Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria bën të gjitha “detyrat e shtëpisë” për gazsjellësin TAP

Qeveria shqiptare bën të gjitha “detyrat e shtëpisë” në lidhje me projektin e gazsjellësit TAP dhe është në pritje të vendimit që do të marrë në qershor konsorciumi Shah Deniz. Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar me konsensus edhe marrëveshjen që plotëson kuadrin ligjor dhe institucional për këtë projekt me kompaninë realizuese Trans Adriatic Pipeline AG.
“Në këtë mënyrë ne kompletojmë në mënyrë të plotë, pothuajse, të gjithë kuadrin institucional dhe juridik porsa i përket realizimit të këtij projekti, në lidhje me shtetin shqiptar dhe për shtetin shqiptar. ndërkohë vazhdon bashkëpunimi dhe të gjitha punët porsa i përket aspekteve teknike.”- deklaroi Stavri Dhima, përfaqësues i METE-s.
Projekti parashikohet të kapë investime në vlerën e 1 miliard eurove dhe të gjenerojë rreth 20 mijë vende të reja pune. Ndërkohë, ende nuk dihet se sa do të jetë shuma e dëmshpërblimit të qytetarëve që do të preken nga gjurma e gazsjellësit.
“Nuk ka një vlerësim, por sipas tarifave që ekzistojnë në të 35 komunat dhe bashkitë në të cilat kalon korridori i projektit TAP. Dhe këtu është përcaktuar që nga boniteti i tokës dhe deri tek prodhueshmëria e saj. ”- u shpreh Dhima.
Në muajin qershor, konsorciumi Shah Deniz pritet të marrë një vendim për projektin që do të transportojë gaz nga Kaspiku në Europë. Në garë janë dy projekte, Nabucco dhe Trans Adriatic Pipeline. Nga ky i fundit përfiton Shqipëria si vend tranzit.

www.balkanweb.com, 12.04.2013