Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Speciale: Ministri Naço prezanton lehtësirat për licencat në projektet energjetike. Jane investuar 750 milion euro ne 70 HEC-e (eng also)!

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të firmave koncensionare në vendin tonë, ku u prezantuan pjesë të reformës rregullatore për lehtësimin e mëtejshëm të lejeve dhe licencave për projektet energjetike. Prezantimi kishte të bënte me propozimet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për disa ndryshime ligjore, të cilat në thelb synojnë lehtësimimin e mëtejshëm të procedurave që duhet të ndjekin koncensionarët për realizimin e investimeve të tyre, si në shkurtimin e afateve për lejet dhe licencat. Në takim ishin të pranishëm zëvendësministrat e METE, z. Enno Bozdo dhe z. Neritan Alibali, drejtues të tjerë të METE, si dhe përfaqësues të firmave koncensionare që operojnë në vendin tonë.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi faktin se propozimet e METE kanë të bëjnë me një lehtësim drastik të procedurave që ndjekin bizneset, me qëllim realizimin e investimit të tyre dhe respektimin e afateve kontraktuale. Lehtësimi në këto procedura, tha z. Naço, do të shoqërohet, në të njëjtën kohë, edhe me shkurtim të ndjeshëm të afateve. Më poshtë gjeni të plotë fjalën e Ministrit z. Naço.
Fjala e Ministrit të METE-s, z. Nasip Naço:
Të nderuar përfaqësues të kompanive koncesionare,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari do të desha t`ju falendëroj për praninë tuaj sot këtu, në këtë takim të thirrur dhe organizuar nga METE, si përfaqësues të shoqërive koncesionare të prodhimit të energjisë elektrike.
Nuk është hera e parë që ne mblidhemi së bashku për të diskutuar çështje të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sipërmarrjen tuaj, por edhe me problematikën e monitorimit nga METE dhe detyrimin tonë të përbashkët për të respektuar rregullat kontraktuale.
Ju siguroj se në të gjitha takimet tona të përbashkëta, unë personalisht, por edhe drejtuesit e institucionit që unë drejtoj, kemi dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet tuaja, si dhe sugjerimet, për të mundësuar një sipërmarrje sa më të suksesshme, larg burokracive dhe labirinteve të administratës.
Në këto takime kemi diskutuar gjithashtu edhe për pikëpamjet e METE mbi domosdoshmërinë e respektimit të afateve kontraktuale, një qëndrim konstant nga ana ime, sepse ka të bëjë me transparencën dhe drejtësinë e dhënies në përdorim të burimeve natyrore. Dhe këto burime nuk jane as të miat, as të METE-s, as te koncesionarëve, por të të gjithë shqiptarëve.
Iniciativa e ndërmarrë disa vite më parë nga kjo Ministri, por edhe nga qeveria shqiptare, për të përfshirë në skemën e investimit të burimeve të reja të prodhimit të energjisë elektrike, sektorin privat, besoj se është një iniciativë që vlen të përgëzohet fort, aq më tepër sot që ne po shikojmë rezultatet e para të kësaj sipërmarrjeje private.
Nga pikëpamja e qeverisë shqiptare është i domosdoshëm investimi i kapitalit në burimet e reja gjenerues të energjisë së pastër. Ishte e kuptueshme që për një vend si Shqipëria, ku investimi i fundit në këtë sektor ishte bërë 30 vite më parë, nevojat do të ishin të shumta dhe po kaq e madhe pamundësia e buxhetit të shtetit për të investuar menjëherë dhe në mënyrë efikase në këto burime. Por vendi kishte dhe ka nevojë jetike për këto burime, në një kohë që potenciali ujor, jo më larg se 6 vite më parë, mbetej thellësisht i pashfrytëzuar.
Kjo nevojë solli që për herë të parë një qeveri të ndryshojë vizionin e saj, dhe së bashku me vendimin për të furnizuar me çdo kusht popullatën dhe ekonominë me energji, pavarësisht shtrenjtësisë, vendosi gjithashtu të shfrytëzonte potencialin e çdo vije ujore të territorit shqiptar, duke nxitur dhe mbështetur fuqimisht iniciativën private.
