Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria minerare, ringritje e vështirë pas dy dekadash rrënim

Koncesionet në Kalimash, Golaj e Vlahën sjellin shpresë, por pengohen nga vendasit
Vitet ’90 startuan rrënimin e minierave të Qarkut të Kukësit, ndër më të pasurat në Shqipëri. I gjithë rajoni u “zhyt” në varfëri dhe shteti u kujdes shumë pak për zhvillimin e industrisë minerare në këtë rajon, që dikur ishte një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Dikur
Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndër të tjera rrënimin e sistemit të industrisë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve në rajonin e Kukësit. Statistikat e kohës tregojnë se në këtë industri ishin punësuar 15 mijë punëtorë, që së bashku me disa sektorë ndihmës arrinin numrin 17 mijë punëtorë. Sektorët më të rëndësishëm ishin ato të nxjerrjes së bakrit dhe kromit, si dhe të përpunimit të tyre. Miniera e bakrit në Gjegjan, si dhe uzina e shkrirjes dhe pasurimit në Rexhepaj përbënin “bërthamën e artë” të krejt industrisë shqiptare, e cila në atë kohë stimulohej me parulla të tilla si “bakri çan bllokadën” etj. Ndonëse me një teknologji të vjetruar, kjo industri përbënte pjesën kryesore të eksporteve dhe në tërësi boshtin ekonomik të Shqipërisë.
Fati i infrastrukturës
Pas falimentimit të sistemit industrial në Kukës, dhjetëra persona “u turrën” të grabisin çfarë të mundnin, duke nisur që nga makineritë, shinat e vagonëve, linjat elektrike dhe deri edhe hekurat e kolonave të ndërtesave për t’i shitur për skrap.   Gjigantët e Gjegjanit dhe Uzina e Bakrit përfunduan në Mal të Zi, pasi në atë kohë edhe Metalurgjiku i Elbasanit përjetonte të njëjtin fat. Varfëria i detyroi banorët “t’i përvishen punës” për të gërmuar nëpër xhepat e galerive për të nxjerrë mineral. Brezi i dytë i minatorëve apo më saktë ata më të rinjtë, edhe të shpërngulur në rrethe të tjera të vendit, duke parë se kromi po ecte mirë në tregjet e huaja, u rikthyen në zonat mineralmbajtëse duke vendosur madje, edhe gardhe e duke zënë me ferra galeri të ndryshme të braktisura. Kjo mënyrë amatore dhe informale e nxjerrjes dhe tregtimit të kromit, por edhe të nikelit, në tregjet e vendit dhe të huaja, shkaktoi dhjetëra viktima të nëntokës, ndërkohë që u shfaqën probleme ligjore.
Përpjekjet për ringritje
Për gati dy dekada institucionet shtetërore nuk “harxhuan kohë” për të ndërmarrë strategji zhvillimi për rajonin e Kukësit, duke lënë të shpopullohet një nga rajonet më të rëndësishme të vendit.  Strategjia e zhvillimit të Qarkut të Kukësit e miratuar në vitin 2004, parashikon gjithçka tjetër, përveç sektorit të industrisë minerare që i dha “jetë” kësaj pjese të vendit. “Kukësi fle mbi pasuri të jashtëzakonshme, po të shprehemi me metaforë mund të themi se fle mbi flori”, thotë Dr.Hamit Noka, me profesion gjeolog, duke treguar për secilin vendburim se sa milion ton mineral përmban dhe se një shfrytëzim racional do të ndihmonte, jo vetëm zonën, por mbarë vendin të forcohej ekonomikisht.
E para përpjekje serioze dhe shpresëdhënëse për ringritjen e industrisë nxjerrëse e përpunuese në Qarkun e Kukësit sanksionohet pak më shumë se një vit e gjysmë më parë me koncesionin turko-kinez të një pjese të minierave, tashmë gërmadha, të Kalimashit në Kukës, Golajve dhe Vlahnës në Has, etj. Kompania koncesionare quhet IMI dhe 60 për qind të koncesionit e mban firma “Kurum”, ndërsa 40 për qind një firmë kineze. Drejtues të kompanisë tregojnë se kanë projekte ambicioze në drejtim të industrisë minerare në Kukës ku synohet të mbyllet cikli i nxjerrjes dhe përpunimit të tyre në vend. “Ne të gjithë humbim shumë nëse do të vazhdojmë të eksportojmë mineral të papërpunuar jashtë vendit, humbim kohë dhe pasuri, e në rastin më të mirë humbim mundësinë e angazhimit me punë të disa mijëra punëtorëve”, thotë Zeki Kajy, drejtor i përgjithshëm i “Kurum” duke treguar edhe projektet konkrete, si dhe disa të dhëna statistikore që motivojnë angazhimin e madh. Ai thotë se kapaciteti i uzinës së ferrokromit do të ketë një kapacitet prodhues 130 mijë tonë në vit, një sasi e konsiderueshme po të kemi parasysh që në periudhën kulmore të kësaj industrie në vitet ’80 prodhohej vetëm 38 mijë tonë ferrokrom në vit me një teknologji mjaft të vjetruar.
Paradoksi i koncesionit
Projekti i madh i kësaj uzine të ferrokromit ku, siç tregojnë kompetentët, do të angazhojë në punë 4 mijë punëtorë, me një teknologji bashkëkohore dhe me një impakt pozitiv për zhvillimin e gjithë rajonit e Kukësit, duket se nuk ka mbështetjen e duhur të shtetit. Përveç vonesave burokratike nga ana e strukturave përgjegjëse, kryesisht në dhënien e licencave, projekti po dëmtohet nga vetë banorët, të cilët do të ishin në rastin e dhënë përfituesit e parë të projektit. Drejtori i “Kurum”, Zeki Kajy, është i mendimit se shteti duhet t’u garantojë investitorëve konfrom ligjit, të gjitha mundësitë që investimet e tyre të mos rrezikohen. Sipas specialistëve të fushës është e pafalshme që në një rajon minerar, ku është paguar nga koncesionarët, në rastin tonë investitorët, banorët apo të ashtuquajturit pronarë të tokës, ua shesin mineralin investitorëve, të cilët e kanë paguar më parë. Ndërsa në Vlahën të Hasit ndodh që banorët kanë pezulluar punimet në minierë, duke kërkuar nga kompania që ka lejen e shfrytëzimit ta blejë një metër katror tokë për 1400 euro, kur dihet se me ligj vetëm sipërfaqja e tokës, në një trashësi dhjetëra cm është pronë e pronarit, ndërsa nëntoka është e shtetit, i cili ia ka dhënë me koncesion një kompanie të caktuar konform legjislacionit shqiptar. Ankesat në institucionet e pushtetit vendor dhe polici nuk kanë dhënë zgjidhje.

Gazeta Shqip, 08.09.2011