Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet ligji per lehtesimin fiskal te ndertimit te HEC-eve

LIGJ Nr. 125/2012 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 7928, DATË 27.4.1995 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje te neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 19 “Furnizimet e përjashtuara”, në pikën 1, pas numrit “25.9” shtohet numri “25.10”.
Neni 2
Pas nenit 25/9 shtohet neni 25/10 me këtë përmbajtje:
“Neni 25/10
Hekuri dhe çimentoja
Furnizimi i hekurit, i klasifikuar në krerët 7213 dhe 7214 të NKM-së dhe çimentos, i klasifikuar në kodet 2523 29 00; 2523 30 00 dhe 2523 90 00 të NKM-së ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve, është furnizim i përjashtuar. Procedura e përjashtimeve, kriteret dhe përcaktimi i llojit e sasisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Në nenin 26 “Importimi i mallrave”, fjalia e parë e pikës 2.1 zëvendësohet me fjalinë me këtë përmbajtje:
“Për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht nga lloji i saj, me përjashtim të makinerive dhe pajisjeve të përcaktuara në shkronjat “g” dhe “gj” të nenit 26/1 të këtij ligji, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj.”.
Neni 4
Në nenin 26/1 “Furnizimet e përjashtuara në import”, pas shkronjës “f” shtohen shkronjat “g”, “gj”, “h” dhe “i” me këtë përmbajtje:
“g) Importimi i makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50 milionë lekë, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Lista e makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për këto makineri dhe pajisje, të cilat janë importuar nën skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH-së dhe afati i dhënies së autorizimeve nga administrata doganore ose nga Ministri i Financave nuk ka mbaruar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, tatimi mbi vlerën e shtuar përjashtohet. Në rastet kur TVSH-ja e shtyrë është paguar, shuma e paguar nuk rimbursohet.
Në rastin e subjekteve, të cilat kanë bërë importim të makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50 milionë lekë, nën skemën e shtyrjes së TVSH-së dhe për të cilat ka mbaruar afati i shtyrjes së autorizimit nga administrata doganore apo Ministri i Financave në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk kanë TVSH për rimbursim tek administrata tatimore, u shuhet borxhi doganor.
Në rastin e subjekteve, të cilat kanë bërë importim të makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50 milionë lekë, nën skemën e shtyrjes së TVSH-së dhe për të cilat ka mbaruar afati i shtyrjes së autorizimit nga administrata doganore apo Ministri i Financave në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe kanë TVSH për t’u rimbursuar nga administrata tatimore, u shuhet borxhi doganor për TVSH-në e shtyrë, me kusht që të mos pretendojnë shumën e TVSH-së për rimbursim tek administrata tatimore. Procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
gj) Importimi i makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve, pavarësisht nga vlera e investimit, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Kategoritë e operatorëve ekonomikë, që përfshihen në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lista e makinerive dhe pajisjeve, që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për këto makineri dhe pajisje, të cilat janë importuar nën skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH-së dhe afati i dhënies së autorizimeve nga administrata doganore ose nga Ministri i Financave nuk ka mbaruar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, tatimi mbi vlerën e shtuar përjashtohet.
Në rastet kur TVSH-ja e shtyrë është paguar, shuma e paguar nuk rimbursohet.
Në rastin e subjekteve, të cilat kanë bërë importim të makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, nën skemën e shtyrjes së TVSH-së dhe për të cilat ka mbaruar afati i shtyrjes së autorizimit nga administrata doganore apo Ministri i Financave në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe nuk kanë TVSH për t’u rimbursuar nga administrata tatimore, borxhi doganor shuhet.
Në rastin e subjekteve, të cilat kanë bërë importim të makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv dhe të agrobiznesit, nën skemën e shtyrjes së TVSH-së dhe për të cilat ka mbaruar afati i shtyrjes së autorizimit nga administrata doganore apo Ministri i Financave në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe kanë TVSH për t’u rimbursuar nga administrata tatimore, u shuhet borxhi doganor për TVSH-në e shtyrë, me kusht që të mos pretendojnë shumën e TVSH-së për rimbursim tek administrata tatimore. Procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
h) Importimi i hekurit, i klasifikuar në krerët 7213 dhe 7214 të NKM-së dhe çimentos, e klasifikuar në kodet 2523 29 00, 2523 30 00 dhe 2523 90 00 të NKM-së, të importuar nga subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjeve respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve, është furnizim i përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Procedura e përjashtimeve, kriteret dhe përcaktimi i llojit e sasisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
i) Importimi i makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit mbi të ardhurat personale mbi biznesin e vogël, në funksion të realizimit të aktivitetit të tyre prodhues, është furnizim i përjashtuar. Lista e makinerive prodhuese që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 20.12.2012
Shpallur me dekretin nr.7914, datë 7.1.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

energjia.al, 11.01.2013