Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari – Rishikim i projektit të Rrjedhjes së Jugut

Kryeministri i qeverisë teknike të Bullgarisë, Martin Rajkov, bëri thirrje për një analizë të thellë të projektit të tubacioneve të gazit në Rrjedhën e Jugut, sponsorizuar nga rusët.
Duke folur në një takim të rregullt të qeverisë teknike, kryeministri Rajkov shprehu shqetësimin e tij mbi projektin.
“Ne kemi nevojë ta shqyrtojmë në detaje këtë projekt investimi, duke qenë se ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka disa çështje të ndjeshme rreth tij”, ka deklaruar ai, duke i kërkuar ministrave të organizojnë një tryezë të rrumbullakët lidhur me këtë çështje.
Këto çështje të ndjeshme “përfshijnë faktorë të tillë si konkurrenca në rritje dhe interesat e ‘zbehura’ europiane në furnizimet e gazit rus, që tashmë kanë bërë që një numër ekspertësh të vënë në dyshim rentabilitetin e tubacionit”.
Përveç kësaj, përpjekja e Rusisë për të shmangur kalimin nëpër territorin e Ukrainës me çdo kusht, mund të aludojë në një qasje thjesht politike se sa biznesi të orientuar ndaj projektit.
Tubacioni i Rrjedhës së Jugut është i llogaritur të transportojë deri në 63 miliardë metra kub të gazit natyror në Europën Qendrore dhe Jugore, duke diversifikuar rrugët e gazit rus larg nga vendet transite si Ukraina. Ndërtimi filloi në dhjetor të vitit 2012 në Rusi.
Tubat do të shkojnë nga Rusia në Bullgari nëpërmjet Detit të Zi; në Bullgari do të ndahen në dy pjesë – me kahun verior që kalon nëpër Serbi, Kroaci, Hungari, Slloveni dhe në Austri dhe pjesën veriore të Italisë dhe kahun jugor, që kalon nga Greqia për në Italinë e Jugut.
Tubacioni pritet të kushtojë minimumi 16 miliardë euro, nga të cilat 3 miliardë euro duhet të paguhen nga Bullgaria dhe financohen nga një kredi nga Rusia. Kredia do të ripaguhet nga Bullgaria, duke hequr dorë nga tarifat e transitit për 15 vjet.
Aksionerët kryesorë të tubacionit përfshijnë “Gazprom” me 50 për qind, “Eni” e Italisë dhe “Wintershall Holding” e Gjermanisë dhe EDF e Francës.
Rrjedha e Jugut pritet të sigurojë furnizimet e para me gaz më parë se viti 2015 dhe të arrijë kapacitetin e plotë në vitin 2018, duke siguruar 10 për qind të furnizimit me gaz për Europën.

Revista Monitor, 27.04.2013