Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimi i katër HEC-eve

Shitja e katër hidrocentraleve publike te kompania ‘Kurum’ shkaktoi debate të forta në Parlament, mes maxhorancës dhe opozitës.
“Sot në këtë Parlament jemi duke përjetuar një funeral të pronës publike”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.
“Kjo është java e fundit e shitjeve me të lirë të pasurisë publike në Shqipëri”, tha deputeti tjetër socialist Erjon Braçe.
Opozita thotë se gjithë procedura e privatizimit është një aferë korruptive, që nis me heqjen e kriterit të detyrueshem strategjik për blerësin.
Erjon Braçe: Paratë e kanë zhbërë Kryeministrin e këtij vendi, nga institucional, në një pazarxhi banal. Në mes të garës prishi kushtin strategjik të shpallur dhe shkruan tjetrin, tamam siç i përshtatet blerësit të zgjedhur.
Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto: Eshtë një absurditet. E hoqëm këtë, ndryshuam disa terma të këtij procesi dhe interesi ishte shumë më i lartë se më përpara.
Erjon Braçe: A është korrupsion ky, trafik influence, klientelizëm dhe prishje e garës dhe paracaktimi i fituesit të saj? Që të gjitha bashkë janë.
Katër hidrocentralet, që në total prodhojnë 400 milionë kilovat orë energji në vit, ju shitën kompanisë “Kurum” për 109 milionë euro.
Sali Berisha: Mesatarja e privatizimeve të viteve të fundit botërore është 1.1 megavat. Privatizohen me 1.4 megavat.
Gramoz Ruçi: Opozita të kërkon hesap. E ke shitur 100 milionë dhe të thotë me llogari, 20 milionë është fitimi në vit. Për katër vjet shlyen të gjithë detyrimin.
Sali Berisha: Sa i shitët ju 24 hidrocentrale? I keni shitur falas. Megavatin ju e keni shitur me 200 mijë dollarë.
Arben Ahmetaj: Jeni duke i shkaktuar një dëm 30 milionë euro buxhetit të shtetit në vit.
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe ka një qëndrim edhe më të majtë. Ai i do hidrocentralet të mbeten publike.
Erjon Braçe: Atdheu Privat i Sali Berishës vijon të zëvendësoj atdheun publik të shqiptarëve.
Sali Berisha: Privatizimi është një filozofi e pandryshueshme e kësaj force politike.
Gramoz Ruçi: Pse dështove me privatizimin e parë strategjik sic është shpërndarja? Pse dështove me privatizimin e dytë të ARMO-s? Pse dështove me privatizimin e tretë strategjik, sic është Albpetrol? Ky sukses jot përsa i përket reformave në kushte privatizimi
Sali Berisha: Ekonomia e tregut nuk është vetëm histori suksesesh. Histori suksesesh të vazhdueshme që përfundojnë të gjitha zero dhe nën zero është vetëm socializmi.
Opozita thotë se kur të vijë në pushtet do e anulojë privatizimin korruptiv të katër hidrocentraleve.

TOP Channel, 04.03.2013

Fjala e plotë e kryeministrit Berisha në seancën e sotme parlamentare
Së pari, privatizimi pa diskutim që është një filozofi e pandryshueshme e kësaj force politike. Pikërisht  se i besuam këtij parimi ne bëmë me tokë 460 mijë familje shqiptare. Në këtë parlament u zhvillua një betejë 2 javore lidhur me privatizimin e tokës. Në atë betejë Partia e Punës së Shqipërisë bëri gjithçka të mbante tokën, pronësi shtetërore, dhe t’ja u jepte në përdorim fermerëve. Nxorën kartonin e kuq dhe u thanë që kjo është vija  e kuqe , jashtë të cilës nuk dilni dot dhe u vendos privatizimi i tokës.
Të nderuar qytetarë dhe qytetare,
Bazuar në këtë parim, Shqipëria në vitin 1993, në harkun kohor 8 mujor, privatizoi 220 mijë apartamente me çmimet simbolike nga 150 deri 300-400 dollarë dhe bëmë në këtë mënyrë, 220 mijë familje shqiptare, pronarë të banesave të tyre. Bazuar në këtë parim, vetëm në vitin 1998 u privatizuan 106 mijë sipërmarrje të vogla, të mesme dhe të trashëguara. Bazuar në këtë parim, ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër që vendin më kolektivist të planetit ta shndërrojmë në vendin në të cilin 80 % e prodhimit të brendshëm të vijë nga sektori privat.
Le të ndalemi tani tek hidrocentralet. Përse ne i privatizojmë këto 4 Hec-e? Përveçse ne i përmbahemi parimit tonë, por duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë me ju të dashur qytetarë. Ne i privatizojmë sepse ne energji mund të blejmë, por rrugët tuaja të shtruara nuk i blejmë dot. Duhet ti shtrojmë vetë. Rrugë të asfaltuara nuk na sjell njeri. Ne i privatizojmë këto HEC-e, sepse shkolla të reja nuk importojmë dot, nuk i gjejmë në tregjet ndërkombëtare. Na duhen para për të ndërtuar shkolla. I privatizojmë këto HEC-e sepse po ndërtojmë me dhjetëra e dhjetëra të tjera. Por subvencione për ullishte, arrorë, sera nuk sjellin dot. Na duhen paratë për ju. Po privatizojmë këto HEC-e sepse spitale të reja nuk importojmë dot. Na duhen para dhe do ti ndërtojmë ato. Në qoftë se ne privatizojmë, ne bëjmë atë, që paratë e tyre ti shndërrojmë në një të mirë shumë më të madhe direkte për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, dua të informoj shqiptarët se është politika e vendosur e kësaj qeverie dhe asaj që ishte nga 2005 e deri këtej, e cila ia doli në mënyrën më të suksesshme të ndërmarrë, të hapë siparin e ndërtimeve më të mëdha hidroenergjetike të vendit.
