Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH nuk shlyen faturat e HEC-eve lokale

Kriza, korporata, në situatë të vështirë. Privati pret paratë e energjisë së shitur.
Me ligjin e ri të koncesioneve, e gjithë sasia e energjisë elektrike që prodhohet nga privati në vend duhet të blihet nga KESH-i, me detyrim, madje me çmim afro 9 lekë për kilovat. E shtyrë nga fakti se kjo skemë nxit investitorët e huaj dhe vendas, qeveria ka futur në “kurth” KESH-in, e për rrjedhojë edhe vetë firmat që kanë marrë kredi në banka, të cilat tashmë janë futur në zinxhirin e borxheve.
Tre muaj më parë, kur ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, prezantoi disa lehtësi në sektorin e koncesioneve te HEC-et, shumë pronarë u ankuan se KESH nuk u shlyen në kohë faturat e energjisë elektrike të prodhuar, sipas ligjit të miratuar në 2006-n. Çdo muaj ata paraqesin pranë korporatës fatura që shkojnë mesatarisht 300 milionë lekë, por KESH nuk u përgjigjet në kohë, për shkak të pamundësisë. Situata është komplikuar edhe për shkak të çmimit të vendosur nga ERE, i cili llogaritet mbi mesataren e tarifës së importit të tri viteve të fundit, plus 10 për qind. KESH ka probleme edhe me importuesit, të cilët kanë arritur t’i bllokojnë llogaritë bankare, duke e vendosur në vështirësi.
Pavarësisht këtyre problemeve, Kryeministri vijon ende t’u bëjë thirrje investitorëve të ndërtojnë sa më shumë hidrocentrale në vend, madje sipas tij, “qeveria i garanton blerjen me çmim tregu”.
Në letra, qeveria duket se ka bërë kërdinë me projektet energjetike, aq sa do ta kishte zili çdo vend i rajonit. Në realitet ndodh e kundërta, pasi nga qindra kontrata të miratuara për prodhim energjie nga hidrocentralet e vogla lokale të dhëna me koncesion, vetëm 10 për qind e tyre kanë mundur të ndërtohen. Kjo situatë ka nxehur tej mase Kryeministrin, i cili paralajmëron marrjen e masave për pezullimin e lejeve. Në fakt, METE kërkoi para disa muajsh prishjen e kontratës për 12 shoqëri koncesionare në fushën e HEC-ve, ndërsa të tjera masa pritet të merren.
Nga viti 2006 e deri më sot, nga biznesi vendas dhe i huaj janë marrë 110 koncesione për ndërtimin e rreth 300 HEC-eve, me fuqi të instaluar prej 1 300 megavatesh, por vetëm 10 prej tyre kanë përfunduar së ndërtuari dhe kanë lidhur kontratë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Shkak është bërë shitblerja e kontratave, mungesa e fondeve dhe çmimi i shitjes së energjisë. Prodhimi i energjisë i ofruar nga këto HEC-e private nuk shkon më shumë se 2 për qind ndaj totalit, kurse pjesa tjetër garantohet vetëm nga KESH.
Fakti që shfrytëzohet vetëm 40 për qind e burimeve ujore për HEC-et, do të thotë se vendi ofron potenciale të mëdha. Për këtë shkak shumë investitorë të huaj, kryesisht italianë, kanë vlerësuar tregun shqiptar si mundësi për të rritur investimet. Deri më sot, vlera totale e investimit për 110 kontratat koncesionare që janë lidhur pas vitit 2006, arrin në rreth 260 miliardë lekë. Në total, vlera e investimit i tejkalon shumat e 470 miliardë lekëve vetëm në sektorin e HEC-eve.

Gazeta Shqip, 24.06.2012