Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koncesionarët: HEC-et të jepen me formën BOO (Ndërtim-Shfrytëzim-Pronë)

Investitorët e shohin formën BOO si garanci për suksesin e hidrocentraleve të vogla Aktualisht, koncesionet jepem me formën BOT (Ndërtim-Shfrytëzim-Transferim).
Investitorët shqiptarë në industrinë energjetike, që kanë marrë me koncesion ndërtimin e hidrocentraleve të vogla apo që aspirojnë ta bëjnë një gjë të tillë në një të ardhme, kanë arritur në një përfundim të përbashkët mes tyre. Ata janë të mendimit se qeveria duhet të ndryshojë formën e dhënies me koncesion, nga ajo BOT (Ndërtim-Shfrytëzim-Transferim) në BOO (Ndërtim-Shfrytëzim-Pronë). Në rastin e parë, kontrata BOT, pas përfundimit të koncesionit prej 35 vjetësh, qeveria do të rishohë edhe një herë ç’do të bëjë me HEC-in në fjalë, do ta transferojë tek ky investitor si pronë e tij apo do të kalojë si pasuri shtetërore, ndërsa në rastin e dytë, kontrata BOO, përcaktohet që në fillim destinacioni fundor i këtij HEC-i pas 35 vjetësh, që do të jetë pronë e këtij investitori. Arsyeja e cila shtyn koncesionarët drejt kësaj kërkese do t’i ofronte qeverisë edhe më shumë investitorë të huaj, të cilët garantojnë investimin, ndërkohë që ata vendas shpeshherë kanë nevojë për kreditim nga bankat, të cilat nuk janë treguar shumë dashamirëse me këto lloj financimi. Në vitin 2006, përfaqësuesi për energjinë i Bankës Botërore në Shqipëri, i cili ishte një njohës shumë i mirë i praktikës së dhënies së koncesioneve botërore, duke u angazhuar në faktorët realë dhe mekanizmat konkretë për eliminimin e korrupsionit, nisur edhe nga përvoja e vendeve të njohura në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, u angazhua duke dhënë edhe opinionin e tij në mënyrë publike. Ndër problemet e trajtuara dallohet forma e dhënies së koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël duke konkluduar me propozimin për qeverinë shqiptare për zëvendësimin e formës BOO (Ndërtim-Shfrytëzim-Pronë) me atë BOT (Ndërtim-Shfrytëzim-Transferim). Por a kishte të drejtë dhe a ndihmoi ai me këtë propozim? Viktor Hykollari, përfaqësuesi i koncesionarëve, deklaron për gazetën “standard” se problemi nga ligjor dhe ekonomik u kthye në politik, si kërkesë për qeverinë dhe njëkohësisht rrugë eksperimenti për biznesin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël. Qeveria shqiptare e konsideroi të drejtë opinionin e tij dhe në bazë të kërkesës së BB mori vendimin për të gjitha llojet e hidrocentraleve, që do të ndërtohen në Shqipëri vetëm me formën e koncesionit BOT, e cila ishte një nga format në ligjin ekzistues të koncesionit. Hykollari shpjegon se aktualisht të gjitha koncesionet e dhëna për ndërtimet e hidrocentraleve të reja jepen vetëm në këtë formë. Në pamje të parë ky veprim duket se ishte pozitiv, që e ndihmoi procesin e dhënies së koncesionit në pozicionin e pakërkuar, duke u dhënë në koncesione biznesit vendas dhe atij të huaj për ndërtimin e mbi 100 hidrocentraleve të vegjël në të gjithë hartën e vendit. “Argumenti bazë që u përdor ishte ai i ekzistencës së bashkëpartnerit, (autoriteti kontraktues) që në rastin konkret është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë edhe Energjetikës. Praktika dhe problemet, që nxori faza e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël e bëjnë të domosdoshme rishikimit të ligjit të koncesionit, që të mos hezitohet, dhe të mos i bindesh formalisht kontratës së koncesionit të nënshkruar, por të argumentohen problemet dhe të punohet për të amortizuar forcën e faktorëve pengues, që dalin me zbatimin e ligjit të koncesionit dhe ligjeve të tjera dhe sidomos me veprimet subjektive të administratës qendrore dhe ato lokale, ku ndërtohen hidrocentralet e vogla”, – thotë Hykollari.
Koncesionet me formën BOO në vend kanë rezultuar të suksesshme
Hykollari thotë se po të vëzhgosh me kujdes, konstatohet se kontratat e dhëna në formën BOO, si në Sasaj, Sarandë; Tervioll i Martaneshit; Zal-Tora në Librazhd, dalëngadalë po bëhen efektive dhe hidrocentralet po ndërtohen dhe po funksionojnë. Bankat dhe institucionet financiare janë të sigurta me to dhe i kanë kredituar këto hidrocentrale të vogla. Këto janë fakte reale, që e bëjnë të qartë situatën dhe se nuk ka asgjë të përbashkët me opinionet lidhur me korrupsionin e përfolur dhe me veprimet e dëmshme që pengojnë procesin e ndërtimit. Kur hidrocentralet e tjera të formës BOT, që janë shumica dërmuese, po ndërtohen me një vështirësi të jashtëzakonshme, tashmë nuk janë as pronë private e investitorëve, as edhe e shtetit, as bankave kredituese, as e BERZH-it dhe as e Bankës Botërore. Për më tepër, kur nuk ka rrugë për privatizimin e tyre, se është vendosur në kontratën e koncesionit forma BOT, që nuk e lejon dhe e pengon këtë proces që i hap rrugën reale të ndërtimit të tyre, situata bëhet me shqetësuese kur hyhet dhe bëhet një analize për çdo rast të veçantë.
“Kështu, një pikë e kontratës së koncesionit kërcënon se “mundet të hyjë edhe një partner tjetër, më i zoti se investitori, i cili mundet ta marrë e të punoje me to”. Çfarë mund të ndodhë? Eja dhe gjeje se si do të pleksen gjërat dhe interesat. Do të shkohet me hir ose me pahir nëpër gjyqe e përmbarime, do të dalin të tjera probleme e do të shtohen të tjera “halle”, që akoma nuk dihen, se do hapet punë, që nuk i zgjidh dot as autoriteti kontraktues dhe as qeveria, pavarësisht detyrimeve dhe angazhimeve të tyre. Por ka një rrugë për veprim dhe që do shërbejë si një nxitje reale për të gjithë procesin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël të cilët janë të vonuar ose në vështirësi për financime”, – sqaron Hykollari. Ai shton se me guxim dhe argumentim duhet të kthejnë formën e koncesionit në BOO, të ndryshojmë situatën e të shkojmë tek prona private, si për objektet që janë në proces ndërtimi dhe për ato që do ndërtohen në të ardhmen jemi të sigurt që të gjithë investitorët do ta mirëpresin këtë hap të qeverisë dhe të autoritetit kontraktues dhe ky proces do të përfundojë në një kohë rekord dhe do të japë efektin e vet si për prodhimin e energjisë elektrike dhe në reduktimin e CO2, duke e bërë vendin tonë me parametra të krahasueshëm me vendet e përparuara. Nxitja e procesit me veprime konkrete është edhe përmirësimi ligjor dhe rivendosja e formës së koncesionit BOO (Ndërtim-Shfrytëzim-Pronë).

Gazeta Standard, 04.11.2011