Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Maksim Shuli: Albpetrol fiton 5 miliardë USD me vetëm 500 mln investim (pjesa II – flet dhe per Bankers-in)

Albpetrol, fitimi 20 miliardë dollarë në 2 dekada…Nëse nuk do të bënim privatizim, por do të jepnim me koncesion vetëm vendburimin Patos-Marinëz, atë që sot e ka me koncesion kompania “Bankers Petroleum”, për një periudhë 16-20 vjet, fitimi do të ishin rreth 5 miliardë dollarë, nëse do të investoheshin vetëm 500 milionë dollarë.
Kompania kineze që po mundohet të kryeje bisedime me Qeverinë, e ka të pamundur të realizojë këtë proces privatizimi, kjo sepse vetë procesi i privatizimit u bë në mënyrë jotransparente dhe se ka probleme thelbësore në ligjin e ndërtuar, krijuar dhe miratuar nga parlamenti i vendit. Kompania kineze dhe vetë shteti i Kinës nuk shquhen në fushën e hidrokarbureve.
Në pjesën e dytë të intervistës, inxhinieri i njohur i fushës së hidrokarbureve merr në analizë dhe aspektin ekonomik të privatizimeve në sektorin e naftës. Sipas tij shteti i ka shkaktuar humbje irracionale dhe koosale vendit me koncesionet që i ka dhënë kompanisë “Bankers Petroleum” ndërsa humbjet priten të shumëfishohen nëse vazhdohet më tej dhe me privatizimin e “Albpetrol”. Maksim Shuli shprehet se kompania kineze që ka mbetur në garë si pretendente për privatizimin nuk ka kapacitetet dhe mundësinë për të menaxhuar një ndërrmarje si “Albpetroli”. Më tej Shuli ka hedhur dritë edhe me “tërmetet” që shpesh janë konstatuar në zonën e Zharrzës pranë burimeve të “Bankers “Petroleum”. Sipas tij shkaqet lidhen me abuzimet e kompanisë.
Profesor Maksi, përse nuk duhej të bëhej ky privatizim dhe pse është i destinuar të dështojë, siç thatë?
Së pari: Ky lloj privatizimi është bërë në një mungesë të plotë transparence. Kam parasysh këtu miratimin e ligjit, i cili është bërë qëllimisht për të arritur rezultate të tilla të pakonceptueshme, që nuk është parë me syrin e privatizimit të një sektori strategjik, siç duhet trajtuar faktikisht nafta, që nuk është bërë hap pas hapi transparenca nga dikasteri përkatës, që kjo është e domosdoshme për punonjësit e naftës, për publikun e gjerë, për aktorët e tjerë që janë të interesuar, si dhe për mediat të cilat në të tilla evenimente të rëndësishme vendosen në pozicione befasie.
Nuk kemi parë këtë lloj privatizimi në asnjë shtet, qofshin këta fqinjët tanë të afërt e të largët, në Evropë apo në botë. Prandaj është e domosdoshme që deputetët e parlamentit shqiptar të gjejnë rrugën për ta çuar atë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta anulojnë atë. Kjo është tepër urgjente. Si ekspert do të thosha se ligji është me përmbajtje kriminale dhe ka si qëllim shitjen e pasurisë së vendit.
Së dyti: Të gjitha kompanitë që morën pjesë në ankandin e shpallur, me përjashtim të kompanisë “Bankers Petroleum” e cila tashmë ka një kontratë koncesionare me Albpetrolin, nuk janë kompani serioze dhe të fushës për të cilën duhet të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në veçanti, naftat tona janë të tipit “asfalteno-rrëshinor”, pra, janë nafta të rënda që në botë krahasohen vetëm me disa vendburime që ndodhen në Kanada. Në këto kushte, nuk e di se cila nga këto kompani ka përvojë në këto fusha? Ky është edhe një kusht shumë i domosdoshëm dhe i nevojshëm për zhvillimin e naftës në të ardhmen, pasi këtu kemi vendosur pasurinë e kombit në duar të cilat edhe mund të na e shpërdorojnë atë. Këto gjëra po ndodhin sot sidomos tek ne. Po të shikojmë se kush e mori “Armo”-n dhe se si është katandisur në atë gjendje sa edhe pagat e punonjësve të saj nuk arrin t’i paguajë në kohë, kjo po duket se kush po e merr edhe Albpetrolin?
