Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbi – Kompania energjetike përballet me falimentim

Aleksandar Obradovic, drejtori në detyrë i kompanisë serbe monopol të energjisë, EPS, ka pohuar se sipërmarrja ka nevojë që të marrë hua 450 milionë euro, ndryshe do të përballet me falimentim në mars.
Ai i bëri thirrje bordit menaxhues të EPS të skedulojë një sesion dhe të marrë vendime që do të shmangin një skenar të tillë.
EPS u detyrohet miliona euro konsumatorëve, ndërkohë që humbjet totale vitin e kaluar ishin rreth 300 milionë euro, për shkak se kompanisë iu desh që të absorbonte koston e tarifave të subvencionuara.
Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Mladjan Dinkic, ka pohuar se EPS nuk do t’i jepej ndonjë garanci për hua shtetërore.
“EPS duhet të ndihmojë veten për shkak se kompania ka mundësi që të përdorë rezervat e saj dhe të bëhet një kompani e qëndrueshme”, tha Dinkic.
Ai shtoi se shteti duhet t’i japë EPS vetëm mbështetje morale, për shkak se buxheti nuk përmban para shtesë për kompaninë në formën e huasë.
Qeveria, në mënyrë rutinë, i përdor çmimet e energjisë si një mjet për të ndikuar në mirëqenien e popullatës.
Gjithsesi, kur qeveria në dhjetor njoftoi një rritje të mundshme prej 10-12% të çmimeve të energjisë në tremujorin e parë 2013, banka qendrore paralajmëroi se ky shtrenjtim mund ta çonte inflacionin në nivele të papranueshme.
Këshilltari për investimet, Mahmud Busatlija, beson se problemet e EPS-së nuk janë tërësisht të lidhura me çmimet e energjisë, por me fluksin e pakontrolluar të parave dalëse për shkak të ndikimit politik dhe mbledhjes së dobët të detyrimeve.
Sipas Busatlija, rikapitalizimi është mënyra më e mirë për EPS, që punëson rreth 30,000 njerëz.
Rikapitalizimi i secilës kompani brenda sistemit të EPS do të mundësonte secilën prej tyre që të funksiononte më mirë, dhe qytetarët do të përfitonin gjithashtu, për shkak se nuk do të kishte më një monopol në prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e energjisë elektrike në Serbi”, tha Busatlija për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Revista Monitor, 23.02.2013