Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Urgjent: Durrës, tre doganierë nën pranga. Kontrabanda e naftës, edhe 4 shtetas të tjerë arrestohen. Detajet! Update!

Tre doganierë dhe katër shtetas të tjerë janë arrestuar mëngjesin e së dielës në Durrës, në kuadrin e një operacioni anti-kontrabandë të quajtur “Siguria”.
Ndërhyrja e policisë u realizua pas sigurimit të provave se të arrestuarit kishin futur në Shqipëri 51.5 mijë litra karburant kontrabandë, përmes dy autobotëve për llogari të dy pikave të karburantit në Shkodër e Fier.
Tre doganierët e arrestuar janë shtetasit Ylli Troplini, Artur Mustafa dhe përgjegjësi i turnit në doganën e “Romano Port”, Selman Doçi, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe favorizim të kontrabandës me mallra të akcizës.
Ndërkohë, të arrestuarit e tjerë janë Klodian Cullhaj me detyrë agjent doganor, Lauret Bega me detyrë magazinier i “Europetrol”, Afrim Meçe, drejtues i autobotit me targa të Shkodrës dhe Pëllumb Metollari drejtues i autobotit me targa të Fierit.
Autobotet me karburantin kontrabantë janë dërguar nga drejtuesit e tyre përkatësisht në një pikë të karburantit të firmës “Elda” në Shkodër, ndërsa mjeti tjetër i transportit të lëndës së djegshme e ka depozituar sasinë e tij në një pikë karburanti në Fier.
Agjentët e antikrimit ekonomik të Durrësit kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin e shtatë shtetasve të cilët do të përballen me akuzat e ngritura, ndërsa vijojnë hetimet nga prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë kontrabandë nafte.
Pritet që firmat të cilat kanë favorizuar këtë kontrabandë të ndëshkohen gjithashtu.

TOP Channel, 06.11.2011

Kontrabanda e karburanteve, pranga tre doganierëve në Durrës
Tre doganierë janë arrestuar dje nga policia e Durrësit së bashku me katër shtetas të tjerë të akuzuar për kontrabandë nafte. Ata janë kapur në flagrancë teksa po transportonin më shumë se 51 mijë litra karburant në dy pika në qytetet e Fierit dhe Shkodrës. Operacioni është zhvilluar nga zyra e antikontrabandës në qytetin e Durrësit dhe mbante emrin e koduar “Siguria”. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dyshohet se në këtë skemë të kontrabandës së naftës janë të implikuar edhe persona të tjerë si nga ana e doganës së Durrësit, ashtu edhe nga ana e disa firmave private.
Hetuesit pohuan dje se në rrugë operative kanë mësuar një kontrabandën që kryhej në mjediset e sektorit të Porto Romanos në Durrës. Sipas të dhënave të tyre, autobote me karburant dilnin nga porti pa paguar detyrimet doganore dhe në këtë skemë ishin të implikuar punonjës të doganës së Durrësit. Pasi kanë mbajtur nën vëzhgim doganierët, hetuesit kanë pikasur tre prej tyre, përkatësisht të arrestuarit Selman Doçi, 43 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës, Ylli Troplini, 50 vjeç, doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës dhe Artur Mustafa, 36 vjeç doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës.
Hetuesit i kanë mbajtur nën mbikëqyrje të dyshuarit dhe gjatë orëve të vona të natës së datës pesë nëntor kanë pikasur dy autobote që po dilnin nga porti. Policia ka ndjekur autobotet deri sa ato kanë mbërritur në Fier dhe në Shkodër. “36.500 litra karburant janë transportuar me autobotin me targa “SH 8895 D”/ “SH 9037 D”, me destinacion një pikë karburanti në Shkodër. 15.000 litra karburant janë transportuar nga autoboti me targa “FR 0737 D” në një karburant në Fier. Gjatë këtij operacioni u konstatua se mjeti tip Benz me targa të Shkodrës kishte udhëtuar me dy targa të ndryshme. Njëra para, ndërsa tjetra e vendosur në pjesën e pasme të mjetit”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Durrësit.
Sipas tyre, autobotet me naftë janë shkarkuar në karburantet përkatëse në Fier dhe Shkodër e më pas janë nisur sërish drejt Durrësit. Në mëngjes ata kanë hyrë sërish në port për t’u mbushur sërish me karburant. Por gjatë kësaj kohe policia kishte verifikuar regjistrat e doganës së Portit të Durrësit dhe kishte konstatuar se dy mjetet kishin dalë pa paguar asnjë detyrim. Kur autobotet janë paraqitur sërish në port, drejtuesit e tyre janë arrestuar. “Shoferët e arrestuar janë Afrim Meçe, 38 vjeç drejtues i autobotit me targa “SH 8895 D” / “SH 9037 D” dhe Pellumb Metollari, 61 vjeç drejtues i autobotit me targa “FR 0737 D”. Përveç tyre janë arrestuar edhe Klodian Cullhaj, 35 vjeç agjent doganor në Porto Romano Durrës dhe Lauret Bega, 40 vjeç magazinier”,- thanë burimet zyrtare të policisë së Durrësit. Sipas tyre, ndaj të arrestuarve është ngritur akuza e kontrabandës së karburantit dhe dosja i është dërguar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të kryejë hetimet e mëtejshme.
Të arrestuarit
Selman Doçi, 43 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës
Ylli Troplini, 50 vjeç, doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës
Artur Mustafa, 36 vjeç doganier i kontrollit fizik në Degën e Doganës, Sektori i Porto Romanos Durrës
Klodian Cullhaj, 35 vjeç agjent doganor në Porto Romano Durrës
Lauret Bega, 40 vjeç magazinier
Afrim Meçe, 38 vjeç drejtues i autobotit me targa “SH 8895 D” / “SH 9037 D”
Pellumb Metollari, 61 vjeç drejtues i autobotit me targa “FR 0737 D”.