Kështu, në bazë të rregullave të mirëpërcaktuar, të procedurave transparente dhe të shpejta, ne mundësuam sipërmarrjen private në këtë drejtim. Dhe kjo përpjekje pati vlerë: vetëm në identifikimin fillestar të projekteve për HEC-et e vogla janë shpenzuar nga sektori privat jo më pak se 70 milionë euro, ndërsa sot, kur rreth 40 HEC-e janë në funksionim të plotë dhe rreth 30 të tjerë priten të fillojnë shumë shpejt, kapitali i investuar i kalon 750 milion euro.
Nuk ka përgjigje më kuptimplotë se kjo për të gjithë ata të cilët kanë dyshuar apo vazhdojnë të shprehin dyshime mbi suksesin e këtij vizioni të qeverisë shqiptare. Ndërkaq, ne do të vazhdojmë të angazhojmë më tej sektorin privat, investitorët vendas dhe të huaj, sigurisht duke kërkuar me përpikmëri zbatimin e kushteve kontraktuale.
Zonja dhe Zotërinj,
Sot jemi mbledhur që ju, përfaqësuesit e shoqërive koncesionare, të dëgjoni propozimet tona për një lehtësim drastik në të gjitha procedurat që ju ndiqni me qëllim realizimin e investimit tuaj dhe respektimin e afateve kontraktuale. Lehtësimi në këto procedura do të shoqërohet në të njëjtën kohë edhe me shkurtimin e ndjeshëm të afateve.
Për këtë qëllim, në emër të reformës rregullatore, me porosi të veçantë të Kryeministrit dhe Task Forcës Rregullatore, grupi i reformës së METE, së bashku me konsulentët e saj, kanë punuar intensivisht për një periudhë 6 mujore për të sjellë sot përpara jush këtë produkt.
Ne kemi identifikuar plotësisht të gjitha lejet dhe licencat, të cilat janë të domosdoshme deri në finalizimin e lejes së ndërtimit të impiantit dhe lidhjen në rrjet të tij. Për të gjithë koncesionarët, të cilët do të fillojnë këtë procedurë, por edhe për ata të cilet e kanë filluar tashmë atë, Qendra Kombëtare e Licencimit do të jetë sporteli i vetëm ku ato do të aplikojnë. QKL do të ndjekë procedurat e mëtejshme, duke zbatuar në shumicën absolute të rasteve parimin e “miratimit në heshtje”. Ky parim që aplikohet tashmë nga QKL për lejet dhe licencat, ka rezultuar shumë efikas në presionin pozitiv që i bën burokracisë së administratës për t`u përgjigjur brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Gjithashtu, roli i AIDA-s në këtë proces do të jetë i rëndësishëm: AIDA do të jetë pika ku informacioni do të grumbullohet dhe më pas do t`i përcillet bordit të saj, në mënyrë që të ndërhyhet shpejt dhe drejt për mbështetjen e investimeve private, qofshin këto të vendit apo të huaja.
Gjithashtu, edhe një ndër problemet që ju hasni shpesh, ai i identifikimit të pronësisë mbi tokën ku ju duhet të ndërtoni si dhe procedurat deri në lidhjen e qirasë, kanë qenë në fokusin tonë. Ne sot prezantojmë një zgjidhje për këtë çështje gjithashtu, të cilën në çdo rast do të duhet ta miratojmë edhe në Task Forcën Rregullatore.
Së fundi, ligji i ri i Planifikimit të Territorit prezanton procedura të reja, sigurisht më të lehtësuara, deri në miratimin e lejes së ndërtimit. Për këtë, gjithashtu, do të keni një prezantim të shkurtër nga stafi i METE-s.
Ju faleminderit për vëmendjen.

energjia.al, 23.02.2012

Easier procedures for concessions
The government will focus all procedures for the concessionary permits at the National Licensing Center.
“We have identified all licensing requests. All concessions must register at the National Licensing Center, which will be the only institution where they will apply”, declared the Minister of Economy, Nasip Naco.
According to the government, the new package avoids the permits that must be given by the local government.
“From the list of 23 licenses and permits, 20 of them require short terms registration. Their request will be considered approved and the NLC will continue the procedures”, Naco declared.
A private business must secure 23 different types of licenses and permits for a concession in the energy sector. The government says that for 20 of these licenses will apply the silent approval principle, when if one institution doesn’t apply for a given permit within the deadline, it will then be considered approved.
Another stalemate that the government claims to resolve is that of the public properties. According to a decision which is expected to pass to the government, after a private business will request to construct a hydropower plant in a public property, this property will automatically go under the dependence of the Ministry of Economy, which gives the respective permissions.

