Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria, “superfuqi energjetike” që nuk shet dot 4 HEC-e të vogla

Javën e kaluar, Kryeministri miratoi projektligjin “Për energjinë e rinovueshme”. Atë ditë, kreu i qeverisë u tregua tejet euforik për sektorin energjetik në vend, duke mos kursyer lëvdatat, krahasimet me perëndi dhe duke e konsideruar Shqipërinë, “superfuqia energjetike e rajonit”.
Faktet për fat të keq tregojnë të kundërtën. Duke filluar me parqet italiane të prodhimit të energjisë nga era (Karaburun), linjat nënujore të interkonjeksionit (Itali) dhe tokësore (Kosovë), 300 hidrocentralet e vogla, ku vetëm 8 për qind prodhojnë (projektet e tjera nuk kanë para, pasi janë të pabesueshme nga bankat dhe/apo partnerët e huaj), dhe së fundmi dështimi për shitjen e katër hidrocentraleve të vogla dhe të mesme, paraqesin një panoramë të zymtë të investimeve në vendin tonë.
Dilemat që shoqërojnë procesin e shitjes së katër HEC-eve, Bistrica I dhe II, në jug të vendit, dhe Ulëz-Shkopet në veri, janë të shumta. Duke qenë se bëhet fjalë për asete që gjenerojnë të ardhura të sigurta, rreth 20 milionë euro në vit, pyetja që shtrohet është se si mundet që asnjë investitor nuk paraqiti ofertë. Dhe nëse nuk e bëri për shkak se mungonte garancia bankare, sërish lind pikëpyetje, se pse bankat hezituan të japin garanci për një sektor efecient.
Kur vendi konsiderohet “superfuqi energjetike”, atëherë si mundet që qeveria nuk është e zonja të shesë katër HEC-e. Qeveria po tenton ta bëjë prej pesë muajsh dhe sërish dështon, e me këto ritme, pakkush mund të thotë me siguri se kur mund t’i realizojë.
Nëse Shqipëria paska “model të suksesshëm ekonomik”, aq sa para nesh kemi vetëm Gjermaninë me rritjen më të madhe ekonomike, e ndërsa Kryeministri thotë se klima e investitorëve të huaj me shtetin tonë është pozitiv, si mundet që kemi disa dështime radhazi në privatizimin e sektorëve të rëndësishëm.
“Me këtë ligj, jo vetëm inkurajojmë, por edhe garantojmë investitorët e kësaj fushe, garantojmë funksionimin e tregut, garantojmë konsumatorin”, u shpreh javën e kaluar Kryeministri.
Të bësh biznes në Shqipëri, sipas Bankës Botërore, jo gjithnjë është e lehtë, duke nisur nga çështja e kostos së taksave, e deri te problemi me pronat.
Zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, që është edhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, tha se privatizimi i katër HEC-eve me kapacitet 76 megavat dështoi, sepse investitorët donin më shumë garanci, në aspektin ligjor, por edhe në atë tregtar. Sipas tij, të interesuarit për të blerë objektet, jo vetëm që u mungonin këto garanci, por nuk kishin siguruar besimin e bankave për të marrë kredi. Këtu ka dyshime, pasi çdo bankë mund të jepte kredi për një objekt si Bistrica, investim gjerman prej 30 milionë eurosh dhe energji të garantuar gjithë vitin. Gjithashtu, Ulëza dhe Shkopeti konsiderohen objekte me shumë vlerë, pasi në kaskadat e tyre buron ujë në mënyrë të pandërprerë dhe ku shteti ka siguruar të gjitha pajisjet. Investitorit nuk do t’i nevojiteshin para shtesë për të shpenzuar për pajisjet.
Ndoshta, për shkak të pasigurive në vend, qeveria tashmë nuk po arrin të shesë as asetet më fitimprurëse. Nuk mund të mohohet fati se opozita e sotme ka deklaruar se kur të vijë në pushtet do t’i rishikojë të gjitha praktikat e privatizimeve dhe kush rezulton me shkelje, do të anulohet.
Berisha: Kemi burime ujore, diell dhe perëndi ere
“Shqipëria ka burime kolosale jo vetëm ujore, por ajo është një prej vendeve me më shumë ditë me diell në rajon e më gjerë. Shqipëria ka disa platforma mitike ere. Po të shkosh atje, të duket sikur perënditë e erës kanë ndërtuar shtëpitë aty. Edhe këto platforma do të jenë një burim i fuqishëm i prodhimit të energjisë së rinovueshme. Me ligjin që miratojmë, ne përpiqemi të garantojmë kuadrin ligjor më të shkëlqyer për investitorët, që të shfrytëzojnë burime maksimalisht dhe në përputhje e respekt të plotë të mjedisit, kjo në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Interesi është shumë i madh në të gjitha aspektet, nga hidroenergjia tek energjia gjeotermike. Me këtë ligj, jo vetëm inkurajojmë, por edhe garantojmë investitorët e kësaj fushe, garantojmë funksionimin e tregut, garantojmë konsumatorin, si dhe krijohet një fond kombëtar për energjinë e rinovueshme, i cili do të ketë synim kryesor të inkurajojë, të mbështesë e të zbusë kreditë, pra, një seri objektivash në projektin dhe vizionin tonë: Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon”.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit, më 12 shtator 2012
Modeli i suksesit!
“Liria ekonomike, vazhdoi më tej Kryeministri, taksat e ulëta, qeveria e vogël, përmirësimi i klimës së biznesit dhe zhdukja e pengesave burokratike, e bëjnë modelin tonë, një model suksesi”, deklaron Kryeministri.
Dështimet e mëdha
Nëse investitorët e huaj do të kishin klimë të sigurt, faktet nuk do të ishin edhe aq negative. INSIG, disa aksione të “Albtelecom”, misteri i “Albpetrolit”, dështimi me 4 HEC-e, minierat me vdekje etj., tregojnë të kundërtën.

Gazeta Shqip, 16.09.2012