Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-i i Kalivaçit, akuzë në Prokurori për mashtrim

Pronari i koncesionarit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit është paditur në Prokurori për mashtrim. Sipas kallëzimit të depozituar në organin e akuzës, Francesco Becchetti akuzohet nga firma “C.A.E” edhe për falsifikim të dokumenteve.  Në shkresën e depozituar kërkohet ndjekje penale. “Kërkoj nga ana juaj fillimin e procedimit penal në ngarkim të të akuzuarit Francesco Becchetti, për veprat penale “mashtrimi” dhe “falsifikim të dokumenteve”, të parashikuara nga nenet 143 par. 2 dhe 186 par. 2 të Kodit Penal”, thuhet në fund të kallëzimit të “C.A.E”
Akuza
Dokumenti akuzues përmban informacion për një skemë, sipas tyre, të abuzimit dhe mospagimit të firmave nënkontraktore për punimet e kryera në HEC. “C.A.E” tregon në akuzën e saj se janë të paktën tri firma shqiptare, që kanë kryer punimet në hidrocentral dhe nuk janë paguar nga i akuzuari Becchetti.
“Kallëzuesi ka lidhur më datë 18.12.2007 një kontratë për kryerjen e gërmimeve dhe heqjen e inerteve nga pellgu i hidrocentralit të Kalivaçit. Kontrata është lidhur me “Energji” sh.p.k., që është prezantuar nga i akuzuari si nënkontraktore e “BEG” s.p.a. që ishte shoqëria koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Vetë prezantimi dhe ndërfutja e këtyre dy kompanive është një mashtrim tjetër, pasi sipas të gjitha dokumenteve zyrtare, në atë kohë koncesionari i ri ishte “Kalivaç Green Energy” sh.p.k., në pronësi të “Hydro” s.r.l., por i akuzuari e ka ditur shumë mirë që nëse nuk do të prezantohej si shoqëri koncesionare, askush nuk do të lidhte kontrata me vlera të tilla me të. Në vijim, kallëzuesi ka punuar deri në tetor 2009 për kompanitë e të akuzuarit dhe nuk është paguar për punët e kryera nga marsi deri në tetor 2009. Konkretisht, kallëzuesi ka kryer punime në favor të kompanive të drejtuara nga i akuzuari, në shifra marramendëse dhe ende nuk është paguar për më shumë se dy milionë euro, ndërsa i akuzuari për të gjitha këto punime është paguar nga “Deutsche Bank AG” dhe nuk pranon që t’i bëjë pagesat kallëzuesit”. Sipas dokumentit të depozituar në Prokurori nga “C.A.E”, “provohet në mënyrë të pakundërshtueshme ana objektive e veprës penale të mashtrimit, që është vjedhja e pasurisë së kallëzuesit nëpërmjet mashtrimit të këtij të fundit, vërtetohen edhe elementet e tjera të veprës penale si: Objekti i saj, që është pasuria e kallëzuesit; Ana subjektive, që është dashja direkte e të akuzuarit si nëpërmjet paraqitjes së situatave dhe rrethanave të rreme për të shtyrë në mirëbesim e më pas në lajthim kallëzuesin; Subjekti që është i akuzuari, person madhor dhe i përgjegjshëm.”
HEC-i
Në dokumentin e paraqitur në Prokurori, “C.A.E” u referohet edhe dokumenteve të tjera zyrtare në Itali dhe Shqipëri, që sipas saj kanë përplasje datash dhe të dhënash, që krijojnë dyshime për mashtrim edhe të shtetit shqiptar. “C.A.E” pretendon në dokumentet e saj se HEC-i i Kalivaçit i ka shkelur të gjitha afatet për prodhimin e energjisë. Sipas akuzës së “C.A.E”, Hec-i i Kalivaçit është kontraktuar nga qeveria shqiptare në vitin 1997 e edhe sot nuk ka filluar të prodhojë energji elektrike. Dokumentet e paraqitura në Prokurori nga “C.A.E” kanë edhe të dhëna të tjera lidhur me shtyrjen e afateve të vënies në punë të veprës, si dhe ndryshimeve të dyshimta mes regjistrave në Itali dhe atyre në Shqipëri.

Gazeta Panorama, 12.10.2012