Zotërinj, për 30 vjet me radhë ujërat e Shqipërisë u derdhën në detet dhe liqenet e saj si të pavlerë. Është viti 2007 që shënoi kthesën e madhe, vendimtare në drejtim të potencialit ujor të vendit. Nga viti 2007 e deri më sot, janë firmosur kontrata për ndërtimin e mbi 330 Hec-e në mbarë vendin. Nga 2007-a  e deri më sot janë ndërtuar dhe janë në funksion rreth 70 Hec-e të reja. Nga 2007-a e deri më sot janë firmosur rreth 3 miliard euro investime në fushën energjetike. Nga 2007-a e deri më sot është firmosur dhe fillon projekti më i madh në Evropë, në fushën e energjisë ujore, Kaskada e Devollit. Përse ju nuk bëni pjesë e këtyre zhvillimeve, por u ka mbetur mendja tek karrigia  e kryetarit? Zotërinj, ju do të këndoni atë këngë edhe 15 vjet të tjera, ju garantoj. Por më mirë të angazhoheni për problemet e qytetarit, sesa për karrigen e kryetarit. Unë e them këtë se në katër anët e Shqipërisë punohet dhe punësohen njerëz. Unë isha në inaugurimin e HEC në Lapaj ku punonin 2500 punëtorë. Shikoni sa njerëz punojnë në kaskadat e lumenjve të mëdhenj dhe të vegjël të Shqipërisë. Përse ju mbani një qëndrim refraktar, ziliqar ndaj një politike e cila do të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale energjitike? Ka një qëndrim këtu, për tu dashur apo për tu pështyrë ky vend. Ne këtë vend e kemi për ta dashur. Ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë probleme, por ne po i zgjidhim ato një nga një, siç po bëjmë me energjinë dhe do të jetë shumë e afërt dita, kur kombe të tjera të detyrohen të paguajnë deri 150 % më shumë se sa paguajnë shqiptarët sot. Shqiptarët të blejnë energjinë ujore me koston më të ulët që ekziston. Ky është investimi, prandaj dhe ky quhet zhvillim i qëndrueshëm, prandaj dhe energjia e rinovueshme është shtyllë themelore  e zhvillimit të qëndrueshëm.
Unë e kuptoj se ju keni humbur edhe lidhjen me parlamentin, por unë sa të jeni këtu do ju respektoj, zotërinj, se nga lista juve ju heq Edi Rama, jo unë. Kini durim. Kur  e nisi ai me Kukësin, Kurbanin, ju tjerët nuk ju ka asgjë. Pra, ne do të vazhdojmë, mesazhet nga qytetarët i kam këtu të gjitha. I lexoj dhe frymëzohem prej tyre. Pra, kjo është politika energjetike, por përveç kësaj Shqipëria shumë shpejt do të jetë pika nevralgjike e njërit prej projekteve më të mëdha të kësaj kohe, siç është gazsjellësi Transadriatik, një vepër kjo madhore, jo vetëm për Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë, por për mbarë Evropën.
Pra, Shqipëria po shndërrohet çdo ditë e më shumë në vendin më të tërheqës për investimet e huaja. Zotëria tha se “investon kush investon”, dhe unë do ti them zotërisë në këtë vend investojnë kompanitë më serioze të Evropës dhe të botës. Do ti them zotërisë se këtu në këtë vend kanë vendosur ëndrrën tyre, kompanitë më të shkëlqyera me performancën më të madhe në Evropë dhe në botë. Merruni ju me Muzeun e Enver Hoxhës atëherë. Ne do të merremi me veprat e mëdha që ndryshojnë jetën e shqiptarëve. Shkoni ju në muzeun e tij.
Zotëri CEZ është një nga kompanitë më gjigande në Evropë, është kompania e 5 gjigande. Dështoi në Shqipëri, tregu i ka këto rregulla. Po dështove, ikën, por privatizimi ka qenë më transparenti. Ekonomia e tregut nuk është vetëm histori suksesesh. Histori suksesesh me suksese të vazhdueshme që përfundojnë të gjitha në zero dhe nën zero është vetëm socializmi. Tregu i ka të vetat, edhe suksesin, edhe mossuksesin. Privatizimi i Hec-ve nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Dua të shpreh këtu kënaqësinë time sepse ofertën me distancë më të mirë e solli një kompani, e cila ka bërë qindra milionë dollarë investime në këtë vend. E solli një kompani, e cila ka një kapacitet shkrirës aktual, 950 mijë ton dhe Shqipëria është një vend ndër më të rëndësishmit, përsa i përket pasurive minerare. E sulmuat ju, kalimin e shoqërisë aksionere nga austriakët tek shqiptarët. Doni tu jap një të dhënë? Do të trefishohet përpunimi dhe nxjerrja  e kromit.
Pra, me alergjinë tuaj ndaj privatizimeve, me alergjinë tuaj ndaj tregut, një nga një do të përfundoni roje dhe kuratorë në Muzeun e Enver Hoxhës në Gjirokastër, po ju pranoi Flamuri.

Privatizimi i 4 HEC-eve, akt korruptiv (Fjala në Kuvend e deputetit Gramoz Ruçi)
Zoti kryeministër, mirëserdhe, se ke kohë që na ke munguar këtu në parlament. Kemi ndjekur nëpër salla, me njerëz të përzgjedhur, me pyetje të parapërgatitura dhe sigurisht që ke filluar fushatën elektorale dhe është e drejta jote atje, por jo këtu në Parlament. Zotëri i nderuar e fillove me gjyshin e Damian Gjiknurit dhe e përfundove me listat e deputetëve të PS-së. Mesa duket s’ke ç’thua për atë për të cilën u ngrite për të folur.
