Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tropojë, HEC-i mbetet peng i shpronësimeve

Qeveria e ka trumbetuar me të madhe ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në vend, teksa dhjetëra leje janë dhënë në këtë drejtim.
Në shumë zona, kompanitë ndërtuese kanë “preferuar” të mos i shpronësojnë banorët për tokën që pritet t’u zënë, çka ka sjellë shpesh herë edhe përplasje dhe konfrontime fizike midis banorëve dhe policisë. Rasti më i fundit, ku firma ndërtuese nuk pranon të shpronësojë tokën e banorëve, është ajo në fshatin Kocanaj të komunës Margegaj në Tropojë.
Ndërtimi i hidrocentralit të Kocanajt i është dhënë me koncension një firme italiane, por për ndërtimin e tij nuk ka miratuar lejen e ndërtimit as këshilli komunal për shkak të konflikteve të banorëve me firmën e ndërtimit, thotë ai.
“Ende nuk janë zgjidhur problemet e pronësisë dhe banorët e fshatit nuk kanë gjetur mirëkuptimin me firmën ndërtuese, ndërsa vazhdojnë përsëri bisedimet”, thotë kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj. Firma italiane duke parë konfliktet e vazhdueshme me banorët vendas si zgjidhje ka gjetur dhënien e koncensionit të ndërtimit të hidrocentralit firmës vendase “Tpla” si nënkontraktore, por përsëri ende nuk është gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
Konflikti qëndron në humbjet që pësojnë banorët e fshatit Kocanaj si rrjedhojë e ndërtimit të hidrocentralit, pasi dëmtohet tërësisht kanali ujitës që e kanë ndërtuar vetë e që mundëson ujitjen e mbi 200 ha tokë bujqësore. Kjo pasi edhe projekti i ndërtimit të hidrocentralit është bazuar mbi shfrytëzimin e këtij kanali ujitës. Por kanali është ndërtuar nga vetë banorët e fshatit shumë vite më parë dhe është shfrytëzuar prej tyre deri në vitet ’60. Më pas është vënë në kontroll nga shteti dhe është shfrytëzuar nga kooperativa deri në fillim të viteve ’90. Me fillimin e proceseve demokratike banorët e fshatit sërish e përdorin atë për ujitjen e të mbjellave të tyre dhe nuk lejojnë tjetërsimin e tij. Është kjo arsyeja që vazhdon të zvarritet fillimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentralit që ka një kosto prej 274 milion lekësh.

Gazeta Start, 15.04.2012