Hidhini një sy kompanive të naftës të cilat kanë marrë me koncesion vendburime që tashmë ekzistojnë dhe pyetjet e radhës janë:
Sa investime kanë bërë ato në këto vite? Sa naftë shtesë kanë arritur t’i japin kompanisë apo shtetit? Sa i kanë zhvilluar ato këto vendburime me investimet e tyre, për qëllimin që i kanë marrë? Sa kanë derdhur në buxhetin e shtetit tatime dhe taksa të kompanisë dhe sa kanë marrë për vete? Në fund të fundit, a ia ka vlejtur ky koncesion për qëllimin që është dhënë apo këto kompani kanë përfunduar duke shfrytëzuar naftën e këtyre vendburimeve  dhe duke u pasuruar për veten e tyre, pa menduar për zhvillimin e tyre që ka qenë edhe qëllimi kryesor.
Në fund të fundit, sot prodhohen gati një milion ton naftë në vit, që afërsisht me një çmim mesatar prej 300 USD do të thotë rreth 300 milionë dollarë në vit. Atëherë, sa nga këto përfiton shteti jonë? Sa deklarohen shpenzimet nga kompania dhe sa janë investimet? Le të bëhet kjo transparencë dhe të gjykojë populli i thjeshtë, a ia vlen ky privatizim? Kur ne nuk kemi bërë një analizë për koncesionet e dhëna, a janë efektive?
Së treti: Vlera e Albpetrol-it nuk është ajo reale: Kam parasysh këtu vlerën e nxjerrë për privatizim, dhe jo ofertën skandaloze që u paraqit në ankand. Vetëm një shembull të vogël duhet të jap për të më kuptuar edhe shqiptari më i fundit sot në vendin tonë: Nëse nuk do të bënim privatizim, por do të jepnim me koncesion vetëm vendburimin Patos-Marinëz, atë që sot e ka me koncesion kompania “Bankers Petroleum”, për një periudhë 16-20 vjet, pra, duke shfrytëzuar vetëm rezervat e njohura ato rezerva që janë zbuluar nga brezat tanë naftëtarë, fitimi do të ishin rreth 5 miliardë dollarë, nëse do të investoheshin vetëm 500 milionë dollarë. Dhe nëse do të diskutonim vetëm për këto rezerva, atëherë do të thosha me kompetencë se minimumi i ardhurave nga këto rezerva do të ishte 12 miliardë dollarë dhe maksimumi do të ishte rreth 20 miliardë dollarë. Atëherë, përse u dashka të bëhet ky privatizim në këto kushte tepër të disfavorshme? Pra, të ardhura kolosale për një vend të vogël si i yni dhe për një mori e lloj vendburimesh që ekzistojnë tashmë tek ne. Kuptohet mjaft qartë që vlera e “Albpetrol”-it nuk është ajo që është paraqitur.
Shtuar kësaj edhe të drejtat që i janë dhënë privatizimit vlera shumëfishohet apo jo?
Patjetër.  Qeveria e ka pajisur Albpetrolin padrejtësisht edhe me disa licenca të tjera, të cilat janë; licenca për ndërtimin e një uzine të përpunimit të naftës. Duhet ta dijë publiku sot se për të ndërtuar një uzinë të tillë, kërkohen 300-500 milionë dollarë. Atëherë lind pyetja: kompania që është në krye të listës dhe kandidate për të fituar, ku do të investojë, në nxjerrjen e naftës apo në uzinën e re të përpunimit? Asaj i është dhënë licencë për import-eksportin e naftës, kur dihet tashmë që këto lloj licencash janë monopol shtetëror. Atëherë, çfarë po bëhet? I është dhënë licenca për struktura të reja për kërkimin e naftës dhe të gazit, për të cilat janë investuar tashmë shumë dollarë dhe prospektet e tyre janë të gatshme, duke u përdorur pa kriter kur këto janë pasuri të vendit apo dhe të kombit tonë. A e dinë pushtetarët tanë se këto lloj licencash nuk jepen me privatizim, por me lloje të tjera kontratash, siç do të ishte për shembull kontrata koncesionare me ndarje prodhimi?
