Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrolli i gazit zotëron marrëdhëniet Rusi-Ukrainë

Ukraina varet nga Rusia për gazin, ndërsa Rusia mbështetet në tubacionet e Ukrainës për të shërbyer në tregjet e BE-së. Por, ndërsa Kievi lufton financiarisht, ekspertët pyesin se për sa kohë do të mbajë infrastrukturën kyçe jashtë duarve të Rusisë.
Europa, prej vitesh, pothuajse është mësuar me luftërat e dimrit midis Ukrainës dhe Rusisë, mbi çmimet e gazit natyror. Ukraina ka një infrastrukturë joefikase dhe e lë atë shumë të varur nga “Gazprom”, gjiganti shtetëror rus i gazit.
Në 2009-n, kjo dinamikë arriti në një rrugë pa krye dhe shkaktoi ndërprerje të furnizimit me gaz në Europë për dy vjet. Pas negociatave të vështira, Moska dhe Kievi arritën një marrëveshje çmimi, që synonte të shmangeshin konfliktet në të ardhmen.
Tani, në kulmin e verës europiane, ka shenja se luftërat e gazit mund të shfaqen përsëri. Këtë herë beteja mund të jetë për kontroll mbi tubacionet e gazit në Ukrainë. Rrjeti i tubacionit – së bashku me pjesën tjetër të infrastrukturës së saj – është në gjendje të keqe. I ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovjetik, ato kërkojnë investime të mëdha për të qenë të besueshëm dhe për të siguruar transitin e gazit në vitet e ardhshme.
Atë çfarë Kiev nuk mund ta përballojë, Moska mundet. Gjiganti shtetëror rus i energjisë, “Gazprom”, tani po kërkon partneritet me “Naftogaz”, monopoli i naftës dhe gazit në Ukrainë.
Sytë te çmimet
Volodimir Dubovyk, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universiteti Odessa, thotë se qëllimi i fundit i Rusisë është kontrolli mbi infrastrukturën e gazit në Ukrainë.
“Mendoj se kjo është ajo që ata do të donin të bënin si në aspektin e interesave ekonomike, por mbi të gjitha, në drejtim të interesave të tyre gjeopolitike”, tha Dubovyk për “Deutsche Welle”. “Personalisht nuk e besoj teorinë e udhëheqësve politikë rusë dhe vendimmarrësve, të cilët i bazojnë vendimet vetëm tek interesat ekonomike dhe të biznesit”. Ukraina thotë se ka probleme të mëdha me marrëveshjen që nënshkroi me Rusinë në 2009-n, dhe se kjo po përbën pagesë për gazin rus. Por, Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe “Gazprom”, thonë se nuk kanë ndryshuar asgjë në marrëveshje.
Pak mundësi
Sipas Ricarda Rieger, menaxhere e vendit për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Ukraina është një nga vendet më pak efikase të energjisë në botë. Madje, duket se ka pak interes publik në reduktimin e konsumit dhe uljen e varësisë së vendit nga gazi rus.
“Për fat të keq, çmimet janë aq të ulëta, sa ata nuk janë të detyruar të bëjnë shumë për efikasitetin e energjisë në biznese dhe strehim”, tha Rieger. Në këtë moment, Fondi Monetar Ndërkombëtar është duke e mbajtur ekonominë e Ukrainës me një hua 15 miliardë dollarë. Paratë janë kusht që Ukraina të rrisë çmimin e brendshëm të gazit dhe të reduktojë deficitin e tij. Por, kjo është politikisht e vështirë për qeverinë dhe Presidentin Viktor Yanukovic.
Dubovyk Volodymar, i Universitetit Kombëtar Odessa, e krahason problemin me simptomat varësisë. “Ne kemi folur prej gati 20 vjetësh për diversifikimin e burimeve të furnizimit të energjisë për Ukrainën”, tha ai. “Imagjinoni një veprim të vërtetë që mund të ndërmerret në këtë drejtim … varësia e furnizimit me energji nga Rusia do të bjerë. Por asgjë nuk është bërë”.
Ajo çfarë qëndron është se Ukraina gjendet e dobët, kur është fjala për ndikimin e politikës ruse dhe ambiciet financiare të “Gazprom”-it.
Sergeii Glebov, i Universitetit Mechnikov të Odessa-s, thotë se Ukraina arriti të negociojë reduktim në çmimet e gazit në shkëmbim të një zgjerimi të të drejtave të flotës ruse të Detit të Zi në Krime. Por, kjo vetëm nxjerr në pah shtrirjen e ndërhyrjes politike në atë energjetike, shtoi ai.
“Për fat të keq Rusia po ushtron shumë presion në Ukrainë dhe i ka burimet për ta bërë këtë. Ukraina është shumë e dobët për të kundërshtuar qëllimet e Rusisë dhe të politikës ruse”, tha Glebov për “Deutsche Welle”.
Mundësia tjetër e Ukrainës është që të ndjekë lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian. Aktualisht po negocion një marrëveshje të tregtisë së lirë, por Rusia ka aplikuar rritjen e çmimit të gazit sa herë që Kiev ka tentuar të krijojë marrëdhënie të ngushta me Perëndimin.
“BE-ja është shumë e kufizuar në instrumentet e saj dhe në mundësitë për të kundërshtuar interesat ruse dhe politikës së saj në pjesët lindore të Europës – në drejtim të Ukrainës për shembull, për shkak se BE-ja është gjithashtu e varur nga gazi rus”, tha Glebov. “Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të jetë më e vëmendshme ndaj disa problemeve dhe kërkesave të Ukrainës, kur të dyja palët janë duke biseduar rreth një zone të tregtisë së lirë.
Akti i balancimit
Olga Kamenchuk, drejtore e një qendre kërkimi mbi opinionin publik në Moskë, njeh shumë mirë të dyja tregjet, Ukrainë dhe Rusi. Ajo thotë se, Ukraina duhet të punojë me të dyja, Lindjen dhe Perëndim.
Sipas saj, “Ukraina është një fqinj i drejtpërdrejtë i Bashkimit Europian, po ashtu edhe i Rusisë. Të dy këta ‘fqinj’ janë të interesuar në zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe politike dhe është e rëndësishme për të dy ne – europianë e rusë – që në njëfarë mënyre të gjejmë konsensus për këtë”.
Shtytja e Ukrainës për modernizim tregon se mund të punojë me të dy fqinjët e saj. Disa projekte të infrastrukturës janë të financuara nga Moska, ndërsa të tjerët financohen nga Brukseli.
Por, duke pasur parasysh varësinë e Kievit nga gazi rus, shumë ekspertë besojnë se detyra e përmirësimit të tubacioneve të Ukrainës, në mënyrë të pashmangshme do t’i vërë ato në duart e “Gazprom”-it. Paratë ruse, në fund të fundit, ka shumë gjasa të favorizojnë interesat ruse.

Revista Monitor, 20.06.2011