Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shitjet, forcohet industria nxjerrëse

Indeksi i shitjeve në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare u rrit me 9.4% në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, rritja e lartë e shitjeve u mbështet sidomos nga rimëkëmbja në segmentin e industrisë nxjerrëse.

Sipas INSTAT, shitjet në industrinë nxjerrëse u rritën me 35 % ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë, të mbështetura nga rritja e çmimit të lëndëve të para, me përfitime sidomos në industrinë e nxjerrjes së naftës.

Ndërkohë, industria përpunuese për tremujorin e parë shfaqi një rritje të dobët me vetëm 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, indeksi i shitjeve pësoi rënie në energjetikë, me afro 16% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky sektor, që mbështetet tërësisht te hidrocentralet, me sa duket, ka vuajtur rënien e prodhimit për shkak të prurjeve të pakta të lumenjve.

Sektori i ndërtimit edhe për tremujorin e parë është rritur me ritme të larta. Indeksi i shitjeve u zgjerua me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, i mbështetur sidomos nga investimet në projekte inxhinierike, por edhe nga një rritje e investimeve publike në infrastrukturë.

Ndërsa dega me peshën më të lartë në ekonominë shqiptare, ajo e shërbimeve, për tremujorin e parë regjistroi një rritje vjetore modeste me 2.7%. Të dhënat e shitjeve për tremujorin e parë tregojnë se rritja mbetet e segmentuar, sidomos te industria nxjerrëse dhe ndërtimi.

Ndërkohë, dy degët me peshë më të lartë në ekonomi, shërbimet dhe sidomos industria përpunuese shfaqin një rritje më modeste. Kjo dëshmon se përtëritja e ekonomisë ende nuk është shumë e qëndrueshme dhe uniforme.

Scan Tv,  16.06.2017