Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shitja e 4 HEC-ve, dëmi 30 mln euro në vit

Shitja e katër hidrocentraleve, Ulës, Shkopetit Bistricës 1 dhe 2 do të kushtojnë buxhetit të shtetit një humbje prej rreth 30 milionë euro në vit. Por kjo nuk do të jetë kostoja e vetme të që do të paguajnë taksapaguesit shqiptare në rast se shitja e hidrocentraleve do të finalizohet. Sipas ekspertit të energjetikës Pajtim Bello, një tjetër faktor që do të prekë drejtpërdrejt interesat e qytetarëve është humbja e kontrollit për të mbrojtur interesat e konsumatoreve në lidhje me çmimin e energjisë. Qeveria ka nxjerrë në shitje katër HEC-e si, është kryer edhe faza e parë e tenderit ku janë hapur ofertat. Si e vlerësoni këtë vendim? Vendimi i qeverisë për futjen e katër hidrocentraleve në privatizim është i pa motivuar. Ky privatizim nuk është kërkesë e tregut të energjisë elektrike, nuk sjell investime në sektorin e energjisë elektrike dhe nuk rrit fuqinë e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike. Ky privatizim bëhet politikisht dhe thjesht ndërron pronësinë dhe numrin e llogarisë nga shteti tek privati. Por problem nuk qëndron këtu. Gjithë kjo ndërmarrje e qeverisë është një gabim që shqiptarët do ta paguajnë gjithë jetën. Sa dëmtohet ekonomia shqiptare nga ky privatizim? Dëmi që i shkaktohet ekonomisë është i madh dhe në shumë plane. Së pari ulet fondi shtetëror i burimeve të prodhimit të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë dobësohet mundësia e qeverisë për mbështetjen sociale, kur flitet për çmimin e energjisë elektrike për popullsinë. Së dyti pakësimi i këtij fondi do të rrisë importin nga KESH sha, pra do të kërkojë fonde të cilat KESH sha nuk i ka, gjë kjo që është e provuar edhe në këto dy vitet e fundit. Së treti KESH sha nuk do të mund të paguajë dot energjinë elektrike që blen nga prodhuesit e rinj të energjisë elektrike, siç ka ndodhur edhe në këtë vit. Kriza financiare e KESH sha do të vijë duke u përkeqësuar dhe kjo do të ndikojë në financat e investitorëve privatë, referuar skemës së zgjedhur nga qeveria. Së katërti pamundësia e financave të KESH sha do të shkarkojë mbi buxhetin e shtetit. Kjo ka ndodhur për këtë vit, por për vitin 2013 pikërisht për këtë arsye u hoq edhe tavani i borxhit publik!… Së fundi vetëm nga ky privatizim për çdo vit buxheti i shtetit do të rëndohet me rreth 30 milionë euro, gjobë kjo e përvitshme, dhuratë që do të na i lerë Qeveria Berisha. Pra siç duket demi ndaj ekonomisë është i madh dhe për gjithë jetën. Privatizimi i këtyre hidrocentraleve a mund të cënojnë sigurinë kombëtare? Kur gabohet në privatizimin e sektorëve strategjikë, pa tjetër që ndikimet dalin jashtë rrethit apo kufirit ekonomik. Kjo është provuar me privatizimin e dështuar në ish-sektorin e shpërndarjes të energjisë elektrike, ku është cënuar ekonomia, buxheti i shtetit, buxheti i familjeve, i bizneseve dhe në tërësi cilësia e jetës së shqiptarëve. Me privatizimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike do të përballemi me të njëjtat problem, në një kohë të afërme dhe pasojat do të jenë më të mëdha. Pra cënimi i stabilitetit të vendit do të ndodhë në mënyrë të pa shmangshme. Të gjithë jemi dëshmitarë çfarë po ndodh me CEZ shpërndarje, kur Qeveria de facto ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar ndërhyrjen e policisë mbi administratën dhe ambientet e kësaj kompanie. Unë i rekomandoj qeverisë të stopojë këtë privatizim dhe të ndërrojë sjelljen ndaj sektorëve strategjikë të ekonomisë. Thellimi në rrugën e gabuar do të rrisë kostot ndaj ekonomisë.
Ofertat
Ulëza dhe Shkopeti
Oferta e parë për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 26 milionë e 500 mijë euro
Oferta e dyte për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 31 881 084 euro
Oferta e tretë për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 15 milion e 800 mije euro
Oferta e katërt nga Coruom Internacional 57 milionë e 500 mijë euro
Bistrica 1 dhe 2
Oferta e parë për HEC Bistrica 1-2, 30 milionë e 355 mijë euro
Oferta e dytë për HEC Bistrica 1-2, 44.847.496 euro
Oferta e trete për HEC Bistrica 1-2, 27 milionë e 500 mijë euro
Oferta e katërt për HEC Bistrica1-2, 19 milionë e 300 mijë euro

Gazeta Shekulli, 29.12.2012