Problemi i parë që do të doja te trajtoja është se anatemimi që i bën opozitës se ajo është kundër privatizimit është demagogji, pasi PS është pro privatizimit, kur ai është kushtetues, është pro privatizimit, kur ai është ligjor, është pro privatizimit, kur ai është transparent, është pro privatizimit kur ai s’është dhe s’vjen era korrupsion, është pro privatizimit, kur është në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Me këtë që po bën, ti po zbaton një pikë të programit të Partisë Socialiste në pushtet, në vitet 2000-2005. Ju referua ministri jot dhe është sipas Strategjisë së Privatizimit për Sektorin Elektroenergjitik, që është miratuar nga PS dhe nga parlamenti shqiptar, kur ajo ka qenë në pushtet. Por meqë u ngrite këtu, duhet të jepje shpjegime për privatizimet strategjike, dhe jo të na flisje për tokat dhe për shtëpitë. Se toka dhe shtëpitë janë privatizuar me dakordësinë e plotë të PS-së kur ishte në pushtet edhe kur ishte në opozitë. Ky është realiteti. Dhe tokën shqiptarëve ua kanë dhënë 170 deputetë të asaj partie, ku ishe ti dhe unë bashkë me ty. Dhe ti kishe vetëm 70 deputetë.
Por ti duhej të jepje llogari pse dështove me privatizimin e parë strategjik që është shpërndarja e energjisë elektrike. Ti duhej të jepje llogari këtu në parlament, pse dështove në privatizimin e dytë, atë të ARMO-s. Ti duhet të jepje llogari, pse dështove në privatizimin e tretë strategjik, që është Albpetrol. Ky është suksesi dhe dështimi jot, porsa u përket reformave në fushën e privatizimeve. Kurse ato që ka bërë PS dje në pushtet janë njëra më e suksesshme se tjetra dhe t’i kam përmendur këtu në parlament të nënta. Pra sot debati nuk është politik zoti kryeministër. Sot po privatizojmë një pasuri kombëtare. Dhe deputetët e opozitës të kërkojnë hesap: Pse ky privatizim është i personalizuar? Nuk dhe asnjë shpjegim. Pse ky privatizim është nën çmim? Nuk dhe asnjë shpjegim. Përse ofertuesi nuk ka asnjë përvojë në fushën e energjitikës? Përse nuk ka asnjë transparencë për privatizimin e kësaj pasurie kombëtare? Përse z.Kryeministër ndërrove vendimin e qeverisë të miratuar nga ti vetë, që të përshtatje të dhënat e ofertuesit me vendimin e qeverisë? Vendimin e qeverisë e kishe miratuar ti nuk e kishim miratuar ne. E ndryshove, pikërisht, kur u paraqit ofertuesi që duhet ta plotësonte ligjin, Kushtetutën e Shqipërisë, që kërkon opozitën. Dhe për të vazhduar më tej.
Vjet ua shite qytetarëve të kryeqytetit tënd 15 milionë euro. 3 milionë euro për një megavat, me këtë çmim ua shite, dhe do ta shlyejnë qytetarët e Tiranës nëpërmjet faturave të ujit. Qeveria turke jo më larg se vjet e shiti një megavat 2.4 milionë euro, kurse kompania turke e blen jo te qeveria turke, po te qeveria jote 1.4 milionë euro. Këtë llogari të kërkon opozita dhe ti s’jep asnjë përgjigje.
Opozita për të vazhduar më tej të kërkon hesap: E ke shitur 100 milionë, dhe me llogari, 20 milionë është fitimi në vit. Për katër vjet shlyen të gjithë detyrimin, e parave që dha. Ja pse themi që ky çmim nuk është transparent, është korruptim ky akt privatizimi.
Duhet ta dinë shqiptarët, nëse është shitur 100 milionë, gati 40 milionë në qeverisjen e PS është marrë një kredi nga Gjermania për rikonstruksionin e Bistricës 1 dhe 2. 40 milionë euro që do t’i shlyejë populli shqiptar për këto HEC-e që shiten sot. Pra vetëm me fitimin e një viti dhe kredinë që duhet të shlyejmë shkojnë 60 mln euro në vit. Për këto duhet t’i japësh shpjegime qytetarëve shqiptarë. Për këto duhet t’i japësh shpjegime opozitës shqiptare që është zëdhënëse e  Kushtetutës, ligjit, transparencës dhe interesave kombëtare dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë. E jo të bëni demagogji me gjyshër e lista.

Paratë e HEC-eve për fushatë elektorale (Fjala në Kuvend e deputetit Damian Gjiknuri)
Ky kuvend po vihet edhe njëherë përpara faktit të kryer, për një tjetër privatizim të panevojshëm dhe në shkelje të ligjit. Nuk ka asgjë të re për t’u shënuar as edhe në këtë praktikë të shitjes së pasurisë publike, e cila karakterizohet nga tipologjia berishiane për privatizimin. Kjo praktikë mund të përmblidhet në aksiomën “Shite lirë, mos mendo për të ardhmen dhe rëndësinë e asaj që po shet. Mbyll hallin politik duke futur ca para në buxhet dhe kuptohet disa para në xhep”.
Me pak fjalë, nuk ka asgjë strategjike në privatizimet strategjike, por vetën një strategji që për të kthyer privatizimin në qëllim në vetvete dhe jo në një instrument zhvillimi të qëndrueshëm. Motoja politike – të shesim gjithçka përpara zgjedhjeve për të mbyllur disa gropa financiare, për të rimarrë pushtetin me qëllim shitjen dhe zhvatjen e çdo gjëje të mbetur në këtë vend. Kështu ndodhi me OSSH, kështu ndodhi me ARMO, kështu po ndodh edhe me këtë pasuri të radhës me rëndësi strategjike për publikun, por jo për atë që ka marrë për sipër të qeverisë.
