Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Uji dhe ekonomia e gjelbër në qendër të konferencës për mjedisin në Astana

Konferenca organizohet nga Komisioni Europian Ekonomik i OKB-së , anëtar i të cilit është edhe Shqipëria.
Ministra nga vende të ndryshme po takohen në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me ujin si dhe për të kthyer ekonominë në fushë sa më afër mbrojtjes së ambientit, në konferencën “Mjedisi për Europën”. Bëhet fjalë për atë që cilësohet si “ekonomia e gjelbër”, që do të thotë gjendje më të mirë për bizneset dhe për njerëzit, por në të njëjtën kohë duke redukutuar rreziqet për mjedsin.
Për të mbështetur konferencën, Agjensia Europiane e Mjedisit (AEM) ka përgatitur një raport që rekomandon mënyrat se si informacioni mbi mjedisin dhe politikëbërja në këtë fushë, mund të gjejnë më shumë pika të përbashkëta.
Konferenca ministrore mbledh sëbashku delegatë nga mbi 50 vende të ndryshme të botës, përfshirë ato europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Izraeli. Konferenca fokusohet në sfidat për mbrojtjen e ujit dhe ekosistemeve të ndërlidhura dhe se si të shkohët drejt një ekonomie sa më të përshtatshme për mjedisin. Konferenca organizohet nga Komisioni Europian Ekonomik i OKB-së (UNECE) —anëtar i së cilit është edhe Shqipëria— në bashkëpunim me qeverinë e Kazakistanit.
Në raportin e Agjensisë Europiane të Mjedisit paraqitet gjendja e burimeve për informacionin mbi mjedisin. Për të shkruar këtë raport, ekspertët kanë shqyrtuar më shumë se një mijë raporte, të cilat janë shqyrtuar në detaje.
Zhaklin Mek Glejd, drejtore ekzekutive e AEM thotë se raporti tregon se duhet një lidhje më e ngushtë mes strategjive dhe informacionit. “Kjo funksionon në të dy anët, ata që krijojnë strategji duhet të shfrytëzojnë më shumë pasurinë e informacioneve mbi mjedisin. Në të njëjtën kohë informacioni mbi mjedisin duhet të drejtohet tek ata që krijojnë strategji në mënyrën më të mirë të mundshme”, shprehet Mek Glejd.
Sipas saj, për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik në rajonin pan-europian duhen ekonomitë e gjelbëra. “Kjo do të thotë menaxhimi në mënyrë të barabartë i burimeve pa dëmtuar funksionet e ekosistemit. Aftësia jonë si shoqëri për të arritur këtë qëllim varet nga pasja e informacionit relevant për mjedisin dhe kqyrje nga mbarë rajoni”, thotë Mek Glejd.
Në konferencën e shtatë ministrore “Mjedisi për Europën” në Astana të Kazakistanit, temat kryesore janë menaxhimi i vazhdueshëm i ujit dhe sistemeve të ekosistemit të lidhura me ujin si dhe ekonomia e gjelbër, një promovim për zhvillimin ekonomik. Vendimi u mor nga Komiteti për Strategjinë e Mjedisit, UNECE në 23 tetor dhe reflekton prioritetet në sferën e mjedisit. Iniciativa e Astanës, “Ura e gjelbër” (Green Bridge), paraqet nismën e Kazakistanit si një urë mes Europës dhe Azisë në çështjet e mjedisit. Organizatorët thonë se konferenca e Astanës duhet të jetë një hap kyç në implementimin e platformës interaktive për integrimin e Europës dhe Azisë që të punojnë më shumë për mjedisin.
Konferencën e ka përshëndetur edhe shefi i OKB-së, Ban Ki Mun, nëpërmjet një mesazhi të përcjellë nga kreu i UNECE-s. Sipas Ban Ki Mun, kjo konferencë vjen në 20 vjetorin e iniciativës “Mjedisi për Europën”.
“Organizatat në kuadër të OKB-së, organizatat jofitimprurëse, sektori privat kanë arritur vendime e marrëveshje të rëndësishme dhe kanë arritur që të vendosin një partnership. Kjo konferencë vjen para takimit të OKB-së vitin e ardhshëm që ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm në mbarë globin. Dhe pikërisht temat që diskutohen në këtë konferencë, uji dhe ekonomia e gjelbër, plotësojnë qëllimet e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm në mbarë botën”, shprehet sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.
Ban Ki Mun gjithashtu shpreson që kjo iniciativë në të ardhmen të shtrihet përtej kufijve të UNECE-s, në mënyrë që të përfshihen sa më shumë vende.
Në konferencën e mëparshme të “Mjedisit për Europën”, të zhvilluar në Beograd, ministrat ranë dakord që të reformonin këtë proces për të pasur mekanizma më të saktë për mjedisin.

TV ABC News, 21.09.2011