Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Viti 2012 me importin më të lartë të energjisë

Kriza energjetike dhe nevoja për furnizim të pandërprerë me energji ka sjellë në rritjen e importit për këtë produkt, duke sjellë një shifrë të lartë për vitin që po lëmë pas. Që nga viti 1998 dhe deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka importuar në total rreth 23, 330 GWh. Një shumë e konsiderueshme kjo, që padyshim ndikon në përkeqësimin e bilancit tregtar të vendit. Në më të shumtën e rasteve ekspertët e energjisë e kanë argumentuar importin në rritje me humbjet në rrjet, duke përjashtuar afërsisht 30% të vlerës si humbje teknike. Megjithatë, grafiku jep të dhënat deri në 6-mujorin e parë të vitit 2012, që arrijnë në 1706 GËh. Periudha e tejzgjatur e thatësirës dhe ngërçi i mosshlyerjes së borxheve që po shtrëngon tre operatorët kryesorë në treg lë të kuptohet se ky do të jetë viti me importin më të lartë të energjisë. Këtë e vërtetojnë edhe shifrat. Kompania private ka hequr dorë nga importi i detyruar për humbjet në rrjet, duke argumentuar se nuk ka fuqi financiare nëse nuk i shlyhen detyrimet.
Në muajt shtator, tetor dhe nëntor importi i energjisë është kryer nga KESH dhe kështu pritet të vazhdojë të paktën deri në fund të vitit. Korporata ka marrë mbi shpatullat e saj edhe barrën e humbjeve që vijnë për shkak të vjedhjeve, apo pamundësisë së arkëtimeve nga kompania private, duke e rënduar edhe më shumë situatën e vetë financiare. KESH nga ana tjetër pretendon se ka të pashlyera deri tani 208 milionë euro energji të importuar nga kompania private e shpërndarjes së energjisë. Me këto ritme, ku në periudha optimale po importohen 8 milionë kilovatorë në ditë, importi total gjatë këtij viti pritet të kalojë kufirin prej 3 mijë GWh. Qeveria ka hyrë në bisedime me Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare për marrjen e një kredie prej 100 milionë euro për sigurimin e importit deri në fund të muajit shkurt.
Fati i CEZ nga ana tjetër është ende i papërcaktuar dhe nëse ecet me këtë ritëm vendi ynë ka mundësi të kalojë një kolaps energjetik. Për të siguruar një furnizim më të qëndrueshëm të konsumatorëve, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, qeveria ka ndërmarrë disa hapa për zhvillimin e sektorit, duke mbështetur investimet private në ndërtimin e veprave të prodhimit të energjisë nga burime alternative, investime që në të vërtetë kanë mbetur deri tani në letër.

Gazeta Dita, 30.11.2012