Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kryeministri Berisha në ditën “Shqipëria e pastër”

Në ditën e aksionit kombëtar të shpallur nga qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe shoqërinë civile, nën sloganin “Shqipëria e pastër”, Kryeministri Berisha iu bashkua sot, aktiviteteve të komunitetit të bashkisë Kamzë, në Tiranë.
Fillimisht, Kryeministri inspektoi rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, dikur një terren tepër problematik e i rrezikshëm. Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga pushteti lokal në Kamzë për t’i dhënë zgjidhje një prej situatave tepër problematike në afërsi të Kamzës e Tiranës, e krijuar nga depozitimet 20 vjeçare të dhjetëra e mijëra tonëve hedhje e mbetura të rrezikshme.
“Tani ky terren është shndërruar në shesh të gatshëm për ndërtimin e një prej landfilleve më modern të vendit. Ju e dini se Kamza është sot, qyteti i 6-të më i madh i vendit dhe në këtë qytet, nga viti 2005 dhe në vazhdim janë ndërtuar rreth 80 kilometra rrugë të reja, 21 shkolla e kopshte, është ndërtuar një nga pallatet e kulture ndër më modernet në Shqipëri, është rindërtuar stadiumi dhe lehtësira të tjera. Unë dua ta përgëzoj zotin Mziu [kryetari i bashkisë Kamzë] për veprimin e tij energjik ndaj këtij hot spoti të vërtetë dhe dëshmi se si një bashki me kapacitetet e veta e trajton atë në mënyrën më të përgjegjshme dhe nga kjo situatë ka mbetur një pjesë e vogël, në të cilën po depozitohen mbetje,” u shpreh Kryeministri, pasi u njoh me punën e bërë për rehabilitimin e këtij vendgrumbullimi të mbetjeve. 
Më pas, Kryeministri iu bashkua komunitetit lokal të lagjes numër 1, në hyrje të qytetit, në pastrimin e territorit të saj, mbjelljen e pemëve dekorative dhe vendosjen e sistemit të ri të grupit të kazanëve me seleksion për mbeturinat. Ky aksion vazhdoi me mbjelljen në mënyrë simbolike, nga Kryeministri, të një palme në qendër në Kamzës.
Në përfundim të tij, Kryeministri Berisha falënderoi qytetarët e Kamzës, të cilët, edhe në kushte jo të favorshme atmosferike, iu përgjigjen thirrjes për pastrimin e territorit ku ata banojnë dhe u bashkuan në këtë aksion ndërgjegjësues për rëndësinë e një mjedisi të pastër.
Kryeministri Berisha, në bashkëbisedim me nxënës e të rinj të përfshirë në këtë aksion, theksoi se çështjet e mjedisit janë jetike dhe është e domosdoshme që qytetarët shqiptarë të dëshmojnë vetëdije të lartë se mjedisi është një çështje parësore e shëndetit, por edhe e imazhit të vendit.
Kjo ditë, – tha Kryeministri – të na ftojë të gjithëve për një qëndrim të ri ndaj mjedisit e komunitetit ku jetojmë, për një vendim që të mos hedhim përveçse në vendet e caktuara, mbetje e hedhurina që ndotin mjedisin dhe bëhen burim infeksioni dhe kërcënim i vërtetë për jetën tonë.
Kryeministri ftoi të rinjtë të bëhen promotorë të një mjedisi të pastër, për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë të pastër, të shëndetshme e të bukur, ashtu si kemi “shpirtin e zemrën dhe si u ka hije njerëzve të qytetëruar”.
Më poshtë apeli i Kryeministrit Berisha sot në ditën “Shqipëria e pastër”.
“Sot, ne e kemi parashikuar këtë ditë, si ditën për “Shqipërinë e pastër”. Por Zoti po e lan në mënyrën më të mrekullueshme, ndaj t’i lutemi Zotit e ta falenderojmë për këtë koincidencë të bukur. Qëllimi i kësaj dite, e cila do të fiksohet në kalendar si Dita e mjedisit apo “Dita e Shqipërisë së pastër” – këtë do ta përcaktojmë – është të ngremë vetëdijen e çdo qytetari shqiptar të kontribuojë për një Shqipëri të pastër. Shqipëria ka kushtin më themelor për të qenë e pastër, vendimin e qytetarëve të saj për të mos hedhur nga xhepat, dyqanet e banesat e tyre hedhurina e mbetje që e ndotin mjedisin.
Natyrisht, kjo është vetëm makiazhi i saj, sepse problemet e pastrimit të mjedisit janë shumë më të thella. Ato bazohen në ngritjen e një infrastrukture moderne që t’i japë fund ndotjeve të ajrit, tokës e ujit. Ne po punojmë më me intensitet se kurrë në këto fusha. Po ndërtohen 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza. Të mos harrojmë pamjet, të cilat unë do t’i quaja të lemerishme, që keni parë në Ishëm, por edhe më të lemerishme janë ato që nuk duken, pasi nën ato plastika, ajo që ju nuk shihni janë ujërat e zeza të Tiranës  e të të gjithë këtij pellgu, që shkojnë drejt detit e natyrisht e ndotin. Po kështu edhe  të gjitha ujërat që rrjedhin drejt brigjeve. Ne po ndërtojmë njëkohësisht 14 impiante, nga Velipoja në Ksamil, në mënyrë që në detet e liqenet tona të derdhen ujëra të pastra. Së shpejti fillon ndërtimi i impiantit ndër më kryesorët që është impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës, i cili në fazën e parë ka një vlerë 90 milionë euro. Mesa kam dijeni është hapur tenderi dhe pritet që gjatë këtij viti të fillojnë edhe punimet.
Çështja e mjedisit është çështja e cilësisë së jetës dhe shëndetit. Universitete më serioze të botës kanë faktuar se 40 përqind e vdekshmërisë së njeriut vjen nga ndotësit e ajrit, tokës dhe të ujit. Ndaj, ne do të bëjmë gjithçka për të ulur përqindjen e këtyre ndotësve, në mënyrë që të ndikojmë fuqishëm në shëndetin e qytetarëve, konsolidimin e tij dhe rritjen e gjatësisë.
Edhe një herë, kjo ditë, që siç e shihni edhe Zoti është me ne e po na ndihmon, të na ftojë të gjithëve për një qëndrim të ri ndaj mjedisit ku jetojmë, ndaj komunitetit ku jetojmë, për një vendim që të mos hedhim përveçse në vendet e caktuara, mbetje e hedhurina që ndotin mjedisin ku jetojmë dhe bëhen burim infeksioni dhe kërcënim i vërtetë për jetën tonë”.

energjia.al, 20.04.2012