Po cila është anatomia e abuzimit të fundit? Sot po shiten 4 HEC me një fitim vjetor prej 20 milionë euro për 100 milionë euro, pra investimi lahet për 5 vjet nga investitori i ri. Po shiten asete të rinovuara së fundi me një kredi prej 27 milion dollarë duke i lënë publikut në kurriz kredinë dhe duke i dhuruar pjesën e shëndoshë privatit. Shteti pëson humbje të pastër. Shitja e 4 HEC-ve do të rritë sasinë e energjisë elektrike, që KESH duhet të blejë nga privatët, të paktën me rreth 400 milionë energji elektrike në vit. Për këtë sasi do të duhen afërsisht 30 milionë euro në vit, që KESH sha do të duhet ti paguajë.
Pra, rezultati ekonomik i KESh sha do të përkeqësohet ndjeshëm në krahasim me gjendjen e sotme. Kriza financiare e sektorit të energjisë elektrike do të thellohet më shumë. Shitja po bëhet në kundërshtim me  ligjin për privatizimin në sektorë strategjik, pasi investitori nuk është strategjik dhe nuk ka ekspertizë të veçantë e të demonstruar në këtë drejtim. Pra, është një investitor çfarëdo që përveç parave në buxhet nuk sjell asgjë afatgjatë për sektorin, paçka se kjo e fundit është motoja e çdo vendi serioz në privatizimet strategjike;
Por çfarë fshihet më tej. Investitorit “Kurum” shteti i ka borxh miliona euro si TVSH të parimbursueshme, e cila me një vendim të qeverisë për miratim shitjes në pikën 4 të saj, theksohet se do t’i rimbursohet vlera e TVSH, pra me një fjalë çmimi i vërtetë është 10 milion euro më pak. Por ka gojë të liga, që thonë se është 30 milionë euro. Dikush nga qeveria duhet të japë një shpjegim për këtë sa është vlera e TVSH që i zbritet çmimit? Ky veprim duket si një rialokim detyrimesh, por a mos ka qenë kjo në mendje të qeverisë qysh në fillim? Pasi në fillin dokumentet e tenderit u përgatitën për investitorë strategjikë, dhe kur kjo dështoi, u ndryshuan dhe u rihodhën në shitje në një periudhe të shkurtër duke mos i lënë kohe konkurrentëve të tjerë për tu përgatitur.
Ndërkohë ka dhe shumë subjekte të tjera të cilat shteti u ka borxh me miliona dollarë, por asnjëherë nuk ka bërë një këmbim të tillë apo favorizim të tillë. Kjo më e pakta është favorizim dhe shkelje e barazisë në tenderë publik pasi investitorët e tjerë të mundshëm shqiptar janë disfavorizuar.
Dhe së fundi çmimi i shitjes është i diskutueshëm dhe del zbuluar nga një shitje tjetër e qeverisë disa muaj më parë për HEC e Lanabregasit, ku çmimi i shitjes është 3 milion për Mega ndërsa në rastin në fjalë 1.4 milion për Mega. Si shpjegohet kjo diferencë prej 100 milionë euro me total ? Dikush do të thotë shitja e Lanabregasit ishte shitje fiktive në letër shtet për shtet, një shpikje abuzive e kësaj qeverie abuzive. Shitje ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, njësoj si Hotel Dajti Bankës së Shtetit që akoma nuk po i del qëllimi se përse u ble.
Qeveria i detyrohet publikut një përgjigje nëse ka mashtruar në çmimin e shitjes së HEC Lanabregas apo në çmimin e HEC Bistrica? Anatomia e këtij privatizimi është siç e thashë vetëm një fotografi e çastit e privatizimeve berishiane në vend, të cilat janë kthyer në qëllim në vetvete dhe jo si instrument zhvillimi. Kjo qeveri në prag të zgjedhjeve dhe e zhytur në borxhe është vërsulur si lubi për të eliminuar çdo të mirë publike duke shkuar deri në deklarime absurde se paratë nga privatizimi na duhen për të rritur rroga dhe pensione, shkurt për premtime elektorale.
E thënë më thjesht kjo do të thotë që pasuritë e krijuara në breza duhet të shiten me çdo kusht e me çdo çmim përpara zgjedhjeve se paratë na duhen për fushatë elektorale. Po a bën një njeri i përgjegjshëm këtë, po një prind a mund ta bëjë me familjen e tij të shesë të gjitha pasuritë që i përkasin të gjithëve se kërkon të luajë në kazinonë elektorale të radhës? Asnjë, përveç Sali Berishës i cili urren çdo gjë publike megjithëse flet gjithë ditën në emër të publikut. Për të financuar orekset politike të tij, ky vend po kërcënohet seriozisht duke i rritur borxhin publik përtej çdo kufiri të lejueshëm, por likuidon çdo pasuri publike strategjike pas asnjë strategji zhvillimi, nuk po sjell asnjë investitor serioz në këtë vend por veç klane mafioze ndërkombëtare. Kryeministri po krijon monopole pa asnjë dobi dhe me kosto gjithmonë e më të shtrenjtë për publikun në çdo sektor të privatizuar dhe po i kthen shtetasit shqiptarë në statusin e personazheve gjysmë skllevër të revolucionit industrial të përshkruara aq bukur nga Dikensi më shekullin e 19, të cilët po lënë dhe kockat në zgafellet e shfrytëzuesve korruptivë, nën bekimin e doktorit Sali.
