Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hec-et, paratë nuk janë derdhur në arkën e shtetit

Paratë për privatizimin e 4 hidrocentraleve ende nuk janë derdhur në arkën e shtetit. Burime konfidenciale nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë të ditur për RTV SCAN se, kompania fituese e tenderit që u zhvillua në muajin Dhjetor ende nuk ka kryer transaksionin financiar. Pas miratimit të tenderit nga qeveria, Ministria e Ekonomisë nënshkroi marrëveshjen me kompaninë “Kurum sha” për kalimin e 100% të aksioneve në zotërim në një vlerë prej 109.5 milionë euro.
Marrëveshja për privatizimin e hidrocentraleve u miratua me 73 vota në Kuvend në datë 4 Mars dhe që nga kjo periudhë, kompania fituese ka afat 45 ditë kohë për të përmbyllur transaksionin me qeverinë shqiptare. Nga ana tjetër, qeveria për të mbuluar shpenzimet e saj dhe për të rritur investimet, gjatë këtij muaji ndërmori një ndryshim në ligjin për buxhetin e shtetit nga ku mund të marrë hua nga bankat tregtare në vlerën e 12 miliardë lekëve. Si garanci për shlyerjen e kësaj huaje, qeveria ka vënë paratë që do të marrë nga privatizimi i hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz.
Huaja nga qeveria nuk është marrë ende, ndërsa kompania fituese ka afat deri në datë 20 Prill për të derdhur paratë për privatizimin e hidrocentraleve. Ministria e Ekonomisë, pas disa dështimesh për shitjen e këtyre hidrocentrale, më datë 21 Dhjetor të vitit të kaluar realizoi tenderin për privatizimin e tyre. Nga të tetë kompanitë pjesëmarrëse, “Kurum sha” ofroi vlerat më të larta, 52 milionë euro për hec Bistrica 1 dhe 2 dhe 57 milionë e 500 mijë euro për hec-et Shkopet-Ulëz. Kjo kompani, kërkoi që vlerës totale së ofertuar të zbritej TVSH e rimbursueshme nga aktiviteti I saj ekonomik gjatë vitit që lamë pas në vlerën 1.3 milionë euro. Edhe pse mbështetja nga administrate tatimore ishte e menjëhershme  për zbritjen e kësaj vlere nga totali I ofertës, duke bërë ndryshimet e mundshme në marrëveshjen e privatizimit, kompania ende nuk ka derdhur paratë.

TV Scan, 30.03.2013