Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fier, skandal ekologjik, serë e zift në zonën e Semanit. Reagon Kryetari i Bashkise se Fierit!

E shikon këtë pellg këtu? Këto janë ujrat e Gjanicës. Vijnë në këtë zonë dhe përplasen drejtpërdrejt duke u derdhur në det. Ky është një lloj kanceri që po gërryen gjithë zonën e bregdetit të Semanit dhe gjithë zonën tonë turistike. Këtu në Fier, gjatë sezonit, për shkak të plazhit të gjerë, vijnë shumë pushues, ditorë, pothuaj nga gjithë rrethet, për të bërë plazh”.
Kryetari i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo, ndalon makinën tregon gjithë situatën se çfarë ndodh në zonën që edhe pse u përket komunave, ka impakt edhe për banorët e qytetit.
Unë shqyej sytë nga habia. Sepse, aty ku Gjanica derdh ujrat e veta për t’u bashkuar Semanin e më pas me detin, sikurse mund të duket qartë edhe nga fotot, ka një katrahurë të vërtetë. Zi e më zi. A thua se po shkon në një rrugë që sapo po shtrohet, dhe kanë hedhur pjesën e parë të ziftit.
– Kryetar, e pyes, më falni po nga vjen gjithë kjo sasi e madhe zifti që është këtu në breg?
– E gjithë kjo vjen nga rafineritë e naftës në Ballsh e Fier, të cilat janë rafineri të vjetra dhe shkaktojnë derdhje. Por ndotja vjen gjithashtu edhe nga Dekantimet në Ballsh në Visok. Dekantimi është pastrimi i naftës nga ujrat. Pjesa fundore e ujit që përmban naftë, derdhet e gjitha në Gjanicë, përgjigjet Baftjar Zeqo, i cili, si inxhinier nafte me profesion, mund të vazhdojë të tregojë pa fund se çfarë ndodh në këto rafineri dhe cilat janë derdhjet që bëjnë në lumin Gjanica, i cili më pas, derdhet në det.
– Më fal, po këto puse nafte kujt i përkasin? Vijoj e pyes unë, më shumë se e shqetësuar pse nuk merren masat.
– I përkasin kompanisë Armo, thotë me zë të qetë kryetari.
Po si kështu? mendoj. Ia them edhe kryetarit të Bashkisë. Armo është një kompani që është privatizuar. Si e lejon qeveria, shteti, ministri i Mjedisit, që një subjekt privat të derdhë materiale të tilla në një lum, i cili më pas derdh ujrat e tij në det, dhe gjithë kjo ka efektet e veta të ndotjes së madhe edhe mbi banorët që bëjnë pushime në zonën e Semanit.
– Po dhe Armo, nuk ka se ku i derdh mbetjet e këtyre dy puseve. Aty në Gjanicë do t’i çojë”, përgjigjet Baftjar Zeqo.
Po unë vazhdoj e pyes: Nuk ka asnjë mekanizëm që bën filtrimin, për ndarjen e ujërave të pastra dhe atyre që ndoten dhe që kompania që ka privatizuar Armon të bëjë filtrimin e tyre? A nuk duhet të ishte kjo gjë e vendosur në kontratë?
Baftjar Zeqo vazhdon të tregojë se gjithë alarmi i tij si kryetar bashkie ka shkuar në vesh të shurdhët. Madje kujton se para tre vitesh, këtë gjë ia ka thënë edhe kryeministrit Berisha, në zyrën e tij. Me shqetësimin njerëzor se kjo që po ndodh në Gjanicë, është një bombë e madhe ekologjike që do të shpërthejë ndonjëherë. Dhe fotot që unë shkrepa në atë zonë, vetëm një ditë më parë flasin vetë për nxirjen e gjithë zonës nga zifti.
– Berisha më dëgjoi, rrëfen Baftjar Zeqo. U shqetësua. Direkt i tha ministrit Genc Ruli në telefon se në lumin e Gjanicës duhet të vendoset impianti që bën ndarjen e këtyre ujrave. Kanë kaluar tre vjet, iku Ruli, erdhi Mediu. Por as firma private, nuk ka bërë asgjë edhe pse shfrytëzon dy puset e naftës që ndotin Gjanicën.
