Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Katër pyetje dhe përgjigje për privatizimin e HEC-eve

ENO BOZDO – Debati i fundit politik për procesin e privatizimit të katër HEC-ve tregon që në rastin më të mirë opozita, çështjen e privatizimeve strategjike dhe të koncesioneve ka vendosur (prej shumë kohësh) ta trajtojë në rrafshin ideologjik dhe jo në atë të argumenteve ekonomike.
Prej kohesh Partia Socialiste dhe kryetari i saj, z. Rama, ka “denoncuar”, pa humbur asnjë rast, të gjitha koncesionet, privatizimet strategjike dhe të zakonshme, duke i cilësuar ato en block, si të korruptuara, klienteliste dhe që nuk përfaqësojnë interesin publik. Në të njëjtën kohë, nuk ka ofruar asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e saj.
Përbaltja e këtyre reformave nga ana e eksponentëve të PS, reforma të cilat i kanë dhënë një frymëmarrje të madhe ekonomisë shqiptare, nuk është e rastit. Ashtu siç nuk janë të rastit thirrjet kërcënuese kundrejt investitorëve, duke i paralajmëruar ata që do të ndëshkohen në qoftë se bëhen pjesë e tyre.
Në këtë kontekst, mendoj se Partisë Socialiste i mungon kuraja të deklarojë se problemi i saj i madh me privatizimet dhe koncesionet nuk qëndron aspak te fakti i  “problematikës ekonomike të procesit”, “mungesës së transparencës” apo “klientelizmit” të tij, por në përqasjen ideologjike ekstremisht të majtë që PS së fundmi ka përqafuar.
Në artikullin e mëposhtëm mundohem të argumentoj se përse asnjë pretendim i opozitës për ketë proces nuk qëndron dhe përse logjika e privatizimit është e mbështetur plotësisht të argumente të forta ekonomike.
1.    Përse duhet të aplikohet koncepti i privatizimit në sektorin e energjisë elektrike?
Sot në botë, të gjitha vendet e zhvilluara nxisin dhe mbështesin pjesëmarrjen e sektorit privat në gjenerimin e energjisë elektrike, veçanërisht atë të rinovueshme. Në Shqipëri, koncepti i privatizimit të HEC-ve në pronësi shtetërore ka qenë pjesë e strategjisë së sektorit të energjisë elektrike që prej vitit 2002. Kështu, në vitin 2002, qeveria shqiptare me konsulencën e Bankës Botërore, publikoi një “dokument politikash” përsa i përket sektorit elektroenergjetik. Në ketë dokument, me të drejtë dhe në mënyrë racionale parashikohej ndarja e KESH në ndëmarrje të veçanta, pra në OSSH, OST dhe KESH (gjenerim), si dhe privatizimi i HEC të vogla dhe të mesme, me përjashtim të HEC të mëdha që ndodheshin në kaskadën e Drinit.
Në mars të vitit 2003, qeveria shqiptare miratoi me Vendim të Këshillit të Ministrave, strategjinë e plotë për sektorin elektroenergjetik. Ky dokument gjithashtu parashikonte privatizimin e HEC të vogla dhe të mesme,  me qellim rritjen e investimeve, prodhimin dhe eficiencën e energjisë.
Në zbatim të këtyre dokumenteve, në vitet 2003-2005 u privatizuan rreth 15 HEC të vogla dhe të mesme, si dhe u dhanë me koncesion (një formë privatizimi është edhe kjo) edhe 40 HEC të tjera. Pra, koncepti i privatizimit nuk u “shpik” nga qeveria e sotme. Përkundrazi, ky koncept, me shumë të drejtë, ka qenë prej kohësh pjesë e strategjisë së sektorit elektroenergjetik, siç vazhdon të jetë edhe sot. Në mendimin tim personal, ne duhet të vazhdojmë me privatizimet e HEC të vogla dhe të mesme, të cilat janë ende në pronësi të KESH. Mendoj se përjashtim këtu duhet të bëjë kaskada e Drinit, si kaskadë që duhet të mbahet ende në pronësi shtetërore, për arsye të interesit publik.
Koncesionet gjithashtu janë një formë e veçantë e privatizimit. Duke filluar nga viti 2007, qeveria shqiptare e përdori gjerësisht dhe me shumë sukses këtë instrument për ta bërë Shqipërinë një prodhues të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme në rajon, si dhe për të tërhequr investimet e huaja dhe teknologjinë moderne.
Koncesionet përbëjnë tashmë një dyfishim të kapacitetit të Shqipërisë për të prodhuar energji të rinovueshme elektrike. Pra, nëse mund të bëjmë një parashikim, përpara vitit 2020, Shqipëria do të jetë plotësisht në gjendje të mbuloje kërkesën e saj të brendshme me energji të rinovueshme, madje edhe të eksportojë energji elektrike. Sektori privat do të kontribuojë me rreth 55%-60% të këtij prodhimi. Pra, ne po shkojmë drejt rritjes së ndjeshme të pjesëmarrjes së sektorit privat në prodhimin e energjisë elektrike.