Po jap disa shembuj: Në zonën e Dumresë është shpuar pusi Dumre-7, i cili arriti thellësinë 6119 m dhe vërtetoi plotësisht mendimin gjeologjik mbi një mbihipje të fuqishme të evaporiteve (kripërave) në drejtim të perëndimit. Pusi ka ngelur rreth 250-300m larg një objekti naftëmbajtës me përmasa të konsiderueshme. Pusi në metrat e fundit u shpua dhe u ndal nga kompania angleze “Premier Oil”. Me gjithë këmbënguljen e autorëve të pusit dhe të Institutit të Naftës Fier, kompania angleze e ndërpreu shpimin duke braktisur një zonë naftë-gazmbajtëse. Sipas tyre, pusi është i thellë dhe debitet e pritshme nuk mund të jenë të tilla që pusi të dalë efektiv. Mendohet që këtu të presim një nga vendburimet e mëdha dhe me naftë të lehtë, kjo do të ishte një pasuri shumë e madhe që do t’i vihej në shërbim këtij populli.
Atëherë pyetja është: Si është e mundur që një kompanie private si do të jetë ajo që do të marrë Albpetrolin, të marrë licencën për një vendburim të mundshëm kaq të madh nesër? Si mundet që një kompani private pa eksperiencë, pa para, pa institucione t’i besohet që të bëjë politikën e përdorimit të rezervave të naftës të kësaj pasurie kombëtare, që u takon brezave? Këto licenca i jep vetëm qeveria nëpërmjet institucioneve të saj dhe pronarit që është ministria e linjës? Janë kryer punime suplementare sizmike nga kompania amerikane “Oxidental” dhe nga studim-përgjithësimi i materialeve u arrit në të njëjtin përfundim me specialistët e Institutit të Naftës dhe u projektua pusi Shpiragu-1 (sot po shpohet në Shpiragun 2), i cili i takoi gëlqeroret rreth thellësisë 4900m duke vërtetuar mendimin shkencor të specialistëve shqiptarë, praninë e strukturave nën mbihipje.
Nga përvetësimi i këtij pusi, ndonëse ai është bërë me të meta serioze, u mor naftë e lehtë e tipit kondensatë (mesatarisht rreth 300-500 barela/ditë që janë baras dhe sasi të konsiderueshme gazi shoqërues. Ky rezultat nuk shpreh realitetin për debitet e pritshme të kësaj strukture. Ato do të jenë shumë herë më të mëdha. Kompania nuk ishte e kënaqur me debitin, sepse asokohe tregu i naftës kishte rënë shumë dhe për momentin nuk ishte me leverdi që të nxirrej kjo naftë. Por kjo nuk humbet perspektivën e kësaj zonë për të cilën priten rezerva të konsiderueshme.
Lind pyetja: Edhe në këtë vendburim të mundshëm do ta bëjë politikën një privat që, në fund të fundit në radhë të parë ka interesat e tij private, dhe jo ato strategjike apo të shtetit shqiptar? Ku po ndodh një gjë e tillë në botë, na jepni një shembull?
Ka patur të tjera kërkime?
Në bllokun e Durrësit, që përfshin ujërat detarë nga Durrësi deri në afërsi të Vlorës, në vitin 1993 u shpua një tjetër pus, i cili arriti thellësinë 3500 m. Ky pus ka dhënë gaz të thatë të tipit Divjaka, si dhe kondensatë të tipit Delvina. Sasia e gazit dhe kondensatit kanë qenë të kënaqshme, por kompania “Chevron” dhe “AGIP” e konsideruan jo komercial dhe e braktisën atë. Në këtë pus ka dhe një sërë shtresash të tjera gazmbajtëse, por nuk janë provuar fare. Veç kësaj, thellimi i tij në depozitimet karbonatike për të kapur nivelet naftëmbajtës që shfrytëzohen te pusi fqinj Falco-1 (Itali) nuk është bërë. Theksojmë se gjeologët italianë mendojnë se një pjesë e konsiderueshme e strukturës naftë-gazmbajtëse të kapur nga pusi Falco-1 vazhdon në territorin shqiptar. Këtë e mbështesin edhe specialistët tanë më të mirë që janë marrë direkt me projektimin e këtyre puseve. Mund të themi me kompetencë se pa pjesëmarrjen e specialistëve tanë të talentuar në projektimin që po bëjnë kompanitë e huaja, nuk do të kishim arritur kurrë kaq rezultate pozitive. Ndoshta për momentin shtetit tonë i mungojnë pajisjet teknologjike për realizimin e shpimit të puseve dhe të kryerjes së operacioneve gjeologo-kantierale, por ne kemi një elitë ekspertësh të cilët janë të talentuar dhe punojnë me dinjitet sot në fushën e naftës, qofshin në Shqipëri apo jashtë. Një strukturë e mrekullueshme me koeficient shumë të lartë sigurie për naftë-gazmbajtëse është dhe në bllokun Joni-5.