Investimi për të vendosur këtë impiant është afërsisht 7 milionë euro. Vetë firma private që shfrytëzon Armon, nga secili nga puset nxjerr të paktën 20 milionë euro. Që sipas Baftjarit do të thotë afërsisht 40 milionë euro, për të dy puset. Ndërkohë që nga gjithë këto para, mirë do të ishte që 7 milionë euro të shkojnë për vendosjen e këtij impianti. Po kush e çan kokën për ta bërë një gjë të tillë? Shteti? Qeveria? Çfarë problemi ka se njerëzit mund të notojnë në ato ujra, pa e ditur asfare se çfarë ndikimi kanë ato në organizmin e njeriut?
Hutohem fare. Aty ku kam ndaluar dhe bëj foto, është një zetor. Ai fut kovën e tij të madhe në anët e lumit Gjanica dhe nxjerr prej andej ziftin duke e lënë atë mbi tokë. Bashkë me ziftin, dalin në sipërfaqe lloj lloj plehërash. Ky zetor, është marrë me qira nga një pronar i një restoranti peshku aty pari, ku edhe unë do të shkoj për drekë për të ngrenë peshk. Por ky i shkreti, ndoshta ka dashur të heqë vetullat, e ka nxjerrë sytë!!!! Sepse ndërsa nxjerr tonelata të tëra me zift, që kanë krijuar një pellg të madh zifti i ka hedhur ato në ambient të hapur, aty pari, pa pasur as më të voglin vend që t’i mbledhë të gjitha. Në fund të fundit, ndoshta nuk është detyra e tij të mbledhë këtë zift. Edhe këtë punë që bën, e bën pikërisht për faktin se kërkon të hedhë rrjetat e peshkimit aty në atë vend. Por njerëzit që shkojnë për të drekuar apo darkuar, tmerrohen vetëm nga pamja që kanë përpara, për të mos folur më pas për të tjerat simptoma që shkakton gjithë ai zift në ujin që derdhet në det.
Shëndeti
Bashkia e Fierit ka bërë studime të herëpashershme për këtë skandal ekologjik, ndërkohë që fare pak përkrahje ka gjetur nga organet kompetente të shtetit, por edhe bizneset private që duhet të kujdesen për këtë çështje.
Ndotja e ujrave të Gjanicës sipas tyre, krijon këto simptoma: rrit karbonin në gjak; krijon dobësi të përgjithshme të njeriu; krijon probleme me frymëmarrjen për shkak të pranisë së lëndëve helmuese.
Sa i përket produkteve bujqësore dhe blegtorale nuk ke ç’të thuash: ul rendimentin e produkteve frutore me 20 deri 25 përqind. Sipas bashkisë, gati 80 përqind e kanalizimeve rezultojnë të ndotura; pjesa më e madhe e bulmetit të këtyre zonave vjen era naftë; bagëtitë dëmtohen nga sera dhe nafta në terrenet bujqësore si dhe fakti që duke pirë ujë të ndotur zhvlerësohen produket e zonës në treg, nga frika e ndotjeve.
Pastaj, një tjetër fakt është pengimi i zhvillimit të turizmit dhe për pasojë gjithë zinxhiri i sektorëve që kanë lidhje me të. Sipas bashkisë, dëmtohen vlerat urbanistike dhe estetike të qytetit, dhe sidomos pranë zonës lumore, por që kjo në fund të fundit, nuk ka lidhje drejtpërsëdrejti me shëndetin.
Përfundimi: unë shkova te restoranti i peshkut. Edhe pse zona shquhet për peshk, pasi kisha parë terrenin dhe ziftin në gjithë terrenin, zgjodha të haja diçka tjetër. Më mirë larg detit në Seman, derisa qeveria të vërë dorë për të pastruar terrenin.

Baftjar Zeqo: Projektin e kam gati, por s’kam para
FIER- Po ku duhet të gjejë bashkia 7 milionë eurot që i duhen për të bërë pastrimin e Gjanicës, për të vendosur aty një filtër, i cili të ndajë ujin e pastër nga hidrokarburet?
