modele te reja të makinave elektrike.

Cadillac do të lançojë makinën e parë elektrike në vitin 2021, ndërsa Lincoln dhe Ford kanë premtuar opsione elektrike në modelet e ardhshme.

ID Crozz e Volkswagen do të nisë prodhimin këtë vit dhe kompania ka premtuar se do të sjellë 15 modele elektrike në tregjet globalë deri në 2025-n, gjë që u konfirmua nga zv/presidenti i njësisë elektrike të Volkswagen, Mathew Renna.

“Objektivi ynë është që të orientojmë njerëzit drejt makinave elektrike.  Koncepti i kësaj është që kur ne të industrializojmë këtë platformë në masë, ne do të krijojmë një pozitë të vendosjes së çmimeve që do të jetë bindëse për konsumatorët”, tha Mathew Renna.

Të vetmet makina elektrike të prezantuara në shfaqjen e këtij viti ishin koncepte, si “Entranze” nga prodhuesi kinez GAC dhe “IMs” nga Nissan.

Pavarësisht përpjekjeve të Infiniti për makinën e parë elektrike, modeli “QX inspiration” dështoi të dalë në skenë. Presidenti i firmës, Christian Meunier, tha se ka për objektiv tregun kinez.

“Të gjithë prodhuesit në Kinë,  përfshirë ata vendas, janë të parët në garën e elektrifikimit. Ka një nismë të madhe drejt stacioneve të karikimit dhe infrastrukturës. Ata do të japin të gjithë arsyet racionale që njerëzit të blejnë makinat elektrike”, Christian Meunier.

Është ende e paqartë nëse infrastruktura në shumë vende është gati për një ndryshim në masë drejt makinave elektrike. Megjithatë, industria e makinave duket se është e gatshme për një ndryshim radikal në vitet e ardhshme.

Scan,  18.01.2019