Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia shpëton sërish ekonominë, zgjerohet konsumi

Motorët e ekonomisë shqiptare kanë vijuar të jenë të nxehtë në periudhën korrik-shtator, pas dy tremujorëve radhazi kur rritja kishte qenë mbi 4%, për shkak të situatës së favorshme të motit me reshje që nxiti prodhimin e energjisë për 9 muajt e vitit.

INSTAT ka publikuar sot të dhënat lidhur me ecurinë e produktit të brendshem bruto (PBB) për tremujorin e tretë. PBB u rrit me 4.48% me bazë vjetore në tremujorin e tretë, nga 4.32% në tremujorin e dytë dhe 4.45% në të parin.

Për të tre tremujorët e parë energjia kontribuoi në gati gjysmën e rritjes.

Sipas INSTAT, kontrbutin në rritje në tremujorin e tretë e ka dhënë dega “Industria, energjia dhe uji” me 1.78 pikë përqindje. Energjia ka ndikuar me 80% brenda grupit, ndërkohë që prodhimi i energjisë u rrit me 15.4% me bazë vjetore në periudhën korrik-shtator.

Grupi i dytë që ka dhënë ndikimin më të madh është “Tregti, transport dhe shërbim ushqimor”, me 1.12 pikë përqindjeje. Tremujori i tretë përkon dhe me kulmin e sezonit turistik, që këtë vit ka njohur rritje të ndjeshme për shkak të kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik.

Grupi i tretë që ka dhënë ndikim pozitiv është ai i ndërtimit, me 0.48 pikë përqindjeje. Ndërtimi ka gjallëruar ritmet e rritjes pas një ecuri të dobët në gjysmën e parë të vitit. Aktiviteti i ndërtimit  rrit me 5.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Aktivitetet profesionale dhe shërbime administrative” ka kontribuar me 0.35 pikë përqindje; “bujqësia pyjet dhe peshkimi me 0.28 pikë përqindje”, “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 0.12 pikë përqindje; “arte argëtim dhe çlodhje” me 0.02 pikë përqindje.

Negativisht ka kontribuar aktiviteti i informacionit dhe komunikacionit me 0.18 pikë përqindje, si rrjedhojë e daljes së operatorit të katërt Plus nga tregu në fund të 2017-s dhe stanjacionit që po ka lon ky sektor.

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto, sipas INSTAT  vlerësohet me një rritje prej 1,09 %.
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rritje prej 0,08 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit u ul me 5,46 %. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rritje me 2,03 %. Aktiviteti Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 1,16 %. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pësoi një rënie me 0,79 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rritje prej 5,48 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 2,21 %. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 0,61 %. Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rritje prej 1,54 %. Aktiviteti i Arte,argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rritje prej 0,05 %. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 2,26 %.

Rritet konsumi i popullatës

Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017 shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,86 %.
Konsumi final i qeverisë u ul me 2,43 %.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 5,40 %.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 1,51 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,11 %.

Monitor,  29.12.2018