Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol në ngërç, vjen në Tiranë një tjetër zyrtar i lartë amerikan

Procesi i privatizimit të “Albpetrol” ka ngecur sërish në zyrat e shtetit shqiptar. Afatet e lidhjes së kontratës kanë skaduar që ditën e diel, dhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimit nuk ka asnjë sinjal, të dhënë, apo informacion se përse nuk po bihet dakord për firmën finale. Në garë janë 850 milionë euro, si oferta më e madhe e konsorciumit “Vetro Energy”. Kjo e fundit është një bashkim shoqërish shqiptaro-amerikane (Rezart Taçi ka 51% të aksioneve me “Hyppo Oil”, amerikanët kanë 49% të aksioneve me “Silk Road Equity”), që ka shprehur publikisht sigurinë e saj financiare për blerjen e Albpetrolit. Në politikë nuk u besohet shumë rastësive, por duket se janë pikërisht amerikanët, në nivele të larta të qeverisjes, që kanë përkuar në datat kryesore të privatizimit të “Albpetrol”. Disa ditë para hapjes së ofertave të privatizimit, Shqipërinë e vizitoi zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Filip Riker. Riker qëndroi gjatë në Shqipëri, rreth 5 ditë, dhe më pas e vazhdoi vizitën e tij, jo larg jehonës së Tiranës, në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe u hapën ofertat dhe u pa se fituese ishte oferta tri herë më e madhe se pritshmëritë, e konsorciumit amerikano-shqiptar. Negociatat mes qeverisë dhe “Vetro Energy” po vazhdojnë përtej afateve ligjore dhe zhurmës së 850 milionë eurove nuk po i bëhet eko e madhe nga qeveria. Në këtë kohë, pikërisht kur duket se 850 milionë eurot e ofruara nga amerikano-shqiptarët po bëhen më pak të lakmueshme dhe bezdisshëm të negociueshme nga qeveria, në Tiranë vjen një tjetër personalitet i lartë i administratës amerikane. Dje nisi vizitën zyrtare drejtori për Çështjet e Europës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Xhonathan Moore. Ky i fundit do të qëndrojë në Shqipëri të paktën edhe ditën që vjen. Dy zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për procesin e privatizimit të “Albpetrol”, por thjesht vizitat e tyre, edhe të gjata, kanë përkuar me dy pikat kyçe të privatizimit të “Albpetrol”, hapjen e ofertave dhe firmosjen e kontratës. Duhet theksuar se në procesin e privatizimit është përfshirë edhe një tjetër kompani amerikane. “Patton Boggs” e drejtuar nga diplomati amerikan, Frank Wisner, është konsulentja e qeverisë shqiptare në procesin e privatizimit dhe paguhet sipas një kontrate suksesi. Në rast se “Albpetrol” shitet për 850 milionë euro, atëherë “Patton Boggs” përfiton 2.5% të kontratës, ose rreth 22 milionë euro.

Gazeta Panorama, 05.12.2012