Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mirëmbajtja e HEC-eve, ja ku ka investuar KESH

Kaskada e Drinit
Dilemave që shtroheshin vitet e kaluara nëse portat e shkarkimit funksiononin apo jo siç duhet dhe, nga ana tjetër, nëse agregatet e HEC-eve do të mund të ishin eficiente, pavarësisht viteve, u është dhënë fund nga ana e KESH-it. Ndërhyrjet e kryera në hidrocentrale përgjatë vitit 2010, por edhe përgjatë këtij viti, kanë siguruar një eficiencë më të madhe të përdorimit të ujit. Investimet kanë garantuar edhe më shumë siguri për mirëfunksionimin e portave të shkarkimit në hidrocentrale. Ekspertë pranë KESH-it tregojnë për gazetën se vitin e kaluar janë kryer punime shërbimi për mirëmbajtjen e pjesës hidromekanike dhe elektrike të hidrocentraleve, që konsistojnë në realizimin e remonteve vjetore të mesme, kapitale dhe profilaktike të planifikuara të agregateve, si dhe remontet e pajisjeve dhe aparaturave ndihmëse të tyre. “Punime të rëndësishme janë bërë në agregatin nr. 2 në Fierzë, ku është instaluar transformatori i ri për të zëvendësuar transformatorin e vjetër, që ishte i pasigurt për punë. Gjithashtu, në agregatin 2 u krye remonti i thellë i portës së shkarkimit të tunelit 4, duke eliminuar të gjitha defektet dhe anomalitë në hapje që u konstatuan gjatë shkarkimeve të fillimvitit”, shprehen burime nga KESH-i. Po kështu, edhe në Hidrocentralin e Komanit është bërë pastrimi i rrjetave të marrjes së ujit në të gjitha agregatet nëpërmjet polumbarëve, duke bërë që të evitohen anomalitë e punës së gjeneratorëve. Në sajë të remonteve të kryera në të gjitha HEC-et gjatë vitit 2010, të gjitha hidroagregatet kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe e tërë sasia e ujit që është shkarkuar nga turbinat është shfrytëzuar plotësisht për prodhimin e energjisë elektrike. Fuqia e instaluar disponibël ka qenë pothuajse e barabartë me fuqinë e instaluar hidro, rreth 1430 megavat.
Ndërhyrjet e hershme
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është një kompani prodhuese e energjisë elektrike. Impiantet prodhuese me fuqi më të madhe janë instaluar kryesisht në Veri të vendit, në kaskadën e lumit Drin, në tri njësitë hidrike; atë të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, si edhe në kaskadën e lumit Mat, në hidrocentralet Ulzë dhe Shkopet. Duke qenë se këto kaskada mbajnë peshën kryesore në gjenerimin e energjisë elektrike në sistemin elektroenergjetik, nëpërmjet një projekti të rëndësishëm, atë të rehabilitimit të HEC-eve të kaskadës së Drinit (Drin River Cascade Rehabilitation Project), u realizua instalimi i teknologjive moderne të kontroll – monitorimit, si dhe zëvendësimi i pajisjeve elektrike dhe mekanike në hidrocentralet kryesore, atë të Fierzës, Vaut të Dejës, Ulzës (pjesërisht) dhe Shkopetit. Realizimi i këtij projekti solli rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga këto hidrocentrale nëpërmjet instalimit, rinovimit dhe zëvendësimit apo riparimit të pajisjeve elektrike dhe mekanike, të cilat ishin në fundin e jetës së tyre, duke rritur ndjeshëm edhe jetëgjatësinë e pritshme të këtyre pajisjeve.
Gjithashtu, instalimi dhe përdorimi i sistemeve moderne të kontrollit dhe automatikës në përputhje me standardet e UCTE në lidhje me kontrollin e parametrave të tillë si tensioni dhe frekuenca, ndikoi në rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, duke garantuar një besueshmëri të lartë në operimin e sistemit elektoenergjetik të vendit.
Projekti u realizua përgjatë viteve 2002-2007 dhe u bashkëfinancua nga donatorë dhe kreditorë, si qeveria zvicerane, qeveria austriake, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Japoneze, qeveria italiane, si edhe vetë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
HEC-et nga prodhon KESH
HEC-i i Fierzës ndodhet në fillim të kaskadës së lumit Drin. Ka një kapacitet prej 2.7 miliardë m3 ujë. Diga është 190 metra e lartë. Ka dy tunele furnizimi që e çojnë ujin në të katër njësitë e instaluara. Kapaciteti i instaluar është 500 megavat, me një prodhim mesatar vjetor prej 1800 gigavat/orë. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kilovolt të transmetimit.
HEC-i i Komanit u ndërtua në lumin Drin, në pjesën verilindore të Shqipërisë, në mes të kaskadës së Drinit. Baseni i këtij hidrovetrali ka një kapacitet prej 450 milionë m3 ujë. Diga është e lartë 125 metra. Dy tunele furnizojnë me ujë të katër turbinat që ndodhen në sallën e turbinave. Kapaciteti i instaluar i Hidrocentralit të Komanit është 600 megavat dhe prodhimi mesatar vjetor 2060 gigavat/orë. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kilovolt të transmetimit.
HEC-i i Vaut të Dejës ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, në fund të kaskadës së lumit Drin, pranë qytetit të Shkodrës. Baseni i këtij hidrocentrali ka një kapacitet prej 580 milionë m3 ujë. Diga është 90 metra e lartë. Ka dy tunele furnizimi që e çojnë ujin për të pesë njësitë e instaluara. Kapaciteti i instaluar është 250 megavat, me një prodhim mesatar vjetor prej 1000 gigavat/orë. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kilovolt të transmetimit.
HEC-i i Ulzës është ndërtuar mbi lumin Mat. Ky hidrocentral është ndërtuar midis viteve 1953 dhe 1957. Baseni i tij ka një kapacitet prej 240 milionë m3 ujë. Impianti ka katër turbina. Diga është e lartë 64 metra dhe kapaciteti i instaluar është 25 megavat.
HEC-i i Shkopetit është ndërtuar mbi lumin Mat. Hidrocentrali është ndërtuar në vitin 1963. Baseni ka një kapacitet prej 240 milionë m3 ujë. Impianti ka dy turbina. Diga është e lartë 48.8 metra dhe kapaciteti i instaluar është 24 megavat.
HEC-i Bistrica I është ndërtuar mbi lumin Bistricë. Pjesa më e madhe e teknologjisë është çeke. Tri turbinat e instaluara janë në gjendje të prodhojnë nga 7.5 megavat energji. Centrali i HEC Bistrica 1 është rehabilituar plotësisht nga kompania “Voith Siemens”.
HEC-i Bistrica II është ndërtuar mbi lumin Bistricë në vitet 1961-1965. Turbina e instaluar në këtë impiant prodhon 5 megavat energji.
HEC-i Tirana është ndërtuar ndërmjet viteve 1947-1951. Dy turbinat e instaluara kanë një kapacitet prodhimi prej 2.5 megavat secila.

Gazeta Panorama, 01.10.2011