Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shkëlzen Berisha në prokurori për aferën e CEZ

Prokuroria e Tiranës thellon hetimet për skandalin e e privatizimit të kompanisë CEZ-Shpërndarja.

Mbrëmjen e sotme, ashtu edhe siç ishte parashikuar në fletë-thirrjen e organit të akuzës, është paraqitur në institucion për të dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për këtë çështje, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Burime nga kjo prokurori bënë me dije se seanca e marrjes në pyetje nisi në orën 18:00, kur një makinë u fut brenda godinës dhe nga ajo besohet se zbriti Berisha.

Dëshmia është dhënë para prokurorit të dosjes Ardian Braho. Nuk jepen detaje të tjera për dëshminë që u dha dhe pyetjet që iu bënë. Në zyrën e prokurorit gjatë gjithë mbrëmjes ka pasur dritë, ndryshe nga katet e tjera, pasi orari zyrtar kishte përfunduar në orën 16:00.

Por duket se kjo periudhë kohore është dakordësuar mes palëve për shkak të mbajtjes larg të vëmendjes së medias dhe publikut.

Lajmi për thirrjen e Berishës në prokurori u publikua një javë më parë dhe vetë djali i ish-kryeministrit bëri një postim në rrjetet sociale, ku e quante procesin politik. Komisioni Hetimor që ngriti mazhoranca konstatoi se Berisha është i implikuar në skandalin e privatizimit të CEZ dhe ka dijeni për pazaret që janë bërë mes palëve, pasi në atë kohë kryeministër ishte babai i tij.

Por prokuroria e ka thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me sekserin Nue Kalaj dhe persona të tjerë të përfshirë dhe që po hetohen.

Nga verifikimet e kryera rezulton se makina “BMW” me të cilin Berisha u largua nga institucioni i përket ish-deputetit demokrat, Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD. Edhe kjo zgjedhje duket se është bërë për të mos rënë në sy dhe që gjithçka të mbahej e fshehtë. Seanca e pyetjeve ka zgjatur rreth dy orë.

Gazeta Dita,  02.02.2018