Gazeta Shekulli, 07.11.2011

Shtatë persona në pranga për naftë kontrabandë, tre prej tyre doganierë
“Siguria” në Durrës ka çuar në pranga shtatë persona, përfshirë edhe punonjës doganorë të ‘Romano Port’. Konfiskimi i 51.5 mijë litrave karburant të kaluara kontrabandë përmes dy autoboteve për llogari të dy pikave të karburantit në Shkodër e Fier, vunë në pranga tre doganierë të portit të karburanteve në Porto-Romano të Durrësit, një agjenti doganor si dhe katër personave të tjerë të përfshirë në këtë vepër penale. Burimet zyrtare deklaruan se, tre doganierët e arrestuar janë shtetasit: Ylli Troplini, Artur Mustafa dhe përgjegjësi i turnit në doganën e ‘Romano Port’, Selman Doçi të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe favorizim të kontrabandës me mallra të akcizës. Ndërkohë, të arrestuarit e tjerë janë Klodian Çullhaj, me detyrë agjent doganor; Lauret Bega, me detyrë magazinier i “Europetrol”; Afrim Meçe, drejtues i një autoboti me targa të Shkodrës; dhe Pëllumb Metollari, drejtues i autobotit me targa të Fierit. Autobotet me karburantin kontrabandë janë dërguar nga drejtuesit e tyre përkatësisht në një pikë karburanti në Shkodër, ndërsa mjeti tjetër i transportit të lëndës së djegshme e ka depozituar sasinë e tij në një pikë në Fier. Agjentët e antikrimit ekonomik të Durrësit kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin e shtatë shtetasve, të cilët do të përballen me akuzat e ngritura, ndërsa vijojnë hetimet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë kontrabandë nafte.
Arrestimet
Ka qenë Sektori kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, që deklaroi se mbylli me sukses operacionin policor “Siguria”, gjatë të cilit u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve: Selman Doci, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës turni në degën e Doganës, sektori i Porto-Romanos Durrës; Ylli Troplini, 50 vjeç nga Durrësi, doganier i kontrollit fizik në këtë degë; Artur Mustafa, 36 vjeç me banim në Tiranë, gjithashtu doganier i kontrollit fizik në doganën e Porto- Romanos. Përveç tyre u arrestuan edhe agjenti doganor i firmës “Ferri”, Klodian Çullhaj, 35 vjeç, banues në Durrës; Laurent Bega, 40 vjeç, me banim në Durrës, magazinier në firmën “EuroPetrol” në Porto-Romano; Afrim Meçe, 38 vjeç, banues në Krujë, drejtues i autobotit të firmës “EuroPetrol” me targa të kokës së mjetit dhe autobotit përkatësisht SH 8895 D dhe SH 9037 D; si dhe shtetasi Pëllumb Metollari, 61 vjeç me banim në Fier, drejtues i autobotit të firmës “Special Gas” me targa FR 0737 D.
Hetimet
“Gjatë hetimit të kryer nga struktura kundër krimit financiar rezultoi se, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.11.2011, gjatë orëve të natës, kanë mundësuar kalimin kontrabandë nga porti i ‘Romano-Port’ të një sasie prej 51.500 litra karburant, nga të cilët 36.500 litra karburant është transportuar me autobotin me targa SH 8895 D/ SH 9037 D me destinacion në Shkodër, ndërsa pjesa tjetër prej 15.000 litrash karburant është transportuar nga autoboti me targa FR 0737 D në një karburant në Fier”, – deklaroi zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Ornela Cako. Paraprakisht, sektori i Antikrimit Financiar në Durrës ka ngritur ndaj këtyre shtetasve akuzën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe ia ka përcjellë materialet procedurale lidhur me këtë rast Prokurorisë së Rrethit Durrës. Ndërkohë, burime nga grupi hetimor deklarojnë se ndaj doganierëve do të rëndojë akuza e shpërdorimit të detyrës përmes favorizimit të futjes së karburantit kontrabandë. Hetimet do të shtrihen dhe në një periudhë më të gjatë kohore për të zbardhur të tjera lëvizje autobotesh me karburant kontrabandë drejt pikave të shpërndarjes me pakicë, ku çmimi i karburantit njeh rritje kundrejt pretendimit të detyrimeve të larta doganore.

Gazeta Shqip, 07.11.2011