TOP Channel, 22.02.2012

Projekti, koncesioni i HEC-ve, 1 euro për 25 vjet
Të gjithë koncesionarët që prodhojnë energji në vend do të përdorin tokat e shtetit vetëm për 1 euro gjatë gjithë periudhës kontraktore. Kontrata koncesionare 1 euro është pjesë e ndryshimeve që ka bërë qeveria në vendimin e saj “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”. Ndryshimet u diskutuan dje në një tryezë mes ministrit të Ekonomisë Nasip Naço dhe një grupi koncesionarësh. Të gjithë koncesionarët që do të aplikojnë për të përfituar një kontratë simbolike 1 euro në fushën e ndërtimit të burimeve të reja energjetike, nuk do t’i nënshtrohen procedurës konkurruese. Kjo taksë me ligjin e vjetër ishte 1 euro për metër katror. Përveç taksës 1 euro që ka qenë një nismë e hershme e kryeministrit Berisha, investitorët në energjetikë tani do të kenë procedura më të lehta për regjistrimin e biznesit të tyre. Sipas ministrit Naço, janë identifikuar plotësisht të gjitha lejet dhe licencat, të cilat janë të domosdoshme deri në finalizimin e lejes së ndërtimit të impiantit dhe lidhjen në rrjet të tij. Sipas procedurave të lehtësuara të regjistrimit, të gjithë koncesionarët, të cilët do të fillojnë këtë procedurë, por edhe për ata të cilët e kanë filluar, do të drejtohen në Qendrën Kombëtare të Licencimit për të bërë kërkesën dhe brenda afatit kohor prej 4 ditësh, QKL depoziton kërkesën pranë Ministrisë së Energjetikës. Kjo e fundit, pasi shqyrton kërkesën nëse ajo është me interes për publikun ose jo, lëshon autorizimin paraprak dhe publikon vendimin në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve. Sipas procedurave në fjalë, nëse ministria nuk shprehet brenda periudhës kohore të përcaktuar me ligj, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe koncesionari në këtë mënyrë fiton të drejtën e ushtrimit të aktivitetit të tij të kërkuar. Gjithashtu, një rol me rëndësi në këtë proces do të ketë edhe agjencia AIDA-s, ku do të grumbullohet informacioni për gjithë aplikuesit. Kontrata koncesionare do të lidhet mes METE-s dhe subjektit koncesionar. Përsa i përket marrjes së lejes së ndërtimit, zhvillimit dhe asaj të infrastrukturës, koncesionarët kërkesën do ta drejtojnë te METE dhe është kjo ministri që i dërgon kërkesat më vonë tek Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Përsa i përket licencimit të mëvonshëm në lidhje me kërkesa për projekte energjetike, ato parashikohen gjithashtu të miratohen në heshtje në një afat kohor nga 15 ditë deri në 30 ditë, në varësi të kërkesës specifike. Miratimi parashikohet të bëhet nga institucioni përkatës, gjithashtu në varësi të problematikës. Ndryshimet në këtë vendim parashikojnë lehtësi në procedurat e regjistrimit të hidrocentraleve në fazën fillestare. Por sipas vendimit të ndryshuar të qeverisë, përfitojnë edhe ata koncesionarë që kanë nisur aplikimin për regjistrim të aktivitetit të tyre prodhues.
Përveç taksës 1 euro, që ka qenë një nismë e hershme e kryeministrit Berisha, investitorët në energjetikë tani do të kenë procedura më të lehta për regjistrimin e biznesit të tyre.