Nga vlerësimet e bëra prej firmave të huaja në këtë strukturë  rezulton se ka prospekte me rreth 150 milionë tone rezerva nafte dhe rreth 400-500 miliardë metër kub gaz. Aty ku sot po bëhet debati për papërgjegjshmëritë që kanë filluar dhe vazhdojnë të bëhen ende. Ka dhe shumë shembuj të tjerë të cilët mund t’i japim për të treguar që ne jemi një vend potencial me naftë dhe gaz, si: kompania “Sky Petroleum”, e cila faktikisht ka disa vite që ka marrë me licencë një strukturë të re dhe po investon për punime sizmike, gjeologo–kërkuese dhe do të arrij në përfundimin e një shpimi pusi për të konkluduar nëse do të vazhdojë apo jo në eksplorimin e mëtejshëm të kësaj strukture.
Por, çfarë ndodh? Kësaj kompanie i hiqet licenca apo territorit ku ajo po bën eksplorime i jepet një kompanie tjetër duke iu bashkangjitur si pasuri e Albpetrolit, kur në fakt nuk është e tillë. Përse duhet të shkohet në gjyq? Pse këto para t’i paguajë shteti jonë, në fund të fundit, nga taksat tona?
Ja pra, përse duhet të tregojmë përgjegjshmëri të lartë në menaxhimin e tyre. Sepse këto lloj licencash jepen me modele kontratash që i përdor e gjithë bota e qytetëruar dhe këto kontrata jepen vetëm me koncesion, dhe jo më shumë se 20-25 vjet. Ndryshe kjo do të ishte tradhtia më e madhe që po i bëhet pasurive të këtij vendi. I është dhënë licenca për import-eksportin e gazit dhe shumë e shumë të tjera, të cilat ne tashmë nuk i dimë për mungesë të transparencës së plotë. Por vetëm dua të them se licenca e import-eksportit të gazit kërkon një investim prej rreth 300-500 milionë dollarësh dhe fitimet janë të jashtëzakonshme.  Unë pyes: Përse vallë bëhen këto krime në ekonominë e vendit tonë? Ku janë intelektualët që duhet të flasin dhe ta mbrojnë këtë pasuri, sepse këtë detyrë e ka secili prej nesh, nëse organet kompetente nuk flasin? Duke parë se po jepen pothuaj të gjitha licencat të cilat kushtojnë miliarda e miliarda dollarë, kjo do të thotë se ankandi i bërë nuk është gjë tjetër veçse një farsë një tentativë për të shitur pasuritë e këtij vendi që rënkon dita–ditës.
Afatet e privatizimit të “Albpetrol”-it mbaruan, çfarë do të ndodhë?
Më datën 03 nëntor 2012 u shpall fituesi dhe brenda një muaji kompania që fitoi duhej të mbyllte kontratën, ndonëse u gjet një hapësirë ligjore, siç thonë qeveritarët, se do të shtyhej edhe një muaj, që i bie deri më 03 dhjetor 2012, përsëri nuk po shohim që të realizohet ky privatizim. Për mendimin tim, përveç arsyeve të tjera që thashë më lart për pamundësinë e këtij privatizimi, do të shtoja edhe këto të tjera:
1. Kompania që u afrua për këtë privatizim ishte një kompani e sajuar, një kompani e cila në 51% të aksioneve e ka pronari i cili ka vite që ka në pronësi “Armo”-n dhe po e shikojmë se si e menaxhon dhe çfarë eksperience ka në këtë fushë. Pjesa tjetër e aksioneve janë nga kompani fantazma në këtë fushë të cilat kërkojnë të futen në një fushë, ndoshta, për qëllime të tyre të paramenduara.
