Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shalsi: Mos shiten 4 HEC-et, rritet 4 herë fatura e shqiptarëve

4 HEC-et nuk duhen shitur. Privatizimi është kosto e rritur për qytetarët e vendit. Ka argumentuar kështu deputeti socialist Eduard Shalsi në një komunikim me mediat gjatë mesditës së djeshme. Shalsi në deklarimin e tij duke u mbështetur në grafikët e çmimeve ka theksuar se nëse sot shteti shpenzon 6.4 milionë euro për energjinë që prodhojnë këto 4 hidrocentrale pas privatizimit do të shpenzojë 27 milionë euro. Kjo diferencë e madhe, sigurisht, që do të paguhet nga konsumatorët shqiptarë, kur fare mirë ato të para të buxhetit mund të shpenzohen për qëllime sociale, apo në shërbim të qytetarëve në nevojë.  Edhe sot Partia Socialiste ka rikërkuar që qeveria të pezullojë menjëherë shitjen e 4 HEC-eve.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit socialist Eduard Shalsi:
Prej disa ditësh i kemi kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë shitjen e 4 HEC-ve duke e konsideruar aktin e shitjes si një gabim të madh dhe një veprim që shkon kundër interesave të shqiptarëve.
Deri më tani kemi argumentuar diferencat e çmimeve midis shitjes së Lanabregasit dhe 4 HEC-ve, kemi dëshmuar mbi ndryshimin e kriterit të investitorit strategjik me një Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që ligjin e ka miratuar parlamenti shqiptar, si dhe kemi depozituar një kallëzim penal në prokurorinë e rrethit Tiranë.
Sot do t’u shpjegojmë shqiptarëve dhe me shifra se përse nuk duhet të shiten/ privatizohen këto HEC-e.
Të 4 HEC-et kanë një fuqi prej 78 MW-ësh dhe prodhojnë mesatarisht rreth 400 milionë kwh në vit, që duke u shumëzuar me 2.2 (që është çmimi i vendosur nga ERE sipas tabelës bashkëlidhur të tarifave të shitjes së energjisë nga këto HEC-e) bëjnë 880 milionë lekë.
Pra, për të plotësuar sot nevojat e konsumatorëve shqiptarë për rreth 400 milionë kwh që qeveria shqiptare shpenzon 880 milionë lekë ose 6.4 milionë euro. Por çfarë ndodh pas shitjes? Pas shitjes së 4 HEC-eve qeveria shqiptare duke iu referuar po të njëjtës tabelë që përcakton tarifat e shitjes nga privati nesër, domethënë pas privatizimit, qeveria shqiptare do të duhet të shpenzojë 3.720 milionë lekë ose 27 milionë euro. Pra, blerja e sasisë prej 400 milionë kwh që sot, para privatizimit i kushton shqiptarëve 6.4 milionë euro, nesër pas privatizimit do t’i kushtojë shqiptarëve 27 milionë euro.
Ndërkohë që blerësi i HEC-eve do të ketë mundësinë që brenda 4 viteve të ketë marrë mbrapsht sasinë e parave të shpenzuara për blerjen e HEC-eve, shqiptarët do të paguajnë 4 herë më shumë nga çfarë paguajnë tani, që do të thotë që shqiptarët do të kenë në buxhetin e tyre 4 herë më pak para për shkolla, kopshte, çerdhe apo dhe asistencë sociale.
Kjo është një llogaritje e thjeshtë për çdo shqiptar dhe cilindo që dëshiron të kuptojë se pse shitja e HEC-eve është e paleverdishme për shqiptarët dhe me pasoja ekonomike, por edhe sociale. Ndaj ne i rikërkojmë qeverisë që të pezullojë menjëherë shitjen e tyre.

energjia.al, 29.01.2013