Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ngec privatizimi i 4 HEC-eve, Kurum kërkon rimbursim

Të ardhurat nga privatizimet e 4 hidrocentraleve ende nuk janë arkëtuar në buxhet. Burime nga Ministria e Financave thanë për TV SCAN se, sipas afateve ligjore këto ditë duhet të arkëtohej nga kompania fituese e tenderit, turkja “Kurum”, fondi i përfituar nga privatizimi i 4 hidrocentraleve prej 109.5 milionë euro. Ndërkohë, negociatat me këtë kompani kanë ngecur, pasi turqit kërkojnë rimbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar, të akumuluar në vite nga administrata tatimore.
Aktualisht, vlera e njohur e TVSH-së së parimbursuar për këtë kompani arrin në 3 miliardë lekë. Burime nga grupi negociator, i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, bëhët e ditur, se “Kurum” ka kërkuar që në momentin që të arkëtojë vlerën 109,5 milionë euro për llogari të qeverisë shqiptare, t’i rimbursohet vlera e njohur e TVSH. Por, për të realizuar këtë kërkesë të “Kurum”, nuk ka asnjë bazë ligjore, vetëm nëse ndërhyhet me vendim të Këshillit të Ministrave, sqarojnë burimet e mësipërme.
Ndërkohë, në bazë të një vendimi, pak kohë më parë është marrë një hua paraprake, që do të shlyhet në momentin që fondi i privatizimit të arkëtohet. Ky fond u përdor për ulje të borxhit publik dhe për investime. Afro dy muaj më parë Kuvendi miraroi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke “Kurum” kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës.

TV Scan, 29.04.2013