2. Vetë shteti shqiptar nuk e kishte përgatitur për privatizim në mënyrë transparente “Albpetrol”-in. Kjo u duk që nga shpejtësia e privatizimit, koha në cilën u paraqit për privatizim, ligji i cili lejonte këtë lloj privatizimi. Sot po del në pah: Cilat janë në të vërtetë pasuritë që po privatizohen? Cilat janë të drejtat e kompanisë pas privatizimit? Cili do të jetë raporti me kompanitë që tashmë janë në aktivitet në fushat e naftës në territorin e Albpetrolit? Cilat janë të drejtat e kompanisë që do e privatizojë në zonat e reja të kërkimit (Lista C)? Që sot, pa ndodhur privatizimi, kanë filluar konfliktet me shtetin për Listën “C” ku ka përplasje interesash, kur në fakt për rastin e “Sky Petroleum” unë mendoj se ka plotësisht të drejtë, sepse ka vite që bën kërkime duke shpenzuar miliona dollarë.
3. Në krizën ekonomike dhe financiare që ka kapur sot Evropën dhe Amerikën, pothuaj të gjithë botën, nuk është e lehtë që të bëhet një privatizim i tillë nga kompani fantazma, të merren këto para në banka, kur faktikisht janë në një monitorim shumë të rreptë, dhe këtë e bëjnë sot organizmat financiare botërore. Flitet sot për para të lira që kërkohen të pastrohen, por nuk është e lehtë që në vlera të tilla kaq të mëdha të kalojnë pa lënë gjurmë. Nëse merren këto para nga bankat ndershmërisht, atëherë duhen të paraqiten projekte reale dhe me një afat kthimi të shpejtë, ndryshe brenda pesë vitesh ajo kompani do të falimentojë.
Atëherë unë bëj pyetjen: Cilat janë këto projekte që do të aplikohen në naftë dhe do të dalin me fitim kaq të madh sa të shlyejnë kredinë e marrë kur ne e dimë se çfarë naftash kemi? Përse aksionerët që kanë privatizuar “Armo”-n nuk po e modernizojnë atë, por përkundrazi e kanë çuar drejt falimentimit?
4. Kompania kineze që po mundohet të kryeje bisedime me Qeverinë, e ka të pamundur të realizojë këtë proces privatizimi, kjo sepse vetë procesi i privatizimit u bë në mënyrë jotransparente dhe se ka probleme thelbësore në ligjin e ndërtuar, krijuar dhe miratuar nga parlamenti i vendit.
Kompania kineze dhe vetë shteti i Kinës nuk shquhen në fushën e hidrokarbureve. Ata kanë problemet e veta, ndoshta me të ndërlikuara se tonat në këtë fushë, kanë mungesa të theksuara në furnizimin me karburante. Është një shtet që sot për rreth 80 përqind të energjisë së vendit përdor qymyrin dhe me sasinë e naftës që nxjerr vetë nuk mbulon as 10 përqind të kërkesave. Po të futesh dhe të kërkosh për këtë kompani, nuk gjen asgjë. Atëherë si do ta marrë kjo kompani naftën shqiptare? Ku janë institucionet që duhet të flasin dhe veprojnë në këtë moment të vështirë? Ku është ministria e linjës? Ku është komisioni i famshëm që renditi kompanitë fantazmë? Ku është prokuroria që duhej të fillonte hetimet?
5. Sido të veprojë qeveria, privatizimi i naftës do të jetë i pamundur dhe ajo që është kryesorja, në fushata elektorale kurrë nuk bëhen privatizime strategjike, edhe nëse do arrijë ta bëjë Sali Berisha, qeveria që do të vijë duhet ta anulojë atë. Por në naftë ka edhe probleme të tjera të cilat janë shumë të rëndësishme. Dhe askush nuk po jep shpjegim apo nuk po mban përgjegjësi për këto probleme dhe fenomene që janë me ndikim ekonomik në jetën e qytetarëve tanë në këto zona, dhe mund të jap disa shembuj: Kush i shkakton tërmetet në zonat naftëmbajtëse? Nga përvoja ime mbi 25-30 vjeçare mund të them se parimet bazë të inxhinierisë së shfrytëzimit të hidrokarbureve janë: ruajtja e qëndrueshmërisë së nëntokës dhe shfrytëzimi racional i rezervave që gjenden në rezervuarin industrial. Ndërsa kemi qenë dhe jemi kundër të ashtuquajturit “shfrytëzim barbar”, pa projekte dhe pa kushte të mirëfillta tekniko-shkencore të vendburimeve.  Sigurisht që të nxjerrësh një përfundim të saktë në lidhje me teknologjinë që aktualisht aplikohet në këto vendburime me parimet bazë të inxhinierisë së nëntokës, është e nevojshme të njihen shumë parametra të kësaj teknologjie. Kështu, nuk kemi të qartë si është raporti i fazës së lëngët (naftë-ujë) me fazën e ngurtë që del nga pusi si në tempet ditore, por dhe në sasi kumulative; si janë reflektuar të ndara marrjet e fluideve në një grup pusesh në raport me njëri-tjetrin dhe çfarë skenarësh janë simuluar dhe cili është skenari përfundimtar i zgjedhur për shfrytëzimin e zonave të caktuara dhe kriteret përkatëse.