Baftjar Zeqo si kryetar bashkie fërkon kokën. Në mënyrë ironike thotë: “7 milionë euro, nuk është buxheti i bashkisë së Fierit, bashkë me Baftjarin brenda”.
Ç’të thotë kryetari. Eshtë në mandatin e tij të tretë, ka kaq vite që bën premtim për të larguar Fierin nga harta e ndotjes dhe nuk e realizon dot. Jo se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Por se qeveria i jep 0 lekë për këtë nismë. Firma private që shfrytëzon puset e naftës, jep 0 lekë për të mos lejuar ndotjen.
“Në një farë mase ne e kemi bërë detyrën tonë. Një studio italiane ka bërë studimin se ku duhet të vendoset impianti. Dhe ne studimin e bërë për këtë e kemi përballuar. Tani thjesht, duhet të jepen lekët për të bërë financimin për projekt.
– Eh mo Baftjar, më shkon mendja. Kohë të këqija ke gjetur për të kërkuar financim. Krizë e madhe. S’besoj se ndokush mund të nxjerrë ndonjë lekë për të pastruar Gjanicën.
Dhe unë që shkoja në këtë takim nga qyteti i Lushnjes, ku kisha dëgjuar për më shumë se një orë hallet e kryetarit të bashkisë së këtij qyteti, i cili kishte të zhbllokuar nga thesari vetëm zërin 601, që me kodet e ministrisë së Financave, i përket pjesës së dhënies së pagave për administratën. Që do të thotë, se nuk ka lekë për bashkitë, vetëm për pagat. Pavarësisht se ato i kanë miratuar buxhetet, rubineti i lekëve, është i mbyllur. Me kursime e me pikatore.
Këtë gjë, ia them kryetarit të Bashkisë së Fierit, i cili po ashtu tund kokën në shenjë pohimi, për të thënë se edhe për Fierin, është e njëjta gjë.
Përballë tavolinë së tij të punës nxjerr një vandak të madh me letra dhe dokumente të tjera në të cilat flitet për lumin Gjanica, punë ekspertësh, matje e ndotjes në fillim të lumit, në mes të tij, dhe në derdhjen në Seman e mandej në det. Shumë nga shifrat nuk i kuptoj, se janë përbërës kimikë, por ekspertët e bashkisë sqarojnë se shkalla e ndotjes është e lartë.
Tani, jo çdokush e ka mendjen te Gjanica, sepse është ftohtë. Njerëzit nuk shkojnë drejt detit. Por kur në bregdetin e gjerë atypari, të fillojë sezoni turistik, pushues ditorë nga të katër anët e vendit, ata që nuk kërkojnë luks, por komoditet pushimi, do të turren drejt ujrave të Adriatikut të kësaj zone. E mandej, do të fillojë të ringrihet shqetësimi i ndotjes.
STUDIMI
Sipas ekspertëve në bashkinë e Fierit, faktorët kryesorë të ndotjes së lumit janë të gjitha shkarkimet nga kompania ARMO dhe sipas një ndarjeje të qartë është: ujra me produkte nafte 417m3/orë; ujëra acide 26 m3/orë; ujëra sodike 45 m3/orë si dhe ujra të prodhimit 367 m3/orë.
Por nuk janë vetëm këto që kanë të bëjnë me naftën dhe hidrokarburet. Janë edhe shkarkimet e ngurta, që po sipas këtij studimi llogariten llumra të rezervuareve 125 tonë në vit; llumbra të sheshit të objektit 46 qëe llogariten 175 tonë në vit si dhe katalizator të pasivizuar 50 m3 në vit.
Ndërkohë që një pjesë e mbetjeve të tjera vijnë edhe nga kompania Albetrol, të cilën qeveria e ka futur në projektet e saj të privatizimit.
Sipas ekspertëve zgjidhja është vënia sa më shpejtë të jetë e mundur në punë, e një blloku të pastrimit të ujrave. “Të ndalohet shkarkimi i ujërave shoqëruese të naftës në lumin Gjanica nga dekamtimi i Visokës” thonë ekspertët e bashkisë Fier. Një tjetër masë sipas tyre është edhe eleminimi i rrjedhjeve nga grykat e puseve dhe grupet e grumbullimit të naftës që ndodhen përgjatë dhe në afërsi të lumit Gjanica. Një tjetër propozim sipas ekspertëve është edhe sistemimi i linjave të tubacioneve të transportit të naftës që kalon përgjatë apo tërthor lumit, për të eleminuar derdhjet e naftës në të.