Koncesionarët: Bankat na kanë mbyllur dyert
Koncesionarët e energjisë ankohen për kreditimin, qeveria garanton ndërhyrjen te bankat tregtare. Kreditimi nga bankat është shqetësimi kryesor që kanë koncesionarët që zbatojnë projekte në fushën e prodhimit të energjisë elektrike. Gjatë diskutimit me përfaqësues të qeverisë, ata kërkuan që qeveria të dalë garant për t’u kredituar, pasi projektet e tyre ngecin pikërisht te financimi. Përfaqësuesit e subjekteve koncesionare theksuan gjatë diskutimit se bankat u kanë mbyllur dyert dhe tremben nga kreditimi i HEC-eve. Sipas tyre, si ligji i vjetër, edhe ndryshimet e sjella, nuk e zgjidhin problemin e kreditimit, pasi hipoteka për hidrocentralin nuk merret që në fazën fillestare. “Kam 3 vjet që kam fituar një projekt për prodhimin e energjisë. Po bashkëpunoj me një përfaqësues ndërkombëtar. Kemi zhvilluar vetëm 20% të punimeve. Bankat nuk na kreditojnë. Kanë nevojë për kolateral dhe ne nuk mund të kemi që në fillim hipotekën për të pasuar me zhvillimin e aktivitetit. Përderisa pas 35 vjetësh HEC-i do të jetë në pronësi të shtetit, pse nuk mund të shërbejë si kolateral për bankën?”- u shpreh përfaqësuesi i kompanisë ‘Nishova’, që e zhvillon aktivitetin në Skrapar. Ai kërkoi që qeveria të ndërhyjë te bankat në mënyrë që HEC-et që kanë tashmë projekte për të përfunduar të mund t’i çojnë ato deri në fund. Ndërsa përfaqësuesi i një kompanie tjetër në fushën energjetike, Vasil Gjika, u shpreh se “e kuptojmë situatën energjetike dhe financiare, por në këtë biznes ka një këndvështrim jorealist për ata që na paguajnë për prodhimin. Kemi 5 muaj pa u paguar. Gjithashtu, pagimi bëhet në mënyrë diskriminuese. Duam që çmimi për ne që prodhojmë të jetë i njëjtë me çmimin e importit”. Sipas koncesionarëve, problematikat në fushën ku ata operojnë janë të ndryshme, por, sipas tyre, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në përzgjedhjen e subjekteve të besuara për projektet që t’i çojnë deri në fund. Por ata theksojnë se problemi kryesor mbetet financimi, i cili është pengues për të çuar deri në fund punën. Ndërkohë që një pjesë e koncesioneve i realizojnë projektet totalisht me vetëfinancim kur bëhet fjalë për projekte të vogla, ndërsa pjesës tjetër, përveç shumës që vetëfinancojnë, u duhet të kreditojnë. “8 mln euro kam kërkuar kredi nga banka për të përfunduar projektin. Por përveç dokumenteve të pafundme, nuk pranojnë si kolateral hidrocentralin. Nuk ma miratuan kredinë.”- u shpreh një tjetër përfaqësues i një kompanie koncesionare. Nga ana tjetër, ministri i Energjetikës, Naço, garantoi se kanë filluar tratativat me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në lidhje me hipotekimin që të mundësohet kreditimi nga bankat e nivelit të dytë.
Naço: Projektet private të energjisë, 750 mln euro
Janë 750 mln euro kapital i investuar nga HEC-et private në vend për prodhimin e energjisë. Këtë e ka deklaruar dje ministri i Energjetikës, Nasip Naço, në mjediset e institucionit që ai drejton, gjatë një mbledhjeje me subjekte koncesionare në vend. “Vetëm në identifikimin fillestar të projekteve për HEC-et e vogla janë shpenzuar nga sektori privat jo më pak se 70 milionë euro, ndërsa sot, kur rreth 40 HEC-e janë në funksionim të plotë dhe rreth 30 të tjerë priten të fillojnë shumë shpejt, kapitali i investuar i kalon 750 milionë euro.”- është shprehur dje ministri Naço. Ai garantoi se do të vazhdohet të angazhohet më tej sektori privat, investitorët vendës dhe të huaj, por duke kërkuar me përpikëri zbatimin e kushteve kontraktuale.

Gazeta Mapo, 23.02.2012

Prodhuesit e energjisë zhyten në krizë
Biznesi ankohet te ministri Naço. “Bankat nuk japin kredi, problem pronat”.