Ky është kapitalizimi i Lulizuar i doktorit Berisha, e cila më kujton atë shprehjen e ngjashme me reklamën që e kam thënë vite më parë nga kjo foltore:  “Privat bëje mirë bëje vet pasi nuk ka shtet”. Qytetarë të nderuar, ajo që po ndodh me pasurinë tuaj nën orën e kësaj qeverie mund të përmblidhet në shprehjen proverbiale e filozofit Andre Carnagi i cili thoshte se brezi i parë e krijon pasurinë, brezi i dytë e shpenzon atë pa kriter dhe brezi i tretë përballet me mjerimin… Kjo po ndodh me të gjithë pasurinë tonë të krijuar nga brezi i pasluftës me mundin e të gjithë popullit, të cilat po shpërdorohen nga ky njeri, duke i lënë brezave që vijnë zhgënjim dhe mjerin.
Prandaj në 23 qershor përpara jush shtrohet edhe një dilemë dhe detyrë, të shpëtojmë pasuritë publike të mbetura që u përkasin brezave nga shpërdoruesi Sali. Ju dhe fëmijët tuaj meritoni t’i gëzoni ato.

Kjo është plaçkitje (Fjala në Kuvend e deputetes Mimi Kodheli)
Gjatë kohës që lexoja më shumë vëmendje proces-verbalin e mbledhjes së sajuar shpejt e shpejt, të Komisionit të Ekonomisë, mbledhje kjo në shkelje të plotë të çdo rregulloreje të parlamentit, më erdhi ndër mend një Projekt pa produkt i Bashkimit Europian që vlen 2 milionë Euro (para’ të taksapaguesve europiane), Projekt i cili kërkon të europianizojë dhe bëje transparente sado pak, mënyrën e organizimit dhe procedurat e jetës së brendshme parlamentare.
Me mbledhjen e turpit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, atë të ditës së enjte me keqardhje më duhet t’iu them kolegë, se nuk ka çfarë t’iu duhet as profesionalizmi dhe as dashuria për pasuritë e këtij vendi. Ju del dhe ju tepron MILITANTIZMI.
I them publikut se përveç një kundërshtie të rreptë të bërë nga kolegu Brace, në respekt të procedurave dhe të detyrimit që qeveria ka për të informuar deputetët,  e gjithë mbledhja ishte një turp i madh.
Flasim sot për privatizimin e 4 HEC-eve, Bistrica 1 e 2 dhe Ulëz-Shkopet. Privatizimi i këtyre veprave publike nuk është në të mirë të shqiptarëve, nuk është në të mirë të vendit as në të mirë të buxhetit të shtetit, aspak në favor të të ardhmes tonë.
Duke privatizuar këto katër hidrocentrale, qeveria nuk bën asgjë tjetër veçse zvogëlon prodhimin publik të energjisë elektrike, me 550 milionë KWh (ose 0.55 miliardë KWh) në vit. Sot KESH-i importon ose blen çdo vit energji elektrike në masën 1.5-2.5 miliardë KWh.
Me shitjen e këtyre katër HEC-eve dhe në kushtet kur situata financiare energjitike ka tejkaluar dëmin e çdo tsunami natyror (le të kujtojmë këtu që borxhet në këtë sistem mbërrijnë në mbi 1.2 miliardë euro), nuk e di se ku do t’i gjejë qeveria paratë për të blerë diferencën në çmim që do të krijohet pas privatizimit. Pasi KESH, siç edhe dihet, e blen energjinë tek private me 9 lekë dhe ja shiste CEZ-it, sot nën administrim qeveritar pas një tjetër dështimi në privatizim, me 2 lekë. Diferenca 7 lekë. Dhe diferenca është 30 milionë euro para nga xhepat tanë për çdo vit.
Madje nëse nga çmimi i shitjes së Ulzës dhe dy Bistricave do të zbriteshin dhe 23 milionë euro kredi, që janë marrë për rehabilitimin e tyre, por që qeveria ja ngarkoi KESH-it për të shlyer, shifra 30 milionë rritet duke i kapërcyer të 50 -at para që do merren nga xhepat e shqiptarëve.
Po qeveria nuk do t’ia dijë fare për këtë. Po fare fare! Pasi asaj i duhen ca para nga zhvatja sot, sepse midis punëve të pista me duar të pastra, ka edhe zgjedhje për të bërë. I duhet të dalë me thesin e zi me para një natë përpara votimit, që të mund të na blejë. Dikë për një copë bukë e dikë tjetër për pak më shumë se kaq.
Por ndërkohë, pas disa muajsh ne do të fillojmë të paguajmë një super faturë tjetër. Atë të 50 milionë eurove vetëm pse qeveria privatizon sot 4 perla të industrisë sonë energjitike, të katërta rentabël dhe pasuri e jona strategjike. Kjo që po bëni sot nuk është as ekonomike, as patrioke, as e ndershme.
Teorikisht, arsyet e privatizimit janë disa: Së pari, shtimi i investimeve. Investimet nuk janë parë të shtohen me privatizimet e deritanishme. Në të kundërt, kompanitë e huaja po abandonojnë territorin shqiptar pasi kanë marrë, por nuk kanë dhënë.
Në rastin konkret nuk do të investohet e për pasojë nuk do të shtohet qoftë edhe 1KWh më shumë prodhim. Për të mos folur pastaj për megamonopolet, fenomen të cilin qeveria duhet ta kishte luftuar në shpërndarjen e energjisë dhe jo në prodhim, i cili sot është një treg i diversifikuar, gjithsesi.
PS nuk do të jetë kurrë kundër privatizimeve që çojnë në heqje të monopoleve në treg, që çojnë në investime në favor të ekonomisë shqiptare dhe buxhetit të saj, që çojnë në shtim të vendeve të punës dhe prodhimit për konsum të brendshëm dhe sidomos atij për eksport. Por ky privatizim nuk është ajo për të cilën kemi nevojë.