Këto janë të shkruara edhe nga prof. Fatmir Shehu, që është një nga specialistët më të mirë të naftës dhe që në kohë të caktuar të diktaturës është goditur edhe madje mjaft fort. Po ashtu nuk kemi të qartë pozicionin hapësinor – tredimensional të trungjeve të puseve të rinj me ata të vjetrit që ekzistojnë  në një parcelë të caktuar. Në këtë kontekst, duhet të jenë të qarta raportet e trungjeve të rinj me shtresat ujëmbajtëse të trungjeve të vjetër, të cilët në momente të caktuara të gjendjes së tensioneve treaksiale, në një zonë të caktuar mund të ndodhin shpërthime të ujërave nga shtresat ujëmbajtëse relativisht të paeksploruara dhe me energji më të madhe, në shtresat naftëmbajtëse dhe si rrjedhim ndodhin shpërthime hidraulike që shoqërohen me fenomene të implozionit dhe të lëkundjeve masive. Sepse ka disa raporte midis distancës së puseve dhe hapësirës që ato shfrytëzojnë, përdryshe do të ndodhemi para disa fenomeneve, të cilat janë të pashpjegueshme për momentin, por plotësisht të qarta po të studiohen dhe këto studime të respektohen konform rregullave.
Po kështu nuk dimë gjatësinë e sektorit horizontal të puseve konkrete, raportin e tij me formacionet rrethuese, raportet që ka gjeometria e këtij sektori me gjeometrinë e shtresave që intersekton, pa folur këtu për karakteristikat fiziko-mekanike të shtresave që intersekton. Po ashtu nuk dimë se si janë pajisur kolonat e shfrytëzimit karshi shtresave produktive; a pengohen ardhje të materialit të ngurtë që cenon strukturën agregate fiziko-mekanike të shkëmbit produktiv. Ka një problem madhor në shfrytëzimin e shtresave të naftës në zonën Patos-Marinëz. Ato janë shtresa me shkallë çimentimi të dobët, gjë nuk e lejon shfrytëzimin makabër që bën kompania “Banker’s”.
Ato janë shtresa jo me përbërje ranori 100%, por në përbërje kanë edhe argjila që do të thotë se e vështirësojnë akoma me tepër shfrytëzimin intensiv të tyre. Ka një problem themelor, ligji i bilancit material, aty del sasi nafte, uji, gazi dhe rërë, po a evidentohet e gjithë kjo sasi? Dhe si reflektohet ajo? A mos po manipulohen të dhënat sipas dëshirës së kompanisë? Kjo do të ishte vetëvrasje për vendin dhe kombin, sepse është një pasuri që i takon të gjithëve dhe të gjithë brezave. Të gjitha këto fenomene dhe procese duhet t’i monitorojë qeveria dhe duhet t’u japin përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur dhe pikërisht: Përse ndodhin tërmetet në Zharrëz? Janë fenomene natyrore apo fenomene nga shfrytëzimi barbar i vendburimit të naftës? Përse nuk bëhet transparencë për këto probleme si nga kompania, ashtu edhe nga ministria që e ka për detyrë ta bëjë këtë transparencë? Kush do të mbajë përgjegjësi për shkatërrimin e shtëpive dhe ambienteve të gjithë zonës së naftës që nuk është pak? Kush duhet të paguajë për ndotjen e ambientit në të gjithë këtë territor, ku jetëgjatësia nuk shkon me tepër se 55-60 vjeç? Kush do të mbajë përgjegjësi për shfrytëzimin barbar që bën kompania dhe që në të ardhmen po ngelet vetëm “tokë e djegur”? A e jep dot këtë përgjigje organizmi që mbulon ministrinë?

Gazeta Dita, 14.02.2013