Në kushtet kur vendi ka nevojë të madhe për furnizim me energji elektrike, prodhuesit vendas shprehen të shqetësuar se e kanë të pamundur të vijojnë operacionet me hidrocentralet lokale. Në kuadër të disa ndryshimeve në rregulloren e koncesioneve, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço mblodhi dje përfaqësues nga sektori privat i prodhimit të energjisë për t’i njohur me reformën e re, por meraku i biznesit qëndronte në tjetër çështje. Bankat nuk japin kredi për ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve, kurse shumë konflikte me pronën e kanë komplikuar akoma dhe më tej procesin. “Dakord me çfarë na tha ministri, por hallin e kemi te financimi. Banka nuk jep kredi, në rastet kur projekti parashikon ndërtimin e dy a më shumë HEC-ve brenda një kaskade, pasi ka frikë se dështojmë dhe nuk shlyejmë dot financimin”, – u shpreh një investitor. Të njëjtin shqetësim kishte subjekti i një HEC-i lokal, në jug të vendit. “Për të marrë kredi në bankë duhet të kemi gati dokumentacionin, por në shumë raste ka vonesa, burokraci nga shteti, kështu që banka e lë pezull”, – thotë përfaqësuesi i një biznesi HEC-esh. Të tjerë u ankuan se BERZH nuk mund t’i ndihmojë, duke e bërë të pamundur investimin. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka tentuar disa herë të jetë pjesëmarrëse në projektet koncesionare të energjisë, por “xhungla e dokumentacionit”, siç e konsideron vet zv/ministri Eno Bozdo, e bën të vështirë aprovimin e huasë. “Të na ndihmojë ministria me fondet që ka në buxhet”, – shtoi një tjetër. Për ministrin, mungesa e financimit ishte çështje e njohur, që sipas tij lidhet me krizën ekonomike, por ndërhyrja është e vështirë, pasi nuk ka fonde. “Përveçse t’ju mbështesim me asistencë, e cila nuk do të mungojë nga ana jonë, ndërsa për lek është bërë e vështirë, nuk kemi. Megjithatë, partneriteti nuk do të mungojë”, – iu drejtua ministri Naço, bizneseve të koncesionit të energjisë. Debati vijoi me problemin e pronarit të truallit. Në tokën ku kalon lumi ose ku ndodhet rezervuari dalin shumë pronarë njëherësh, ndërsa për investitorin është e vështirë të gjejë gjuhën e komunikimit dhe më pas të marrëveshjes. “Për të marrë një vërtetim trualli të pronarit ka shumë burokraci. Shteti duhet të identifikojë zonat e lira dhe pronarin ligjor të truallit”, – u shpreh një investitor, ndërsa të tjerët e mbështesnin. Për këtë çështje, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka kryer disa ndryshime në vendimin për dhënie me qira të pronës shtetërore, duke sugjeruar ofrimin e truallit për 1 euro. Në kreun V, pika 4 e VKM-së, shtohet paragrafi ku thuhet se, “në funksionim të ushtrimit të aktivitetit të autorizuar dhe për të gjithë kohëzgjatjen e tij, pronat e paluajtshme të shtetit iu jepen në përdorim kundrejt tarifës simbolike 1 euro, koncesionarëve në fushën e ndërtimit të burimeve të reja energjetike”. Ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë kontrata koncesionare për mbi 200 hidrocentrale të vegjël e të mesëm si dhe garancinë ligjore se do të blejë të gjithë energjinë e prodhuar, vetëm pesë prej tyre rezultojnë me të vërtetë të ndërtuar. Enti Rregullator i Energjisë bën të ditur se, pesë HEC-e të rinj (Tervoli, Hidro-Albania, Bishnica 1, Dishnica dhe Lubonja), u futën në sistem dhe filluan prodhimin e energjisë elektrike. Të gjithë këta hidrocentrale së bashku kanë një fuqi të instaluar prej 16.1 MW (sistemi elektroenergjetik shqiptar ka gjithsej kapacitete gjeneruese prej 1600 MW), dhe parashikohet se do të prodhojnë 41.8 milionë kilovatorë në vit, shifër kjo e barabartë me dy ditë konsum kombëtar. Së bashku këta hidrocentrale do të kenë të ardhura prej afërsisht 1.8 milionë eurosh. “Për të nxitur nismën private për investime në ndërtimin e HEC-eve të rinj me koncesion, me fuqi deri në 15 MW, qeveria ka autorizuar KESH-in që të blejë të gjithë energjinë elektrike të prodhuar prej tyre, me çmim të miratuar nga ERE-ja sipas një formule nxitëse”, – thotë ERE-ja. Prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga HEC-et deri 15 MW arriti në 159 milionë kWh, nga 89 milionë kWh që ishte në vitin 2009, ose me një rritje prej 78.1 për qind, nga e cila 46.8 për qind është realizuar nga HEC-et e rinj të futur në shfrytëzim vetëm gjatë vitit 2010. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, vetëm në identifikimin fillestar të projekteve për HEC-et e vegjël janë shpenzuar nga sektori privat jo më pak se 70 milionë euro, ndërsa sot, kur rreth 40 HEC-e janë në funksionim të plotë dhe rreth 30 të tjerë priten të fillojnë shumë shpejt, kapitali i investuar i kalon 750 milionë euro.

Gazeta Shqip, 23.02.2012