Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Porti i Durrësit “peng” i interesave gjeostrategjike. Afati për largimin e depozitave të karburanteve nga Kalata Lindore ka skaduar prej 3 vjetësh!

Duke parë pozicionin strategjik të Portit të Durrësit, i cili është ura lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, edhe interesat e shteteve fqinjë janë të mëdha. Nëse kompanitë e shtetit grek, në këtë port kishin një “thelë” jo pak të majme, në Kalatën Lindore, një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë, të zënë me depozitat e karburanteve, kompanitë turke paralelisht se hynë me blerjen e kantierit detar dhe vetëm pak muaj më parë turqit kanë marrë me koncension terminalin e kontejnerëve në port. Por depozitat e karburanteve po mbajnë peng master-planin e zhvillimit të Portit të Durrësit. Tre vjet nga skadenca e afatit për largimin e tyre, ngritja e një çështjeje të tillë për autoritetin Portual të Durrësit mbetet një “tabu”. Askush nuk është në gjendje t’i përgjigjet pyetjeve “Pse qëndrojnë ende në Kalatën Lindore tankerat miliona litërsh të depozitave të karburanteve? Pse nuk hiqen? Pse prej tre vjetësh nuk janë larguar, ndërsa ka një vendim qeverie, për largimin e tyre. Në fakt këtyre pyetjeve asnjë prej drejtuesve të Portit të Durrësit, nuk iu jep një përgjigje, madje, shprehen se duhen vendime dhe urdhra nga lart. Zona e Porto Romanos është krijuar enkas si park energjetik, me vendim qeverie. Në këtë zonë, konkretisht për kompanitë e karburanteve që operojnë në Portin e Durrësit, METE vuri në dispozicion rreth 57 hektarë tokë, në të cilat janë ndërtuar depozita të mëdha të karburanteve dhe operon porti i karburanteve. Por në anën tjetër kompanitë nuk i kanë zhvendosur depozitat nga porti.
Situata
Megjithëse kanë përfunduar të gjitha afatet kohore, depozitat e  karburantit që ndodhen në Portin detar të Durrësit janë akoma aty duke bllokuar një sipërfaqe  të madhe kalate, por edhe duke bllokuar  projektet për vënien në funksion të  kalatës lindore të Portit të Durrësit. Që prej vitit 2009 ato duhet të ishin zhvendosur në pontilin e ri të Porto Romanos i bërë enkas për to. Por deri tani me gjithë ndërhyrjen edhe të dy ministrive, përsëri depozitat mijëra litërshe të hidrokarbureve vazhdojnë të jenë të pa lëvizura në Portin e Durrësit duke zënë një pjesë të konsiderueshme të tij, si dhe duke penguar projektin për zgjerimin e portit të financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të fuqishëm. Dy ministritë ajo e Ekonomisë si dhe ajo e Transporteve që po merret dhe me projektin për zgjerimin e portit, akoma nuk kanë arritur të vënë në vend autoritetin e  tyre për të zhvendosur këto depozita të njohura si “depozitat  greke”.
Vendimet
Sipas vendimit, të vitit 207 kompanive të importit të karburantit u lihej afat fundi i dhjetorit 2008, pasi procesi i zhvendosjes së depozitave kërkonte kohë dhe para shtesë. Por dhjetori  2008 iku dhe jemi në 3 muajt e fundit të vitit 2011, e megjithatë kompanitë e importit vazhdojnë ende të shkarkojnë sasi të ndryshme karburanti në Durrës duke shkelur hapur  vendimin e qeverisë. Qeveria, më datë 25 korrik 2007, duke iu referuar ligjit “Për përpunimin, transportimin  dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të  ndryshuar, me propozimin e ish- ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, mori vendimin për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve, që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, në Portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i cili u shty deri në fund të muajit mars 2009.

Gazeta Telegraf, 27.10.2011