Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përpunimi i naftës, ja si diskriminohet industria vendase

Bazuar në angazhimet e marra me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe me Bashkimin Europian, Shqipëria ka hequr tarifat doganore për shumicën e produkteve të gatshme. Por, në mënyrë paradoksale, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me lëndët e para që ju nevojiten industrive vendase për prodhim. Një nga industritë më të dëmtuara është ajo e përpunimit të naftës. Taksat doganore për importin e gazoilit dhe të benzinës janë 0.
Ndërsa, taksa për importin e naftës bruto është 10%. Kjo diskriminon hapur shoqërinë e përpunimit të naftës “Armo”,e cila nuk mund të shfrytëzojë avantazhet e tregjeve të hapura dhe është e detyruar të përdorë naftën e nxjerrë në vend. Pavarësisht se nuk i mbulon dot nevojat me naftën që nxirret në vend, Shqipëria është i vetmi shtet në rajon që takson importin e naftës bruto. Por kjo është vetëm gjysma e problemit. Nuk ka asnjë dispozitë që të detyrojë shoqëritë e nxjerrjes së naftës që ta shesin lëndën e parë në tregun e brendshëm. Madje, për naftën bruto si produkt nuk aplikohet asnjë taksë për eksport. Kjo do të thotë se “Bankers Petroleum” apo “Stream Oil” mund të eksportojnë naftë sa të duan pa kosto, ndërsa “Armo”, për të importuar lëndë të parë për industrinë e vet paguan një taksë 10%.
“Bankers Petroleum”, që është nxjerrësi më i madh i naftës në vend me afro 1.4 milionë ton në vit, eksporton 80% të prodhimit të vet. Ndërsa, e vetmja rafineri e naftës në vend dhe që punëson 2,500 punonjës, punon vetëm tre muaj në vit, për shkak të mungesës së lëndës së parë. Duket qartë se trajtimi që po i bën qeveria shqiptare industrive vendase është anormal. Për të importuar produkte të gatshme dhe për të shitur jashtë lëndën e parë vendase, rrugët janë të lira. Ndërsa, për të siguruar lëndë të parë, sipas parimeve të tregjeve të hapura, industritë shqiptare rëndohen me barriera tarifore. Kjo i bën ato më pak konkurruese dhe favorizon bizneset importuese. RTV Scan do ta ndjekë këtë problem edhe gjatë ditëve në vijim.

TV Scan, 15.03.2012