Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afera e naftës bruto, zbardhen përgjimet për kompaninë “guaskë”

Prokuroria e Fierit çon në gjykatë dosjen e shtatë të akuzuarve për evazion e pastrim parash.
Prokuroria e Rrethit Fier ka siguruar prova materiale dhe shkresore për të mbrojtur akuzat e ngritura ndaj të pandehurve për pastrim të veprës penale, të cilët u zbuluan gjatë hetimeve ndaj shoqërisë inekzistente “Mobil Albania”. Në dosjen hetimore të organit të akuzës i janë parashtruar gjykatës përgjime, transkriptime të bisedave telefonike, dëshmi të kallëzuesit dhe të personave që kanë pasur dijeni mbi aferën e dyshuar. Ndërkaq, të pandehurit të dyshuar si organizatorë të pastrimit të shumës së parave që kap vlerën e rreth 500 mijë dollarëve, nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre dhe kanë heshtur gjatë marrjes në pyetje. Në kërkesën për gjykim të mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, një kopje të së cilës e disponon gazeta “Shqip”, në ngarkim të shtatë të pandehurve, Ervis Sinanaj, Besnik Murataj, Dylejman Qerimi, Vangjel Profka, Sotiraq Sollaku, Halil Gashi dhe Luan Plaka, është përgjimi ambiental lidhur me një bisedë të zhvilluar mes kallëzuesit dhe Dylejman Qerimit, më datën 27 janar të vitit 2011. Kështu, në këtë bisedë të transkriptuar, Dylejmani thotë: “Një miku im më pas pat thënë; kam nevojë për një person që të hapi një dyqan. Unë isha i gatshëm. Ishte një person që ishte i gatshëm dhe kishim lënë takim në orën katër, dhe rastësisht vjen profesori, në orën katër e gjysmë te Parlamenti shqiptar”. Në kërkesën për gjykim sqarohet se me fjalën ‘profesori’, Dylejmani i referohet kallëzuesit, pasi ky i fundit është me profesion mësues. Sipas transkriptimit të përgjimit ambiental, më tej Dylejmani thotë: “Duke dit si është profesori, krup marr në telefon mikun tim, dhe ai erdhi për pesë minuta. U takuam dhe vajtëm në Fier. Ai kishte bërë gjithë dokumentacionin gati dhe erdhi me një bllok. Mund të kishte nja 50 fije ai blloku”. Ndërkaq, ka ndërhyrë Selmani, i cili ka thënë: “Jo, kishte 100, ndërsa Dylejmani shton: “Nuk i numërova, por profesorit iu lodh dora. Vazhdoi punën, likuidoi detyrimet e shtetit”. Në kërkesën për gjykim thuhet se në vijim, në të gjithë bisedën e transkriptuar, shtetasi Dylejman Qerimi tregon rrethanat e krijimit të shoqërisë “Mobil Albania”. Në këtë bisedë përmendet dhe një personi me emrin “Niku, nipi i drejtorit”, i cili sipas prokurorisë, ka rezultuar të jetë i pandehuri Besnik Murataj. Më tej Dylejmani ka cituar; “Niku është nipi i drejtorit… nuk merremi me të ne”. Por, gjatë bisedës së tyre nuk është cituar ndonjë emër lidhur me identitetin e drejtorit që përmend Dylejmani. Ndërkaq, në përgjimin ambiental vihet re se Dylejmani shfaq shqetësim dhe nuk i jep Selmanit numrin e telefonit, duke i thënë: “Me Nikun jam takuar dhe takohem sa herë dua. I kemi marrë masat ne, se flasim nga kabina dhe me numra të tjerë, të mos përgjohemi”. Në bisedë tregohen të gjitha rrethanat se si është krijuar shoqëria, me ndërmjetësimin e shtetasit Dylejman Qerimi, thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë. Po ashtu, në bisedë evidentohet fakti se përveç miqësisë që Dylejmani ka me të pandehurin Besnik Murataj, nga krijimi i kësaj shoqërie Dylejmani pretendon se ka përfituar 1500 euro në muaj. Gjatë bisedës ai i drejtohet kallëzuesit, Selmanit, dhe i thotë: ”Selman, kur ti merrshe rrogën, unë merrja 1500 euro, dhe m’i fuste vetë pa ja kërku”. Ndërkaq, një tjetër provë që Prokuroria e Rrethit Fier disponon për të akuzuar si të përfshirë në këtë aferë, të pandehurin Besnik Murataj, është dëshmia e shtetases K.Doko, me detyrë ekonomiste pranë shoqërisë “Stream oil gas”, e cila ka deklaruar para hetuesve se: “Nuk e njoh shtetasin Selman Doçi. Si administrator, në emër të shoqërisë ‘Mobil Albania’ është paraqitur një person që e thërrisnin Niku. Mbaj mend që një gisht të dorës së djathtë ky person e kishte pak të prerë”. Sipas Prokurorisë së Rrethit të Fierit, nga rrethanat e faktit, në ngarkim të të pandehurit Besnik Murataj gjenden të konsumuara veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, pasi akuzohet se me ndihmën e të pandehurit Ervis Sinanaj ka krijuar një shoqëri, me një kapital fillestar prej 100.000 lekësh, me ortak të vetëm shtetasin Selman Doçi. Ndërkaq, mësohet se nga hetimet ka rezultuar se nuk është kryer asnjë zmadhim i kapitalit të shoqërisë dhe as shtim i aseteve. Por, përpos kësaj, që nga momenti i regjistrimit të shoqërisë është kryer blerje e naftës bruto në shumën e 50.000.000 lekëve të reja. Ndërkaq, nga verifikimet e hetuesve ka rezultuar se janë kryer 25 transferta të lekëve nga shoqëria ‘Mobil’ te shoqëria “Stream oil gas”, të cilat janë derdhur ‘cash’ nga i pandehuri Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist. Sipas burimeve të organit qendror të akuzës, nga verifikimet e tabulateve telefonike rezulton se ka përputhje të deklarimeve të kallëzuesit Selman Doçi, për të gjitha thirrjet telefonike e kryera mes të pandehurve. Ndërkaq, edhe i pandehuri Ervis Sinanaj, i cili nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të ngritura ndaj tij, rezulton të ketë kryer thirrje telefonike me personat që ka deklaruar kallëzuesit Doçi. Gjithashtu, punonjëset e bankës prej nga janë kryer transfertat e parave të derdhura në ‘cash’, kanë deklaruar se ka qenë Ervis Sinanaj, ai i cili është kujdesur për kryerjen e këtyre veprimeve bankare. Tjetër provë të cilën ka sekuestruar prokuroria ndaj të pandehurve është një bllok në të cilin kallëzuesi ka shënuar të gjitha veprimet, të cilat rezultojnë të korrespondojnë me verifikimet e kryera nga prokuroria. Kallëzuesit Selman Doçi i është premtuar një pagesë prej rreth 100 mijë lekësh të reja në muaj, ndërsa rezulton ta kenë paguar me vetëm 20 mijë lekë.

Gazeta Shqip, 01.02.2012