Le të kthehemi edhe një herë tek diskutimi i kontratave dhe procedurës së privatizimit. Ky Kuvend e ka bërë njëherë gabimin të votojë, i detyruar për turpin e tij, një kontratë me anekse të bardha, siç beri në rastin e privatizimit të OSSH-së. Do të ishte realisht i tepërt një rast i dytë.
Që në fakt është rasti që kemi në dorë: Ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë minimalisht duhet të ishim të informuar deri në detaje për gjithë këtë proces privatizimi.
Procesi nuk ka qenë transparent. Që nga momenti i parë i njoftimit për shitje, kriteret e privatizimit janë ndryshuar disa herë në mënyrë të qëllimshme, ndërkohë që asnjëherë nuk u publikuan pasqyrat financiare të 4 HEC-eve, në mënyrë që gjithkush (përfshirë edhe në të ashtuquajturve ligjvënës) të kishte mundësinë t’i shikonte dhe të gjykonte.
Pas dështimit të shitjes së HEC-eve në vjeshtën e vitit 2012, qeveria Berisha ndryshoi, edhe kriterin e investitorit strategjik, kriter i përcaktuar qartësisht në ligj: Ligji thotë: “Investitori duhet të jetë një kompani me reputacion rajonal dhe me aktivitet në tregun ndërkombëtar të energjisë”. Por kjo kërkesë ligjore u hoq me VKM duke i hapur rrugë çdo lloj investitori.
Në fillim, pritshmëria e qeverisë ishte për të përfituar nga privatizimi rreth 235 milionë euro, gjë që kuptohet nga shuma e garancisë së ofertës që qeveria kërkoi në hapat e parë të procesit të privatizimit. Sot kjo shifër ka zbritur në më pak se gjysmën.
Kompania turke që po blen 4 hidrocentrale në Shqipëri, po i blen ato 2 herë më lirë se sa çmimi në vendin e saj të origjinës dhe ka garancinë që ta shesë energjinë që do prodhojë më shtrenjtë se në Turqi.
Sektori i energjisë ka kohë që është në një krizë totale. 280 milion dollarë borxh i ka KESH-i bankave. 30-40 milion dollarë u ka KESH-i  borxh këtyre hidrocentraleve që kanë dalë nga menaxhimi i shtetit.
Këto 4 HEC-e japin 20 milionë dollarë fitime në vit. Më thoni, cila kontrate privatizimi do ta justifikonte shitjen sa për një thes me miell.
Kjo ka vetëm një emër. Quhet plaçkitje.

Fjala e deputetit Erion Brace ne parlament (marre nga rrjeti social Facebook)
BERISHA PROMOVON “JAVEN E SHITJES ME TE LIRE TE PASURIVE KOMBETARE” NE KUVEND!
PO! UNE JAM KUNDER SHITJES SI PJESE E PRIVATIZIMIT!!
BESOJ TEK PASURIA PUBLIKE DHE ADMINISTRIMI PUBLIK!
HIDROCENTRALET TI MBETEN PUBLIKUT, POOOOR PUBLIKUT JO PARTISE QE QEVERISE APO DO TE QEVERISE!
Atdheu Privat I Sali Berishes vijon te zevendesoje Atdheun Publik te cdo shqiptari dhe Sali Berisha nuk guxon te shkele ketu, te pergjigjet per kete-keto 2 kontrata jane deshmia qe djeg.
Interesi privat permbushet, interesi publik demtohet e zhduket.
Fitimet privatizohen duke u shtuar ne nje kompani, humbjet shtetezohen duke u shperndare tek cdo shqiptar.
Privatizimi I 4 HC eshte akti I dyte I madh I privatizimit ne sektorin elektroenergjitik shqiptar.
I pari,
privatizimi I rrjetit te shperndarjes se energjise elektrike deshtoi, madje me nje kosto te stermadhe per te gjithe ekonomine kombetare, ekonomine familjare e duke cuar ne faliment disa kopani te sektorit te energjise, perfshire ketu dhe sektorin e koncesioneve ne energjitike.
I dyti,
thellon krizen e sektorit, vecanerisht te KESH-krijon nje grope te re energjitike e financiare ne te, pra godet edhe me rende interesin publik.
Ne kete privatizim ka ndodhur gjithcka:
Se pari: “Privatizimi I personalizuar”-nje lloj I ri privatizimi, I paligjshem, I sajuar nga Sali Berisha dhe ju, per te shitur me cdo kusht dhe vetem tek klienti juaj;
Se dyti: “Privatizimi nen cmim”-I zakonshem ky privatizim, aplikuar thuajse ne cdo rast privatizimi te pasurise publike, me qellim favorizimin me cdo kusht te klientit tuaj;
Se treti: “Privatizimi me garante te forta per bleresin por jo per publikun”-per here te pare I aplikuar ky, per te vulosur marreveshjen e pafavorshme e te paligjshme te bere, e per ta mbrojtur ate nga cdo proces I drejte qe kerkon te riktheje e mbroje interesin publik ne rastin me te pare.
Te gjitha te kryera nga Qeveria e Sali Berishes, ai personalisht, ministria e Ekonomise, komisioneret e shitjes.
Po Kuvendi?
Kuvendi nuk di gje, nuk ka marre pjese, nuk eshte informuar ne kohe, madje shumica dermuese ketu-80% e deputeteve nuk e njohin fare permbajtjen e marreveshjeve qe do te votojne sot!
Kuvendi, nga organi sovran I perfaqesimit dhe mbrojtjes se interesave te popullit, interesit publik te tij, per fat te keq eshte kthyer nga Sali Berisha ne nje Lavatrice te madhe qe lan, shplan, than e hekuros, marreveshjet e tij te korruptuara ne shitje te Atdheut!