E ardhmja i takon këtij sektori, prandaj ne duhet të përgatisim tregun për ketë.
2. Mos ndoshta duhet që këto HEC-e të ishin me pronësi shtetërore, për hir të një furnizimi të sigurt me energji?
Për t‘iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të marr fillimisht një shembull: supozojmë se produkti për të cilin po flasim nuk është energjia elektrike gruri, me të cilin prodhohet buka. Supozojmë gjithashtu që meqenëse ky produkt është jetësor për mbijetesën e popullatës, një vend si p.sh. Shqipëria vendos që të mbajë në pronësi shtetërore të gjitha tokat bujqësore të saj, për të pasur një prodhim të sigurt të grurit. Por çështja është që edhe vendet e tjera në botë prodhojnë grurë, madje cilësor dhe me çmim mjaft konkurrues. Atëherë, meqenëse gruri mund të blihet kudo në një ekonomi të hapur, është e kuptueshme që vendimi për të mbajtur në pronësi shtetërore çdo tokë bujqësore dhe për ta mbjellë atë me grurë, është irracional.
I njëjti arsyetim mund të përdoret edhe për çështjen e sigurimit të furnizimit me energji elektrike. E vërteta është që Shqipëria, duke filluar nga viti 1996, i është drejtuar gjithmonë importit për të siguruar energjinë e nevojshme elektrike. Ne, duke llogaritur të gjitha burimet së bashku, nuk mbulojmë veçse 65% të nevoja tona për energji elektrike. Pjesën tjetër të energjisë jemi të detyruar ta importojmë. Sot, tregu i energjisë elektrike në Shqipëri është një treg plotësisht i hapur: mund të importosh dhe të eksportosh të gjithë sasinë e energjisë që dëshiron nëpërmjet lidhjes gjithnjë e më të mirë të sistemit me rrjetën ndërkombëtare të transmetimit të energjisë.
Pra, çështja e furnizimit të sigurt me energji elektrike nuk është e lidhur me pronësinë e impianteve gjeneruese. Prandaj, kalimi i HEC-ve në duart e sektorit privat nuk cenon sigurinë e furnizimit me energji elektrike: këto HEC-e përsëri do të prodhojnë dhe do të furnizojnë tregun shqiptar.
Nga ana tjetër, katër HEC-et së bashku përbëjnë vetëm 5% të kapacitetit prodhues të KESH, një shifër kjo thuajse e papërfillshme. Në çastin që këto HEC do të jenë në duart e privatit, ato do të prodhojnë energji elektrike për të furnizuar klientët jotarifore, d.m.th. çmimi i energjisë së tyre nuk do të ndikojë në çmimin final të konsumatorëve familjarë (tarifore). Prandaj, pretendimi se ky privatizim do të rrisë çmimin e energjisë te familjarët nuk është i vërtetë.
Por le ta trajtojmë pyetjen tuaj gjithashtu nën optikën e rritjes së prodhimit dhe të eficiencës së energjisë elektrike. Katër HEC që u privatizuan, por edhe të gjitha HEC në përgjithësi, si rregull e kanë më të lartë prodhimin dhe eficiencën e tyre në duart e privatit, sesa po të administrohen nga shteti. Kjo sepse privati investon më me lehtësi, është më profesionist në menaxhim dhe normalisht është edhe më i interesuar se shteti për të prodhuar maksimumin e energjisë, me eficiencën më të lartë të saj. Si përfundim, këto HEC-e në duar të privatit do të jenë edhe me eficiente duke prodhuar edhe më shumë energji, çka është një kontribut më tepër për sigurimin e furnizimit me energji elektrike.
3. A ishte transparent procesi i privatizimit të katër HEC-eve? Si mund të vlerësohet çmimi i shitjes së tyre?
Opozita, prej disa javësh pretendon se procesi ishte i manipuluar dhe se çmimi i shitjes ishte shumë i ulët. Qesharakja e këtyre pretendimeve qëndron në faktin se këto akuza vijnë vetëm nga opozita, dhe nga asnjë prej njëmbëdhjetë kompanive, të cilat ishin pjesë e procesit të privatizimit.
Akuzat e opozitës nuk çudisin askënd tashmë: në të vërtetë, çdo privatizim, i madh apo i vogël, çdo koncesion, çdo reformë strukturore në përgjithësi, është “stigmatizuar” nga opozita pa fakte dhe pa asnjë provë, si “jotransparent” dhe “i favorizuar”. Ndërkaq, në asnjë rast në Parlament opozita nuk ka kërkuar përmirësim të kontratave të privatizimit apo të koncesioneve. Në asnjë rast nuk ka ofruar prova për të provuar të kundërtën.