Ministria e Mjedisit jep urdhëra që mbeten në letër
Vetë ministria e Mjedisit e ka konsideruar në raportet e saj alarmante situatën me ndotjen në lumin e Gjanicës duke propozuar edhe masa konkrete. Kështu ministria ka dhënë urdhër për ndalimin e shkarkimeve të naftës në det dhe plazhin e Semanit, ose duhet të bëhen menjëherë rinovime të teknologjisë së përgatitjes së naftës për transport dhe teknologjisë së përpunimit të saj. Ministria ka sugjeruar pastrimin dhe kompletimin e seperatorëve ekzistues të naftës në impiantin e dekantimit Marinëz, Usojë, Visokë dhe KPTHN Ballsh. Sipas ministrisë së mjedisit, procesi i grumbullimit dhe përgatitjes për transport të naftës të kalohet nga skema e hapur në skemën e mbyllur si rrugë e vetme për parandalimin dhe eleminimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në këtë aktivitet të rëndësishëm. Sipas ministrisë, projekti i injektimit të ujrave që dalin nga procesi i dekantimit të jetë proces i vazhdueshëm për 24 orë në ditë dhe jo periodik. Ministria ka kërkuar ndërtimin e një seperatori të ri në dekantimin Visko dhe Marinëz dhe shumë masa të tjera. Por duket se gjithçka ka thënë ministria e Mjedisit, ka mbetur vetëm në letër dhe pa u zbatuar asgjë.

Gazeta Shqiptarja.com, 17.02.2012

Mjedisi, nafta sërish ndot qarkun e Fierit
Situata mjedisore në qarkun e Fierit vazhdon të mbetet problematike. Edhe pas valës së parë goditëse të ARMM (Agjencisë Rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit),e cila u shoqërua me kontrolle të rrepta dhe penalizime të disa njësive vendore, situata nuk ka ndryshuar. Kanalet, lumenjtë e bregdeti janë shndërruar në fushë-grumbullimi të mbetjeve dhe inerteve. “Numrin e madh të pacientëve me fenol dhe helme në gjak dhe shkallën e lartë të paaftësisë shëndetësore të banorëve të zonës naftëmbajtëse, tashmë e deklarojnë edhe vetë institucionet, por ajo që të çudit është shurdhëria dhe heshtja institucionale ndaj shkaktarëve”, u shpreh një naftëtar i kësaj zone. ”Tokat tona, prodhimet, shëndeti ynë, vazhdojnë të dëmtohen nga interesat e industrialistëve, të cilët marrin shumë dhe nuk japin asgjë”, vijon ai.
Lumi i Gjanicës vazhdon të lëngojë nën peshën e inerteve, plehrave dhe mbetjeve industriale. Askush nuk po e ndal këtë masakër mjedisore, pasojat e së cilës po i vuan turizmi dhe ekonomia.
Drejtori i agjencisë rajonale të Mjedisit Sajmir Hoxha pohon për median se, në bashkëpunim me komunat janë marrë masa për vend-grumbullimin e mbetjeve. “Pas fazës së kontrolleve në terren dhe detyrimin e njësive vendore për miratimin e fushë-grumbullimit të plehrave, kemi filluar fazën e dytë me kontrollin faktik të fushave të plehrave, në lidhje me standartet dhe parametrat teknike”, deklaron Hoxha. Sipas tij, vala ndëshkuese ndaj njësive vendore dhe subjekteve ndotëse do të vazhdojë. Rreth 200 subjekte private, ndër më kryesorët kompanitë e naftës, janë futur në rrethin e verifikimit të inspektorëve mjedisorë. “Qëllimi ynë është paisja e subjekteve me leje mjedisore dhe standardizimi i lejeve të vjetra”, tha Hoxha.

Gazeta Shqiptarja.com, 22.02.2012