Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohen me procedurë të përshpejtuar ndryshimet e kontrates se HEC-it Devollit

Kryeministri Berisha sot në mbledhjen e qeverisë: Vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve
Kryeministri Berisha u ndal sot në  njërin prej projektligjeve të rendit të ditës i cili konkretisht është projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet METE, si autoritet kontratues dhe EVN AG, Statkraft as the Devoll Hydropower, sh.a, si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektiti të HE, në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.
Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri shpjegoi se kompania austriake EVN, i ka shitur aksionet e Kaskadës së Devollit, kompanisë norvegjeze “Statkraft”, kompani kjo numër 1, në të gjithë botën për ndërtimin e HEC-ve jashtë vendit të vet, numri 1 në Evropë, për HEC që menaxhon dhe drejton në Norvegji, mbi 200 të tilla.
Kryeministri theksoi se ndërtimi i HEC-ve është një proces i cili gjeneron me mijëra vende pune, ashtu siç është faktuar nga viti 2007 e deri më sot, kohë në të cilën qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve, në mbarë vendin. “Unë mund tu them se gjatë këtyre viteve janë punësuar dhe paguar rreth 50 mijë punonjës, inxhinierë, teknikë  dhe punonjës të tjerë në fushën e studimit, projektimit dhe me gjerë. Dhe këto HEC-e kanë punësuar shqiptarë në zona më të varfëra të vendit, nga Vithkuqi, në Martanesh, në Lurë, në Luginën e Drinit dhe kudo në Dardhë, pra në zona nga më të thellat.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri bëri të ditur se me Kaskadën e Devollit, do të punësohen së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë, duke  e bërë atë veprën më gjigande në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se me nisjen vitin e ardhshëm, të dy projekteve gjigande, Kaskadës  së Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi qeveria parashikon të dyfishojë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve. Kryeministri gjithashtu theksoi se në cdo sektor do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete.
Lidhur me këtë projektligj, kryeministri u shpreh:
“Sot, në rendin e ditës kemi një seri projektvendimesh dhe projektligjesh shumë të rëndësishme. Njëri prej tyre është një projektligj që ka të bëjë me ndryshimin e kontratës së kompanive ndërtuese të Kaskadës së Devollit. Siç është marrë vesh gjatë javës që shkoi , kompania austriake EVN, i ka shitur aksionet e Kaskadës së Devollit, kompanisë norvegjeze “Statkraft”, kompani kjo numër 1 në të gjithë botën për ndërtimin e HEC-ve jashtë vendit të vet, numri 1 në Evropë, për HEC që menaxhon dhe drejton në Norvegji, mbi 200 të tilla. Marrëveshja midis dy kompanive është në përputhje të plotë me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare dhe “Statkraft” e Norvegjisë ka treguar vullnet për të filluar punimet në Kaskadën e Devollit, në mënyrë të pandërprerë, sapo të bëhet formalizimi i këtyre ndryshimeve nga qeveria dhe parlamenti shqiptar.
Zonja dhe zotërinj, ministra, të dashur qytetarë të vendit,
Pas 30 vitesh ndërprerje të plotë të ndërtimit të HEC-ve viti 2007 e këtej shënon një epokë tjetër në këtë drejtim dhe nga 2007 e në vazhdim, qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve. Dhjetëra prej tyre kanë përfunduar ose janë në ndërtim. Ndërtimi tyre është një proces që gjeneron me mijëra e mijëra vende punë. Unë mund tu them se gjatë këtyre viteve janë punësuar dhe paguar rreth 50 mijë punonjës, inxhinierë, teknikë  dhe punonjës të tjerë në fushën e studimit, projektimit dhe me gjerë. Dhe këto HEC-e kanë punësuar shqiptarë në zona më të varfëra të vendit, nga Vithkuqi, në Martanesh, në Lurë, në Luginën e Drinit dhe kudo në Dardhë, pra në zona nga më të thellat. Por punësimi masiv në HEC fillon me Kaskadën e Devollit, e cila dom të punësojë së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe në fakt ajo është vepra më gjigande në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Është investimi më i madh në sektorin privat, në historinë e vendit. Sektori privat (investimet  e huaja) në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliard e 200 milion dollarë. Ndërsa, sektori privat vendas  në këto 4 vite ka investuar në Shqipëri minimumi 6 miliard dollarë. Pra në tërësi gjatë 4 viteve që shkuan janë investuar në tërësi rreth 12 miliard, me të cilat janë krijuar përafërsisht 200 mijë vende punë. Por në vitet që vijnë projekti ynë parashikon që Shqipëria për investimet  e huaja direkte të arrije kapacitetin e saj.
Në vitin 2012, Shqipëria mori më shumë se kapacitet, por Shqipëria duhet të rrisë më shumë kapacitetin për të marrë. Projekti ynë është që rritja graduale të finalizohet me 2 miliardë dollarë investime të huaja në vit dhe kjo është plotësisht e mundshme. Vitin e ardhshëm në Shqipëri do të nisin dy projekte gjigande, kaskada  e Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik. Qeveria ka gjithçka gati për kaskadën e Vjosës dhe Skavicën. Pra, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në katër vitet që vijnë numrin e të punësurve , pra jo 15 mijë, por të jenë së paku 30 mijë qytetarë në ndërtimin e HEC-ve, në ndërtimin e gazsjellësit, në ndërtimin e projekteve të tjera energjetike.

VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA   DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 10083, DATË 23.2.2009, “PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS,  SI AUTORITET KONTRAKTUES, DHE EVN AG, STATKRAFT AS  E DEVOLL HYDROPOWER, SH.A., SI BASHKËKONCESIONARË PËR PROJEKTIMIN, FINANCIMIN, NDËRTIMIN, MARRJEN  NË PRONËSI, SHFRYTËZIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE TRANSFERIMIN E PROJEKTIT TË HIDROCENTRALIT NË LUMIN DEVOLL, NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, me propozim të zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10083, datë 23.2.2009, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS e Devoll Hydropower, sh.a., si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar,  në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

PROJEKTLIGJ PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10083, DATË 23.2.2009, “PËR MIRATIMIN E KONTRATËS  SË KONCESIONIT NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS, SI AUTORITET KONTRAKTUES,  DHE EVN AG, STATKRAFT AS E DEVOLL HYDROPOWER, SH.A., SI BASHKËKONCESIONARË PËR PROJEKTIMIN, FINANCIMIN, NDËRTIMIN, MARRJEN NË PRONËSI, SHFRYTËZIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE TRANSFERIMIN E PROJEKTIT TË HIDROCENTRALIT NË LUMIN DEVOLL, NË REPUBLIKËN  E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 dhe 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Neni 1
Miratimin e shtesës së dytë të “Kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower, sh.a., si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë”, e lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe EVN AG, Statkraft AS e Devoll Hydropower sh.a., si bashkëkoncesionarë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Importi dhe furnizimi brenda vendit i mallrave dhe shërbimeve që lidhen me projektin e hidrocentralit në lumin Devoll gjatë fazës së parandërtimit dhe fazës së ndërtimit (siç janë përkufizuar në kontratën e koncesionit, të ndryshuar), do t’i nënshtrohen regjimit specifik të tatimit mbi vlerën e shtuar, siç përcaktohet në shtesën e dytë të kontratës së koncesionit. Dispozitat e legjislacionit të përgjithshëm për tatimin mbi vlerën e shtuar nuk do të zbatohen nëse vijnë në kundërshtim me regjimin specifik të tatimit mbi vlerën e shtuar, të përcaktuar në shtesën e dytë të kontratës së koncesionit.
Neni 3
Ngarkohet Ministria e Financave që, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzim për zbatimin e nenit 2, të këtij ligji, si dhe të dispozitave të shtesës së dytë të kontratës së koncesionit, që lidhen me regjimin specifik të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA  TOPALLI (ÇOBA)

energjia.al, 20.03.2013