Juridikisht:
Kuvendi vlen vetem per te kthyer pergjegjesine e tij individuale e te ndeshkueshme, ne pergjegjesi kolektive dhe te pa ndeshkueshme.
Ti marrim me rradhe.
Se pari, “privatizimin e personalizuar”:
Procesi I shitjes se 4 HC nisi I mbeshtetur ne VKM 152 e 153 te dates 29.2.2012.
Ne to, ne nenpiken 3, te pikes 4.1 te kapitullit 4 “ofertuesit”, si kriter kualifikimi shquhej:
“ Te zoteroje burime njerezore, teknike, profesionale dhe experience organizative ne operimin e hidrocentraleve-nje ofertues qe zoteron/operon nje ose me shume hidrocentrale, me nje fuqi te instaluar, vecmas ose te kombinuar prej te pakten 15 MW, konsiderohet qe e permbush kete kriter”;
Pasi tenderi deshtoi 4 here rresht, kryeministri Berisha vendosi te ndryshoje kushtet, kete kusht, duke e rishkruar qe ti pershtatej teresisht klientit te tij.
Dy VKM-te e reja 676 e 677 te dates 3.10.2012, materializuan kete ndryshim:
Ne nenpiken 3, te pikes 4.1 te kapitullit 4 “ofertuesit”, si kriter kualifikimi tani shquhet:
“Te zoteroje burime njerezore, teknike, profesionale, experience organizative ne menaxhimin e kompanive te medha”.
Vetem kaq! Asgje tjeter!
Kishte gjetur bleresin, kish hyre ne Pazar me te, kish nxitur vendosmerine e tij per te blere placken e tij, kishin negociuar dhe cmimin, por gjeten nje difekt:
kushtin strategjik te pervojes ne operimin me hidrocentrale!
Nuk pyeten hic. Parate bejne cudira ne kete vend, parate e kane zhbere kryeministrin e ketij vendi nga institucional ne pazarxhi banal:
Ne mes te gares, prishin kushtin strategjik te shpallur dhe shkruajne tjetrin, tamam sic I pershtatet bleresit te gjetur!
Keshtu Kryeministri doktor u be berber dhe, I pershtati- me shkrim- kokes se bleresit, modelin e tij te flokeve!! Vetem se, kete e paguajme ne!
A eshte korrupsion ky? Trafik influence, klientelizem, prishje e gares dhe paracaktim I fituesit te saj-te gjitha jane.
Natyrisht! Dhe kete e kupton kur sheh cmimin e blerjes.
Ketu vime tek elementi I dyte:
“privatizimi nen cmim”.
Privatizimi I 4 Hc-ve po sjell ne vemendje te qytetareve se kryeministri po privatizon per te perfituar, jo per te dale nga kriza.
Dhe nuk heq dore, madje ve dore.
Kryeministri shet 4 HC per vetem 109 milion eu. Nje pasuri e tere per vetem kaq pak.
Mund te rrotulloheni gjithkund, madje dhe ne Turqi, por nuk ka rast te ngjashem.
Sipas të dhënave të autoritetit turk të privatizimeve, në total fuqia e instaluar e 50 HEC-eve te privatizuar gjate 2010, ishte 134 mega dhe cmimi mesatar që Qeveria turke arkëtoi nga to ishte 2.8 milionë euro për mega. Shifra është 2 herë më e lartë nga çmimi me të cilin Qeveria shqiptare po ia shet katër hidrocentralet kompanisë ‘Kurum’.
Nderkohe une do ti bej llogarite me praktiken e tij, asgje tjeter.
Dy muaj me pare kryeministri e detyroi Kuvendin te votonte shitjen e nje HC, Lanabregasit. E vleresoi dhe e shiti per 3 mln eu per cdo megavat fuqi te instaluar. E shiti tek nje ndermarrje partiake, e deshtuar dhe me humbje te medha; vendosi cmimin ne varesi te nevojes buxhetore dhe e detyroi te merrte borxh, 15 milion euro borxh te shtrenjte!!
Nderkohe, tani po shet me vetem 1.4 mln eu per cdo megavat.
Perse? Sepse po shet me shumice, 4 HC njeheresh? Ky eshte kulmi! Kjo logjike e kryeministrit po e zhben kete vend.
Ky injorant kujton se shet domate me shumice.
Demi eshte mbi 100 milion eu, I llogaritshem e I pa kundershtueshem, I qarte si I tille!
Une dua tap yes:
Kush po I merr keto para Kryeminister?
Pyes sepse jam I bindur qe ai, ministri I tij, kryekomisioneri I te dyve, ende nuk e dine dhe nuk e kuptojne qe nuk po shesin aksione apo sic banalisht thone- vetem hekura, por edhe biznesin ne nje treg te rregulluar apo te lire por te shtrenjte, madje ne favor te privatit:
4 HC prodhojne ne vit 400 mln kwh energji.
Deri sot kjo faturohej me 2.2 leke/kw ose ne total 6.4 mln eu.
Ne te dy kontratat thuhet qarte se ky cmim nuk do te egzistoje me-eshte kushti B, pika 5 e shtojces 7 “Perfundimi”/Kushtet e para-perfundimit qe duhet te permbushen nga shitesi”-pra nga Qeveria.
Me tej,
Ne te dy kontratat, vendoset qarte se Bleresi tashme fiton statusin e Prodhuesit te Pavarur te Energjise, per kete shkak perjashtohet nga “tregu I rregulluar” me cmime fikse, por njeheresh edhe lejohet qe te shese energji KESH me cmim tregu dhe me kushte kontraktore te negociuara.
Cdo te thote kjo?
Po spjegoj:
Ne cdo rast, I humburi eshte shteti, kompania e tij, kompania juaj, e cdo shqiptari KESH-furnizuesi publik me shumice dhe perfituesi I vetem, ne cdo rast eshte bleresi-privat.