Për fat të keq, ky qëndrim është tashmë pjesë e platformës ekonomike dhe ideologjike të opozitës, e cila e ka shpallur qartë qëndrimin e saj për zhbërjen e të gjitha kontratave, sapo ajo të vijë në pushtet.
Le t‘u drejtohemi fakteve:
Së pari, ky ka qenë një proces thellësisht transparent, ku pa asnjë kufizim morën pjesë njëmbëdhjetë kompani konkurrente, dhe ku ofertat ekonomike u lexuan drejtpërsëdrejti në mediat vizive.
Së dyti, fituese u shpall kompania që dha ofertën më të lartë ekonomike.
Së treti, asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse në proces nuk bëri qoftë edhe ankesën më të vogël për procedurën, transparencën apo ndonjë favorizim të mundshëm.
Së katërti, çmimi i ofruar është pa dyshim çmimi më i mirë, sepse erdhi si rezultat i një gare të hapur me shumë konkurrentë.
Së pesti, po t’i referohemi statistikave, ne kemi marrë një çmim prej 1.4mln/MGW të instaluar. Privatizime shumë të ngjashme, të ndodhura gjatë vitit 2011 në Bullgari, Vietnam, Kanada, Gjeorgji, në Filipine dhe në Turqi, kanë rezultuar me çmime që variojnë nga 0.5 mln euro/MGW në Turqi (HEC Bozklr, Ermenek, Goksu) deri në 1.4 mln euro/MGW në Gjeorgji (HEC Ortachala). Janë më se 15 transaksione të tilla që e provojnë këtë gjë.
Së gjashti, në vitet 2003-2005, gjatë qeverisjes së PS u privatizuan plot 15 HEC-e të vogla, me një çmim vetëm 150 mije USD /MGW të instaluar, pra rreth 10 herë më të vogël se çmimi që ne kemi marrë. Për më tepër, po gjatë kësaj periudhe, u dhanë me koncesion rreth 45 HEC-e të vogla dhe të mesme, por nuk u parashikua asnjë tarifë koncesionare, pra interesi publik nuk u ruajt aspak!
Si përfundim, qëndrimi i opozitës për këto procese është thjesht ideologjik, dhe aspak i orientuar nga përfitimi ekonomik i vendit.
4. Për ç‘arsye çmimi i shitjes së HEC Lanabregas ishte më i lartë?
HEC Lanabregas iu transferua në pronësi Ndërmarrjes UK Tiranë sh.a., kundrejt një çmimi të vendosur me negociata dypalëshe midis METE-s dhe UK Tiranë. Për këtë arsye, çmimi i vendosur për HEC Lanabregas, nuk mund të jetë detyrimisht çmimi që ofron tregu, sepse në këtë rast nuk u aplikua gara e hapur. Sidoqoftë, pronësia e këtij HEC-i mbetet përsëri shtetërore, sepse edhe vetë Ndërmarrja UK Tiranë sh.a. është në pronësi shtetërore.
Pra, për sa i përket procesit të shitjes së HEC-it të Lanabregasit, ky është një proces tërësisht i ndryshëm nga procesi i tenderit të hapur ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e shumë konkurrentëve, që u aplikua në rastin e shitjes së 4 HEC-ve në fjalë.
Si përfundim, çmimi i vërtet është ai çmim që vendos tregu, dhe jo çmimi që mund të vendoset në bisedime mes palëve. Në rastin konkret, METE ka mundur që me negociata të marrë çmimin më të mirë se ai që ofron tregu. Ky fakt tregon se është bërë një punë e lavdërueshme nga ana jonë.
Në vitet e qeverisjes së PS-së, në tetëvjeçarin ‘97-2005, u ndërmorën privatizime strategjike të rëndësishme, si domosdoshmëri e reformave strukturore ekonomike. Në programet ekonomike të asaj qeverisjeje, pavarësisht se kishim të bënim me një qeverisje të majtë, cilësohej si shumë i rëndësishëm roli i këtyre reformave dhe i investimeve të huaja, në të gjithë sektorët ekonomikë të vendit.

Tetë vite më vonë, e njëjta Parti Socialiste ka përqafuar tezat ekstreme të majta, që fillojnë me kërcënimet ndaj investitorëve dhe përfundojnë me premtimet për shtetëzim. Pashmangshmërisht, mendja të shkon tek ngjashmëria me filozofinë politiko-ekonomike të Hugo Çavez dhe Evo Morales, dy liderë politikë amerikano-latinë të së majtës ekstreme, që premtuan të njëjtën gjë dhe e kthyen atë në realitet. Dallimi qëndron se, për fat të mirë, z. Rama nuk administron pushtet për ta bërë një gjë të tillë.

Burimi: http://www.panorama.com.al, 12.03.2013