Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Importi i naftës bie, por rritet konsumi me pakicë i saj

Importi i naftës ka pësuar një rënie më shumë se 12 për qind gjatë vitit 2011, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, por nga ana tjetër shitja me pakicë e naftës është rritur me 69 për qind, vetëm në tremujorin e tretë të vitit 2011, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën janar – tetor 2011 është 348.3 mijë tonë, me rënie vjetore 12 për qind”, bën të ditur Ministria e Financave, duke e argumentuar këtë fakt me efektet e krizës dhe me rënien e konsumit të saj. Por shifra krejt të tjera sjell INSTAT. Duke publikuar indeksin e tregtisë me pakicë për tremujorin e tretë të 2011-s, Instituti i Statistikës bën me dije se ”tregtia me pakicë e karburanteve”, për tremujorin e tretë 2011, është rritur 69 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Krahasuar me tremujorin  e dytë të 2011-s, indeksi i volumit të shitjeve në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve” është rritur 33.4 për qind. Shifrat zyrtare zbardhin një paradoks ndërmjet sasive të importuara dhe atyre të konsumuara të naftës në vend, dukë lënë të hapur mundësinë për një rritje të kontrabandës. Por ndërkohë që të gjithë treguesit e tjerë të konsumit të mallrave me pakicë ka rënë ndjeshëm vitin që shkoi, artikujt që lidhen me tregtinë  dhe mirëmbajtjen e makinave janë rritur. Nëse për korrik-gusht të 2011-s indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në total është ulur 5.5 për qind, indeksi i tregtisë së makinave dhe riparimi i tyre është rritur. Për rrjedhojë është rritur edhe punësimi në këtë sektor. INSTAT raporton se indeksi i punësimit në tremujorin e tretë të 2011-s u rrit me  3.5 për qind,  kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”. Nga ana tjetër indeksi total i punësimit me pakicë është ulur me 5.6 për qind. Edhe sipas rezultateve të censusit, biznesi i riparimit dhe tregtimit të makinave është më fitimprurësi në vend, me xhiro prej 43, 4 miliardë lekësh në vit. Me borxh apo jo, familjet shqiptare investojnë në blerjen e një makine, duke rritur çdo vit përqindjen e automjeteve për mijë banorë në vend. Këtë e tregojnë të dhënat e pak muajve më parë të Bankës së Shqipërisë, se rreth 41.6 për qind e borxhit të marrë nga shqiptarët është investuar në pasuri të paluajtshme: blerje shtëpie, rikonstruksion banese apo blerje makine. Në të njëjtën kohë, edhe të dhënat e Open Date Albania, që datojnë deri në vitin 2010, tregojnë se përqindja e zotëruesve të makinave për mijë banorë në vend ka ardhur duke u rritur që prej vitit 2000. Sipas këtij portali, me 126% është rritur numri i automjeteve në Shqipëri në vitin 2010, krahasuar me vitin 2000, pra me 10 vjet më parë. Duke iu referuar studimit në fjalë, rezulton se në Shqipëri gjatë 2010-s ka pasur 121 automjete për 1000 banorë. Studimi citon se numri i automjeteve për 1000 banorë ka ardhur vazhdimisht në rritje. Ndërkaq, viti me rritjen më të madhe të këtij numri është viti 2000 (20% krahasuar me vitin paraardhës), ndërsa viti me rritjen më të ulët rezulton viti 2005 (3% krahasuar me vitin paraardhës). Gjithashtu edhe të dhënat e INSTAT-it: tregtia me pakicë e karburanteve është rritur me 56 për qind në krahasim me 2008-n. Banka Qendrore nga ana tjetër gjykon se modeli më i mirë për parashikimin afatshkurtër të rritjes ekonomike janë shitjet dhe mirëmbajtja e automjeteve. Të dhënat zyrtare nga censusi i ndërmarrjeve tregon se biznesi i tregtisë dhe riparimit të automjeteve ka një xhiro prej 43 425 mln lekë, duke u renditur e para në 10 linjat e bizneseve më të mëdha në vend.

Gazeta Mapo, 12.02.2012