Ne ratin e pare, ne Kesh krijohet nje grope e re energjitike, humb 400 milion kilovat energji;
Ne rastin e dyte, ne Kesh krijohet nje grope e re financiare, Kesh nuk do te bleje me me cmimin e lire por tashme me cmim tregu keto 400 milion kilovat;
Ne rastin e pare, privati ka te sigurta 400 milion kilovat energji, per biznesin e tij ne Shqiperi, me kosto minimale, shume me te ulet se ajo aktualja;
Ne rastin e dyte, privati fiton financiarisht edhe sikur 400 milion kilovat energji ti shese ne KESH, cmimi nuk eshte me 2.2 lek/kwh, por cmim tregu te pakten 3 here me I larte se ky.
Llogaria eshte kjo:
Sot KESH po ble energji me 47 eu/Mgh, ose 6.6 leke/kwh, ky eshte cmimi I tregut sot dhe eshte me I liri per shkak te teprices se energjise ne tregun rajonal.
Klauzola se Bleresi lejohet tja shese energjine KESH me cmim tregu, ben qe 400 milion kwh energji te vleresohen ne 19 milion eu ne vit.
19 milion eu ne vit qe I fiton private dhe I humb publiku, I humb KESH!
19 milion eu ne vit qe per 6 vite I kthejne privatit me shume para se ai shpenzoi per te blere keto HC.
Pra, qysh neser;
Shteti do te humbe 19 milion euro ne vit dhe privati do te arketoje 19 milion euro ne vit!!
Plus 27 milion euro kredi qe do ti paguaj serish shteti dhe do ti zbriten privatit.
Kjo eshte llogaria Kryeminister!
Kjo llogari nuk eshte ne favor te publikut, nuk eshte ne te mire te shqiptareve.
Kjo llogari eshte vetem ne favor te klientit te Kryeministrit.
Kete mbron dhe kontrata, deri ne fund, sic di Sali Berisha te te mbroje edhe kur vret edhe kur vjedh!!
Posacerisht!
Nje kapitull I tere, kapitulli 22 “Veprimi I demshem I Qeverise”.
E keni lexuar cthote:
Cdo ndryshim ligji I cili pengon te vazhdoje biznesin sic eshte;
Cdo ndryshin ligji ne sektorin e energjise qe e pengon shoqerine te disponoje gjithe energjine qe gjeneron apo qe e ndalon shoqerine te eksportoje energjine;
Cdo ndryshim ligji te fushes mjedisore;
Cdo terheqje, anulim, amendim, mos leshim apo mos rinovim I ndonje autorizimi, cdo shpronesim, denim, rekuizim, konfiskim apo shtetezim, apo cdo veprim tjeter I ngjashem ndaj aksioneve te shoqerise;
KONSIDEROHET DEM NDAJ SHOQERISE!!
Kujt ja keni dhene tjeter kete garanci? Kerkujt! Po pse ja jepni? Ju e keni favorizuar boll ne biznes e cmim, keni demtuar rende shtetin ne biznes e cmim, keni marre per shtetin cdo borxh. Po kete pse?
Po si ka mundesi qe nuk menduat nje here te vetme per kete vend? Po ne kushte krize te forte energjie apo ne kushtet te jashtezakonshme te sigurise publike e kombetare, cdo te beni, do lejoni eksport te energjise qe prodhohet ketu?
KY ESHTE KRIM! NE CDO ANE QE TA SHOHESH ESHTE I TILLE, ESHTE KRIM!
Keshtu
PO PRIVATIZOHEN FITIMET DHE PO SHTETEZOHEN BORXHET!
Keshtu
TI DHE KLIENTI YT FITONI, NDEKOHE TE GJITHE SHQIPTARET PAGUAJNE DHE HUMBIN.

energjia.al, 04.03.2013

Banorët e Ulzës kundër privatizimit të HEC-eve: Do bojkotojmë zgjedhjet
Banorët e Ulzës kundërshtojnë privatizimin e HEC-eve të Ulzës dhe Shkopetit me pretendimin se kanë prona në këto hidrocentrale. Banorët kërcënojnë se nëse finalizohet nesër në Kuvend kontrata e shitjes do të bllokojnë rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë dhe do të bojkotojnë zgjedhjet e 23 qershorit. Madje ata kanë kërkuar edhe ndihmën e liderit të LSI-së Ilir Meta, të cilit i bëjnë thirrje që deputetët e LSI-së të mos miratojnë të hënën në Kuvend marrëveshjen e privatizimit të hidrocentraleve.
Protestës së banorëve u janë bashkuar edhe specialistë të hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit, të cilët thonë se qeveria ka abuzuar me tenderat. “Nëse HEC-et privatizohen do të mbetemi në rrugë të madhe”- shprehen specialistët.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nënshkroi pak javë më parë kontratën me kompaninë Kurum për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe shoqërisë HEC Ulëz Shkopet sha. Oferta e Kurum u miratua edhe nga Këshilli i Ministrave . Katër hidrocentralet të ndara në dy paketa, Bistrica 1 dhe 2 më vete dhe Ulzë-Shkopetit, janë blerë për shumën 109.5 milionë euro.
Sipas Partisë Socialiste, shitja e 4 hidrocentraleve nga qeveria është një aferë korruptive, përmes së cilës shqiptarëve u është shkaktuar një dëm prej më shumë se 100 milionë eurosh. Për këtë arsye, PS-ja ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2.
Përkundrejt akuzave të opozitës për korrupsion në shitjen e 4 HEC-eve, ministri i Energjetikës Edmond Haxhinasto e konsideron privatizimin e tyre si një sukses që si asnjëherë tjetër është bërë në sytë e publikut.

www.balkanweb.com, 03.03.2013