Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Presidenti i ri i Ukrainës, apel FMN-së për të ulur çmimin e gazit

Presidenti i sapo zgjedhur i Ukrainës, Volodimir Zelenskiy, i bëri thirrje qeverisë dhe kompanisë shtetërore Naftogaz për bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi uljen e çmimit të gazit prej datës 1 Maj.

Zelenskiy, i cili ende nuk është zyrtarizuar në detyrën e tij të re, u shpreh me anë të një deklarate në rrjetin social Facebook se në 4 muajt e fundit çmimi i gazit në Europë ka rënë në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që për popullsinë ukrainase çmimi i gazit vazhdon të mbetet më i lartë se kudo në Europë.   

E njëjta deklaratë paralajmëroi se Rusia fqinje mund të kufizojë furnizimin me energji në Ukrainë nga 1 Qershori dhe se nga 1 Janari Moska mund të mos përdori më Ukrainën si shtet tranzit për transportin e gazit, një masë që do të rezultonte me humbje të konsiderueshme financiare dhe risk të madh në furnizimin me gaz.

Kryeministri Volodymyr Groysman, në muajin Mars, tha se do të nxiste Ministrinë e Financave dhe Naftogaz të nisnin bisedimet me FMN, për të shmangur çdo rritje të ardhshme të tarifave të gazit.

Qeveria ngriti çmimet e gazit me gati një të katërtën në Tetor, duke siguruar kështu një marrëveshje ndihme prej 3.9 miliard dollarësh me FMN-në.
Sipas një rezolute qeveritare të miratuar më parë, çmimet e gazit do të rriteshin me 15 për qind nga data 1 maj e këtij viti. Por në fillim të kësaj jave qeveria dhe Naftogaz ranë dakord për një rënie të lehtë të tarifave, me rreth 3.5 për qind në 8.247 hryvnias (310.56 dollarë) për 1,000 metra kub që nga 1 maj 2019.

Scan,  24.04.2019