Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Naço në parlament për projektligjin “Për informacionin e konsumit të energjisë”

Siç edhe mund të jeni në dijeni, javët e fundit, Shqipërisë i janë shtuar një sërë veprash hidroenergjetike, me kapacitete të ndryshme, duke rritur në këtë mënyrë fuqinë tonë prodhuese të energjisë elektrike. Eshtë detyra jonë primare, si të zgjedhur nga shqiptarët, ta shtojmë dhe të mbrojmë këtë pasuri. Një nga mënyrat për mbrojtjen e energjisë elektrike, është ulja e konsumit dhe kursimi i saj. Pikërisht, për këtë objektiv madhor, që sot është edhe një nga pikat më të nxehta në debate të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, po sjellim sot para jush projektligjin “Për informacionin e konsumit të energjisë dhe burimeve të tjera të produkteve me ndikim në energji”, mbështetur në nenin 78 dhe 83 të kushtetutës dhe në përputhje me nenin 75 dhe 76 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Projektligji përcakton detyrimet e operatorëve ekonomikë për sigurimin e një informacioni të standardizuar për produktet që gjatë përdorimit të tyre kanë ndikim të rëndësishëm në konsumimin e energjisë. Ky projektligj vepron jo vetëm mbi produktet që gjatë përdorimit të tyre kanë një ndikim të rëndësishëm në konsumin e energjisë, por edhe për produktet që gjatë përdorimit të tyre nuk konsumojnë energji, por ndihmojnë në kursimin e saj.
Jemi të sigurt se dhënia e informacionit të qartë, korrekt dhe të krahasueshëm, luan rol të rëndësishëm në funksionimin e tregut, duke i dhënë mundësi përdoruesve shqiptarë, të bëjnë një zgjedhje të informuar në lidhje me efiçencën e produktit që blejnë. Nga ana tjetër, projektligji nxit prodhuesit dhe importuesit që të vendosin në treg produkte sa më efiçente ndaj energjisë (njësoj si me makinat e vjetra, që paguajnë taksa më të larta, për të mbrojtur ajrin nga ndotja).
Informacioni për të gjithë përdoruesit shqiptarë, parashikohet të jepet kryesisht nëpërmjet etiketës dhe skedës informative që shoqëron produktin në një format të unifikuar me atë që parashikohet në legjislacionin përkatës europian. Ashtu siç edhe nënvizohet në nenin 7 të këtij projktligji, hollësitë për etiketën dhe skedën informative për çdo tip produkti me ndikim në energji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit përgjegjës për ekonominë. Në projektligj, në kapitullin e tretë të tij përcaktohen detyrimet e furnizuesit (prodhuesi, importuesi, apo përfaqësuesi i autorizuar) dhe tregtarit (shitësi me pakicë) në lidhje me vërtetësinë, saktësinë dhe përputhshmërinë e informacionit të dhënë në etiketë si dhe skedën informative, mënyrën dhe vendosjen e etiketës, si dhe penalizimet në raste të abuzimeve.
Në pikën e pestë të nenit 8, që i përket këtij kapitulli, theksohet se “furnizuesit vënë në dispozicion të Strukturës Përgjegjëse të Mbikëqyrjes së Tregut versionin elektronik të dokumentacionit teknik, brenda 10 ditë pune, pas marrjes së kërkesës nga Struktura Përgjegjëse e Mbikëqyrjes së Tregut.
Janë pikërisht këto struktura të cilat parashikohen në ligjin nr 10480, datë 17.11.2011 “Për sigurinë e Përgjithshme të produkteve jo-ushqimore”, që marrin masat përkatëse në raste të mospërputhjes së produkteve me kërkesat e këtij projektligji, që variojnë nga lënia e një afati kohor prej 30 ditë pune, në tërheqjen nga tregu të produkteve, apo në gjoba që variojnë tetë fish, deri në pesëdhjetë fish të çmimit për njësi të produktit.
Efektet e zbatimit të këtij projekligji shtrihen në një vit pas hyrjes në fuqi. Kjo me qëllim t’ju jepet koha e mjaftueshme operatorëve ekonomikë që të marrin masat e nevojshme. Ky ligj do të zbatohet për të gjitha produktet që bëhen të disponueshme për herë të parë në tregun shqiptar dhe nuk zbatohet për ato produkte që tashmë janë në territorin tonë.
Dua të theksoj se propozimi për këtë projektligj ndjek zhvillimet e fundit të legjislacionit europian, duke transpozuar Direktivën e re europiane, 2010/30/EU, e cila është një direktivë në kuadër të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së dhe në zbatim të së cilës parashikohet nxjerrja e vendimeve të Komisionit Europian për produkte që kanë impakt të rëndësishëm në konsumin e energjisë. Së fundi, duke falënderuar anëtarët e Komisionit Parlamentar të veprimtarive prodhuese dhe të integrimit europian për kontributin e tyre në përpilimin e këtij projektligji kaq të rëndësishëm, ju ftoj ta votojmë atë së bashku.

energjia.al, 22.06.2012